Për propalestinezët shqiptarë/Al Maliki në Beograd: Palestina në krah të Serbisë sa i përket Kosovës
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka takuar në Beograd shefin e diplomacisë së autoritetit palestinez, Riyad al-Maliki, i cili po qëndron për vizitë në Serbi.
Sipas një njoftimi të ministrisë së Jashtme të Serbisë, Daçiq ka shprehur mirënjohje për mbështetjen që palestinezët i kanë dhënë Serbisë në organizatat ndërkombëtare, duke mos votuar për anëtarësimin e Kosovës. “Ne i jemi mirënjohës Palestinës për mbështetjen parimore në lidhje me Kosovën, dhe kjo mbështetje është me rëndësi të madhe sepse Palestina është shumë e vlerësuar, jo vetëm në botën myslimane, por edhe në vendet e tjera”, ka thënë kryediplomati serb. Në njoftim thuhet se shefi i diplomacisë palestineze, Riyad Al Maliki, ka shfaqur mbështetje për qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës, duke thënë se ata (palestinezët) nuk mund të pranojnë asnjë pozicion që nuk është në përputhje me qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës. Daçiq dhe Al Maliki nënshkruan edhe disa marrëveshje bashkëpunimi. Daçiç, ka kujtuar se ish-Jugosllavia ishte ndër të parat “që njohu shtetin palestinez”, madje edhe para disa vendeve arabe. Më 2012, palestinezët kanë arritur të fitojnë statusin e “shtetit vëzhgues jo-anëtar” në OKB. Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara e patën kundërshtuar rezolutën. Palestinezët duan shtet të pavarur në Bregun Perëndimor dhe Gaza, me kryeqytet Jerusalemin Lindor. Izraeli kundërshton./REL/