Albspirit

Media/News/Publishing

Bardhyl Berberi: Dikur ishim fëmijë më të varfër, por më të ditur

 

Image result for bardhyl berberi

Bardhyl Berberi
Dikur nën rrobat të arnuara dhe sandalet e këpucë gjithë pluhur, ku në pjesën më të madhe te kohës i mbanim nën sqetull, pasi na kishin thënë se këto do kishim për një vit të tërë…

Bridhnim të lumtur rrugëve e shesheve për të luajtur:  Laheshim në lumë, në det apo liqen. Ashtu të lumtur, ku me barkun bosh e ku një copë bukë me sheqer e dy pika vaj sipër apo një kore buke me gjizë. Luanim shumë me një top llastiku, gëzonim shumë, mësonim shumë në shkollë… Por pa ditur e padashur se një ditë do rriteshim dhe do ndjenim keqardhje për fëmijërinë e këtij brezit të sotëm.

Sa keq më vjen që ju s’ia dini vlerën të ecurit zbathur në tokën e nxehtë, s’ia dini vlerën atyre atleteve prej lecke të prodhuara nga ‘NISH Goma’ në  Durrës që t’i blenin prindrit dhe ti më shumë i mbaje nën sqetull se sa veshur në  këmbë se mos të prisheshin dhe s’kishe me çfarë të shkoje në shkollë. Ju nuk ja u dini vlerën atyre petullave me pak lyrë që, të shijonin deri në palcë.

Ju jeni brezi i ‘Hamburger’ dhe ‘Coca Colës’, i pijeve energjike, i rrobave firmato të blera nëpër butiqet më të shtrenjta të Europës apo tek ‘Gabi’, ndërkohë që një shtresë tjetër i ka prindërit papunë apo me ndihmë sociale…  Sa keq që ju s’ia dini vlerën fëmijërisë e ky është krimi me i madh që ju kanë bërë prindërit.

Atëherë, në fëmijërinë tonë, ishte tepër e vështirë të gjeje një fëmijë analfabet, ose pashkollë, ndërsa sot gjen sa të duash si në fshat dhe në qytet… Është një ushtri lypsash apo ata që mbledhin kanaçe nëpër kontenierë dhe kanë mbetur pa shkollë, nuk dinë të shkruajnë dhe të lexojnë… E pra ky është një krim i madh që ka një kosto për të ardhmen e kombit tonë.

Gezuar një Vit të Ri të mbarë edhe për ju, fëmijët e babit të pasur, ku mami dhe babi paguajnë para deri nëpër universitete dhe kur ju nuk jeni në gjendje të kaloni t’iu blejnë një diplomë. Një takëm nga ju jeni inferiorë, lexoni me rrokje dhe kur shkruani bëni një shkronjë shtypi dhe një shkronjë dore. Habiteni dhe mendoheni pse nuk jeni të ditur:

– Po ju nuk lexoni një libër, nuk shikoni një film edukativ, kur të merr babi dhe mami në një shfaqje operistike juve ju zë gjumi dhe filloni dhe gërhisni.

– Ju sot keni plot salltanete, por s’keni atë që kishte brezi ynë dhe s’do i iki kurrë: shpirti i fëmijërisë, shoqëria e ngushtë, dashurinë për gjërat e vogla, por që ne kënaqeshim aq shumë.

– Gëzuar, o brezi i Iphonave e Smartphoneve, brezi i veturave tuaja luksoze të babit e diamanteve të mamit. Edhe ju që bëni pushimet në Karaibe dhe Majorka, Maldive…

– Gëzuar dhe ju o fëmijë, që keni prindërit bosa dhe me pushtet e thoni me plot gojën: Kemi kaq e aq vila, prona, llogari bankare dhe vetura luksoze, por keni shpirtin bosh. Ne atëherë kënaqeshim me përrallat e gjyshit dhe të gjyshes, ndërsa një pjesë nga ju e harxhon kohën bosh në internet duke u argëtuar me lodra pabukë.

– Ju nuk i afroheni kurrë fëmijërisë sonë të sinqertë. Ne kishim një dashuri të pakufishme për shokun dhe shoqen, motrat e vëllezrit. Në këtë kohën e demokracisë që ju që jeni rritur me motrat e vëllezërit takoheni vetëm në derën e gjykatave ku ndahen pronat, zireni me njëri-tjetrin dhe bëheni si thelë për në tenxhere…

– Një pjesë nga ju janë si një gramafon i prishur që orë e çast presin vetëm lëvdata boshe të pamerituara. Arti, letërsia, të ëmblat të hidhurat, eksperienca e jetës… të gjitha janë nëpër libra. Ju nuk lexoni asnjë libër, ju jeni katastrofë e vetes dhe fatkeqësia e të tjerëve. Prindërit tuaj kanë shumë para, por diçka thelbësore do t’iu mungojë gjatë gjithë jetës, do të ngeleni kokë bosh se sado para që të keni…

– Paratë e xhepit prishen një ditë, ndërsa paratë e mendjes që fitohen vazhdimisht me dituri ato ngelen për të gjithë jetën.

– Gëzuar, ju fëmijët e vërtetë, ku mes stërmundimeve të prindërve bëni një jetë normale. Gëzuar ju jetimë, që loti nuk iu pushon asnjë ditë, kur shikoni maskaradën e këtyre të sipërpërmendurve. Gëzuar o prindër që nuk iu ka humbur ende shpirti i fëmijës. Gëzuar çdo fëmije në këtë vend. Buzëqeshjet kurrë mos ua heqtë njeri, e zoti ju mbështeste aty ku pushtat duan t’iu rrëmbejnë ëndrrat.

E gjithë jeta, qoftë e brezit të ri, është forca dhe fuqia e një vendi. Ne vërtetë ishim të varfër, por ishim më të ditur se një pjesë nga ju që babi dhe mami ju blen gjithçka, madje edhe deftesën apo diplomën e shkollës, por nuk iu blen dot diturinë e vërtetë.

Edhe një herë, gëzuar!

 

 

 

 

 

 

Please follow and like us: