Albspirit

Media/News/Publishing

Irani sulmon me raketa dy baza amerikane në Irak

Nuk ka lajme për viktima – Shtëpia e Bardhë thotë se Presidenti Trump po ndjek situatën

 

Irani ka sulmuar dy baza amerikane në Irak, duke qëlluar mbi 10 raketa balistike, kanë bërë të ditur sonte burime të Pentagonit.
Nuk ka lajme për viktima nga trupat amerikane, po një numër ushtarësh irakenë mund të kenë humbur jetën.
Bazat Al-Asad dhe Erbil strehojnë një numër ushtarësh amerikanë që shërbejnë në Irak.
“Është e qartë se këto raketa janë qëlluar nga Irani dhe kanë pasur në shënjestër dy bazat me ushtarakë amerikanë dhe personel të koalicionit”, saktësoi Jonathan Hoffman, zëdhënësi kryesor i Pentagonit.
Zbulimin e Pentagonit e ka pranuar edhe Ministri i Jashtëm i Iranit, Javad Zarif, që tha se sulmi nga Irani bazohet në Artikullin 51 të Kartës së OKB-së mbi bazat nga u sulmua Solejmani.
“Nuk kërkojmë përshkallëzim të luftës, por do të mbrohemi nga çdo agresion”, tha ai.
Disa zyrtarë iranianë kanë thënë se sulmet ishin fillimi i përgjigjes së premtuar për vrasjen e komandantit të Gardës Revolucionare, gjeneralit Kazem Solejmani.
Një burim nga Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se Presidenti Donald Trump është informuar dhe po vëzhgon situatën, duke u këshilluar me ekipin e tij të sigurisë kombëtare.
Agjensitë amerikane të kundërzbulimit kishin bërë të ditur gjatë ditës se janë rritur sinjalet e një sulmi të mundshëm mbi bazat amerikane, në Irak ose diku tjetër në Lindjen e Mesme.
Në dhjetor, Presidenti Trump vizitoi bazën në Al-Asad në udhëtimin e tij të parë pranë trupave në Irak.(Ruben Avxhiu).

Please follow and like us: