Albspirit

Media/News/Publishing

Alba BRAKA: BESIMI NЁ LIGJIN E TЁRHEQJES

Image may contain: night

Dihet se besimi është një nga ndjenjat më të veçanta që posedon një qenie humane. Besimi mund të ekzistojë mbi një njeri, por edhe në diçka fare abstrakte ose të paimagjinueshme. Unë besoj në ligjin e tërheqjes. Por ç’është ligji i tërheqjes? Ndryshe, ligjit të tërheqjes mund t’i referohemi edhe Univers a Zot. Në mënyrë praktike a teorike ligji i tërheqjes konsiston në tre hapa përdorimi: KЁRKO, BESO dhe MERR.

Duke i kërkuar Universit atë që do, kjo të jep mundësinë të kuptosh se çfarë do në të vërtetë. Kur t’i kesh idetë e qarta ke kërkuar. Beso nënkupton të veprosh, të flasësh dhe të mendosh sikur i ke marrë të gjitha ato që ke kërkuar. Merr nënkupton që të ndiesh mënyrën si do të dukesh pasi të jetë materializuar dëshira jote.

Mendimet janë shkaku parësor i gjithçkaje. Në qoftë se për një doktor, pacienti është mbret, për ligjin e tërheqjes mbreti je ti, mendimet e tua. Imagjinata është gjithçka. Ndjenja është ajo që krijon tërheqjen, jo vetëm imazhi apo mendimi. Një nga shprehjet që më pëlqen më së shumti në ligjin e tërheqjes është se ai thotë se “rruga më e shkurtër për çdo gjë që do në jetën tënde është të JESH e të NDIHESH i lumtur tani”!

Lumturia, ndjenja më e fuqishme humane si dhe energjia më e madhe që vë në lëvizje ligjin e tërheqjes.

Në një moment të leximit të këtij shkrimi mund të mendohet se ka vetëm fjalë dhe asgjë bindëse. Do të doja të ndaja një histori të shkurtër personale. Ishte periudhë dimri dhe unë po përgatitesha për provimin e mbrojtjes së gjuhës angleze. Pavarësisht përpjekjeve të mia për te dalë mirë në testet parapërgatitore, unë nuk mundja të kaloja asnjë provim. Isha në një gjendje psikologjike të rënduar dhe të lodhur. Në një moment arri të zbuloj për ligjin e tërheqjes në librin “SEKRETI”.

Vendosa ta testoj. Më lindi një dëshirë e madhe besimi dhe një fjalë nga mësuesja ime se unë mund t’ia dilja. Mora një copë letër dhe shkruajta: ”Unë e kam kaluar testin e anglishtes”. Duke e përsëritur shpesh këtë frazë, arrita që thellë brenda meje ta besoja si të vërtetë. E kreva testin dhe tashmë më mbetej vetëm të prisja për rezultatet. Unë vërtetë ia kisha dalë mbanë. Edhe pse kisha realizuar 35 teste parapërgatitore dhe tek të gjitha nuk kisha mundur të kaloja, në testin përfundimtar unë ia dola mbanë, madje me rezultate shumë të mira.

Pra, unë kisha praktikuar më së miri ligjin e tërheqjes.

Si përfundim, do të doja të thoja se pavarësisht se kujt mund t’i drejtoheni, një miku, një familjari, Zotit apo ligjit të tërheqjes, ne duhet të dimë se çfarë duam të realizojmë e të besojmë fort në të. Vendimet pozitive gjithnjë do të na shpien atje ku duam. Gjithçka ndodh për një arsye. Arsyen e kemi ne në dorë. Për të mos harruar që duhet të jemi gjithnjë mirënjohës. Siç ka thënë edhe Viktor Hygo: “Krimineli më i madh është mosmirënjohësi”.

Mos u bëj krimineli i mosrealizimit të arritjeve të tua.

Qëllimin tënd e përcakton ti vetë. Jeta jote mund të pikturohet me ngjyrat që do ti. Nëse disa ngjyra të mungojnë, përziej dhe krijo ngjyra të reja për të plotësuar tablonë tënde.

Fuqia ndodhet tek TI.

Please follow and like us: