Albspirit

Media/News/Publishing

Artur Spanjolli: Lasgush Poradeci, nobelisti i munguar!

 

Image result for artur spanjolli

Artur Spanjolli

Të flasësh për Lasgush Poradecin, do të thotë të flasësh për poezinë vetë. Për identitetin, thelbin, zanafillën e poezisë. Kur një poet këndon thellë, këndon ndjenjën më të thellë njerëzore, dhimbjen, atëhere të jetë ai shqiptar, grek, kinez, rus apo amerikan, mbetet gjithmonë një poet i thellë dhe i pa zëvendësueshëm. Përpara Lasgushit shumë poetë të tjere klasikë e kanë kënduar këtë ndjenjë, si antidhoma e njohjes me perëndinë brenda nesh. E ka kënduar Dante, Pushkini, Gëte, Haine, Lorka, Alfred de Mouset, Nerval, Eminesku dhe shumë të tjerë që kanë pasur fatin të këndojnë në gjuhët e mëdha të botës. Një nga më të thellët që ka kënduar këtë ndjenjë ka qenë i yni, Lasgush.

Të këndosh dhimbjen do të thotë të prekësh hyjnoren brenda nesh, sepse çdo pikë loti është një perlë e çmuar e shpirtit, si ndjenja më e thellë njerëzore ku shprehet çdo gjë pa kufi. Dashuria, përkushtimi, vlera himnizuese, ngritja në pjedestal e figurës së lartësuar.

Nuk më intereson të hulumtoj shkaqet e dhimbjes brenda jetës private të poetit. E ardhmja e njerëzimit do të ngrejë librin me poezi të Lasgushit, si dëshmitar i kësaj ndjenje hyjnore, do ta tundë në ajër duke u mallëngjyer, nuk do të hulumtojë se ç’dramë private e bëri që të ndodhte kjo. Dhe ato gra si Helena, Beatrice, Silvia do të ngazëllehen përtej jetës për këtë fat që patën. Lasgushi ynë jo vetëm që ka për të thënë nëpërmjet dhimbjes, mallit, dashurisë, pasionit njerëzor, por e bën me një elegancë të përkryer. Duke limuar, përsosur fjalën e vet, me studimet në Grac të Austrisë, etj, duke qenë njohës i letërsive të huaja në origjinal, ai arriti t’i japi shqipes perla të vërteta të lirikës njerëzore.

Të lexosh Lasgushin do të thotë të hysh në botën e së bukurës, në botën e zemrës, në botën e emocioneve dhe lexuesi mahnitet me përsosmërinë e poetit. Lasgushi ynë është, jo ishte, është një shpirt i thellë, një i përzgjedhur i perëndisë që ti këndojë qënies njerëzore nga fundet e dhimbjes. Qëndron këtu humaniteti pa kufi i këtij artisti të madh. Misioni i tij është të ndërgjegjësojë njerëzit që vetëm duke dashurar pafundësisht mund të bëhen më të përsosur. A nuk i tha Jezusi Madalenës: po, ju keni mëkatuar, por keni dhe dashuruar shumë.

Të hysh në pyllnajën e dashurisë Lasgushiane do të thotë të bësh një dush në dashurinë e vërtetë njerëzore. Ja pra se si poeti bëhet hyjnor vetvetiu, si Homeri i madh apo si Dante. Poeti e ka superuar ndjenjën e turpit, sepse ai do të zhvishej krejt lakuriq përpara lexuesit. Do t’i tregonte të fshehtat e zemrës, dhimbjet e tij dhe kjo nuk është e thjeshtë, por qëndron këtu monumentaliteti i tij tek sinqeriteti, pafajsia dhe ndoshta naiviteti i tij.

Lirikat e Lasgushit na falin një kënaqësi estetike të shumplanshme. Femra për Lasgushin është një qënje hyjnore që ai e këndon nga fundet e zemrës dhe në këtë shkrirje, ai del fitimtar me pafajsinë e vet, me dhimbjen e vet. Këtu ai triumfon, si një krisht i vertetë i kryqëzuar, ai ringjallet dhe mbijeton përjetë.

Bukuria bukuria/më pat puthur mu në ballë/Pikë e lotëve të mia/vetëtin si gurë i rrallë.

Ja dhe lartësimi, ekzaltimi, himni që poeti i thur ndjenjës më të thellë njerëzore. Asnjë nuk arrin të shprehet me një bukuri, thjeshtësi, madhështi të tillë. E bën Lasgushi, një Nobelist i munguar, për dy fatkeqësi të tijat personale: Ka shkruar në një gjuhë minore dhe krejtësisht i papërkthyeshëm. Por Nobelin atij do t’ia japë koha, përjetësia, njerëzit që e duan poezinë e tij në intimitetin e tyre, të rinjtë kur dashurohen, të vjetrit kur duan të kënaqen dhe sidomos femrat. Ai është një poet ku femra e ndjen veten të lartësuar, të himnizuar, të glorifikuar si ajo e meriton.

Hija ime nuk din dhunë/din veç frymëzim lirije/dhe din punë punë punë/mund pa fund për art magjie.

Askush nuk ka arritur, nuk do të arrijë ndoshta kurrë në gjuhën shqipe të shprehet me kaq rrjedhshmëri. As dhe i madhi Naim Frashëri, sepse një shpirt të dytë si Lasgushi koha e prodhon me mijëvjeçarë pritjeje. Poeti u ka lodhur duke punuar, (limuar) verbin e tij. Ai ka njohur të gjithë mjeshtërit e mëdhenj të poezisë së epokave të tjera, i ka absorbuar ato dhe ka mësuar prej tyre se si të këndojë.

Me djersë, me lodhje, me këmbëngulje, me mençuri, me përkushtim. Lasgushi i ka dhuruar falas jo vetëm botës shqiptare, por botës mbarë këto diamante të pa shkatërrueshme, të pa kopjueshme, diamante që ndriçojnë dhe në errësirë, si shpirtrat e mëdhenj të disa njerëzve, të përcaktuar të fluturojnë lart, lart, pas ndërrimit të jetës, drejt përjetësisë.

T’i japim atë që meriton këtij poeti të madh, erudit, që u skalit në vuajtjet e kohës së errët të tij, si ajo e Zogut, luftërat dhe ajo e komunizmit. Ai u mënjanua me elegancë, shumë mospërfillës për borizanët e partisë, siç tregon Kadare në ‘Ftesë në studio’, ai pranoi heshtjen gjatë mbretërise moniste, i vetëdijshëm që poezia e tij nuk do të ndryshkej kurrë. Ajo do të ndriçonte gjithnjë e më shumë, dhe si një arkë diamantesh, falas për njerëzimin, do të jetonte në psikikën e çdo lexuesi duke ngjallur ndjenja hyjnore.

Le t’i japim pra këtij nobelisti të munguar të Shqipërisë së vogël, atë që meriton: Vlerën e vërtetë, të një poeti largpamës, vizionar, të thellë, të pashkatërrueshëm, të përjetëshëm.

Please follow and like us: