Shaban Murati: Flluska plasi! Infantilët llomotitës, idiotë të dobishëm të Serbisë në Tiranë
Shaban Murati
Nuk u deshën më shumë se pesë ditë nga samiti i tretë në Tiranë i ithtarëve jugosllavë e filojugosllave të projektit të Serbisë ‘blloku ekonomiko-politik ballkaniko-perëndimor’, që të plaste fluska e samitit të mburravecërisë ballkanike për paqen dhe lirinë e madhe, që do të pjellë projekti serb me emrin e rremë ‘minishengen ballkanik’.
Në 27 dhjetor 2019 shërbimet sekrete serbe, institucionet shtetërore serbe së bashku me kishën serbe organizuan në Mal të Zi një përpjekje të re për grusht shteti, kur vërsulën brenda parlamentit të Malit të Zi forca radikale politike, paramilitare dhe fetare proserbe që të bllokonin funksionimin e parlamentit dhe ta ndalonin atë të miratonte ligjin e ri për liritë fetare dhe gjendjen juridike të komuniteteve fetare në Mal të Zi.
Parlamenti sovran i një shteti sovran po punonte normalisht për të miratuar një ligj sovran, që është e drejtë dhe kompetencë e tij legjislative, juridike, kushtetuese, etj., por Serbia me agjentët dhe priftërijtë e saj ndërhyri në mënyrë flagrante që me dhunë të bllokonte organin më të lartë legjislativ të shtetit fqinj. Ngjarja e 27 dhjetorit 2019 është ndërhyrja e dytë flagrante e shërbimit sekret serb, e kishës serbe dhe e institucioneve shtetërore serbe kundër sovranitetit dhe integritetit të shtetit të pavarur të Malit të Zi. Hera e parë ishte përpjekja për grusht shteti në 16 tetor 2016 në Podgoricë, e organizuar nga shërbimet sekrete serbe dhe ruse, për të rrëzuar qeverinë e ligjëshme të Malit të Zi dhe për ta ndaluar vendin të hyjë në NATO.
Implikimi i hapur dhe i drejtpërdrejtë i Serbisë tani kundër sovranitetit dhe integritetit shtetëror të Malit të Zi ka shpjegimet e veta. Shpjegimi kryesor është se me pavarësimin e Malit të Zi Serbia ka humbur sundimin, kontrollin dhe shfrytëzimin e Malit të Zi si një krahinë koloniale të saj. Serbia humbi kontrollin politik mbi Malin e Zi me pavarësimin e këtij shteti në vitin 2006. Serbia humbi kontrollin ushtarak mbi Malin e Zi kur ky shtet u anëtarësua në NATO në vitin 2017.
I vetmi instrument, që i ka mbetur Serbisë për të ruajtur ndikimin dhe kontrollin serb në Mal të Zi, është kisha ortodokse serbe, e cila ka uzurpuar drejtimin shpirtëror sovran të popullit malazez. Kisha dhe shteti serb po përpiqen për destabilizim të Malit të Zi nëpërmjet konfliktit fetar dhe këto ditë metropolia serbe ka krijuar njësite guerile të ‘mbrojtjes popullore’.
Ligji i ri për liritë fetare është një akt legjislativ sovran dhe e drejtë kushtetuese kombëtare, i cili kërkon të rivendosë pozicionin e duhur që i takon kishën ortodokse të pavarur të Malit të Zi dhe të kufizojë pushtetin e paligjshëm arrogant të kishës ortodokse serbe në Malin e Zi. Për shpjegimin e realitetit fetar në Mal të Zi duhet patur parasysh e vërteta historike, e cila nis që nga 1 dhjetori i vitit 1918 kur forcat ushtarake serbe pushtuan shtetin e pavarur të Malit të Zi dhe e aneksuan dhunshëm në shtetin e Serbisë. Shteti sovran i Malit të Zi ka ekzistuar si shtet përpara krijimit të shtetit të Serbisë.
Është e njohur historikisht se kisha ortodokse e Malit të Zi ka qenë një kishë e pavarur autoqefale dhe kombëtare malazeze që nga viti 1852 e deri në vitin 1918 të pushtimit serb. Statusin e Autoqefalisë kisha ortodokse e Malit të Zi e ka pasur shumë kohë përpara kishës ortodokse serbe. Serbia pushtoi dhe asgjësoi edhe shtetin malazez, edhe kishën ortodokse autoqefale malazeze, dhe i shpalli territore të saja.
Mali i Zi si shtet i pavarur, anëtar i OKB, i OSBE, i NATO-s, shtet kandidat i BE, etj. është në të drejtën e tij sovrane që të miratojë ligjet, që forcojnë shtetësinë, identitetin kombëtar dhe pavarësinë në të gjitha drejtimet, politike, juridike, mbrojtje, politikë e jashtme, fetare, kulturore, etj. Ligji i ri i miratuar nga parlamenti malazez dhe i dekretuar nga presidenti i këtij shteti koregjon një padrejtësi të madhe historike, që i është bërë popullit dhe kishës ortodokse malazeze.
Një nga kërkesat bazë të ligjit të ri është që komunitetet fetare duhet të provojnë me dokumente të periudhës para datës 1 dhjetor 1918 pronësinë e tyre mbi tokat, kishat, manastiret dhe objektet e kultit, të cilat kanë në përdorim tani. Tërbimi i kishës urzurpatore serbe është se ajo nuk disponon asnjë dokument pronësie përpara 1 dhjetorit 1918, pra përpara pushtimit të Malit të Zi nga Serbia. Ajo si pushtuese i ka grabitur tokat, kishat, manastiret dhe objektet e kultit nga kisha ortodokse malazeze dhe nga populli malazez. Kështu ajo do të detyrohet nga ligji dhe nga e drejta historike t’ia kthejë pronarit të ligjshëm, shtetit malazez, pronësinë falso, që mban forcërisht sot mbi tokat e xanuna me dhunën e pushtuesit.
Përtej humbjes së pronësisë dhe të fitimeve të mëdha që vjel nga objektet e kultit, kisha ortodokse serbe në Mal të Zi humbet statusin e kontrollorit të fuqishëm, megjithëse është kishë e huaj. Si kishë pushtuese, Kisha Ortodokse Serbe nuk njeh jo vetëm Kishën Ortodokse të pavarur të Malit të Zi, por nuk njeh as popullin malazez, as identitetin kombëtar malazez dhe as kombin malazez.
Me një fjalë, Kisha Ortodokse Serbe e konsideron Malin e Zi një krahinë serbe në të gjitha drejtimet. Kjo gjeopolitike fetare nuk është thjesht instrument i kishës ortodokse serbe, por është e vetë shtetit serb.
Kaq e instrumentalizuar është kisha serbe në Mal të Zi, sa që shteti dhe qeveria serbe në mënyrën më skandaloze u ngritën në këmbë jo vetëm kundër ligjit të ri për lirinë e fesë në Mal të Zi, por dolën hapur kundër sovranitetit dhe integritetit të organeve dhe të shtetit të pavarur të Malit të Zi. Presidenti serb Vuçiç, me një sjellje tipike kolonialiste, mori në telefon në 27 dhjetor krerët e frontit antimalazez, që tentoi grushtin e ri të shtetit në parlamentin e Malit të Zi, dhe i inkurajoi ata të vazhdojnë misionin se kanë mbështetjen nga Serbia. Është një ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të një shteti sovran dhe të një populli tjetër, kur presidenti serb mbështet zyrtarisht dhe publikisht rebelimin antishtetëror proserb.
Në datën 3 janar 2020 shërbimi sekret serb organizoi protesta radikale para ambasadës malazeze në Beograd, ku bandat fanatike serbe sulmuan me bomba ‘Molotov’ ndërtesën e ambasadës dhe dogjën flamurin malazez.
Një ndër parrullat, që mbanin të paguarit e shërbimit sekret serb, ishte ‘Milo Gjukanoviç, shqiptari’. Është interesante kjo parrullë për t’ua kujtuar levantinëve të Tiranës se shqiptarët janë etaloni i së keqes për Serbinë dhe ky është sistemi moral i ‘minishengenit serb’.
Që nuk është çeshtje fetare kjo që po ndodh rreth Malit të Zi, e tregon fakti që humbja e zotërimit të kishës ortodokse serbe në Mal të Zi po përjetohet si humbje gjeopolitike dhe fund i kontrollit të Serbisë në shtetin e lakmuar buzë Adriatikut. E tregon sidomos ndërhyrja dhe reagimi i paparë disproporcional shtetëror në Moskë.
Ministria e Jashtme e Rusisë me një komunikatë në datën 30 dhjetor 2019 shprehu “shqetësimin e saj të madh” për situatën e krijuar në Mal të Zi me miratimin e ligjit për lirinë e besimit. MPJ Ruse shqetësohet, siç shprehet në komunikatë, se akti i ri juridik i jep pushtetit malazez mundësinë që t’i marrë kishës ortodokse serbe 650 objekte fetare, që ndodhen në territorin e vendit, dhe t’ia japë kishës ortodokse malazeze.
Rusia shqetësohet, siç thotë komunikata, për presionin administrativ mbi kishën serbe me qëllim largimin e saj të plotë nga Mali i Zi. MPJ e Rusisë e përligj ndërhyrjen e saj në punët e brendshme të Malit të Zi me justifikimin se ligji i ri i miratuar e ngren këtë çeshtje në nivel ndërkombëtar.
Pra Rusia kërkon me këtë rast të ndërkombëtarizojë një çështje të brendshme të një shteti sovran, të verë në diskutim ndërkombëtar të drejtën e një parlamenti sovran dhe të një shteti sovran për të miratuar ligjet e jetës së tij të brendshme. Rusia nga ana tjetër shpall pretendimin e saj politik, diplomatik dhe strategjik për udhëheqjen e gjithë shteteve ortodokse në emër të unitetit ortodoks.
Rusisë i intereson strategjikisht influenca dhe kontrolli serb në Mal të Zi, sepse kisha ortodokse serbe është ushtar i kishës dhe i politikës ruse në Ballkan. Ndaj Rusia, shteti, diplomacia, kisha ruse dhe propaganda ndërkombëtare ruse mbështetën rebelimin antimalazez të kishës ortodokse serbe kundër të drejtës së popullit malazez për të qenë i pavarur dhe për të pasur kishën e tij të pavarur dhe autoqefale.
Rusia dhe kisha ruso-serbe po shprehin frikën se kisha ortodokse malazeze pritet të ndërmarrë hapin tjetër të ligjshëm të kërkesës për autoqefalinë e saj, njësoj siç veproi edhe kisha ortodokse e Ukrainës, e cila e mori tomosin e autoqefalisë nga Patriarkana e Stambollit.
Në rastin e kishës ortodokse malazeze e drejta e autoqefalisë nuk është kërkesë për një status të ri, por është rivendosje e një statusi të autoqefalisë, që kisha ortodokse malazeze e ka pasur përpara pushtimit serb në 1918. Shtetet e pavarura kanë kishat e tyre të pavarura dhe është ky proces pavarësimi dhe dekolonizimi i kishave kombëtare ortodokse, që shqetëson monopolin hegjemonist fetar të Serbisë dhe të Rusisë.
Tronditjet, që po pëson gjeopolitika fetare e Serbisë dhe e Rusisë në Ballkan, pengojnë përpjekjet e tyre për zgjerimin e influencës në rajon. Nuk është e rastit që Rusia dhe Serbia mobilizuan klakerët e tyre dhe tërë infrastrukturën propagandistike për të akuzuar Perëndimin dhe SHBA si nxitës të ligjit të ri për liritë fetare në Mal të Zi. Portali rus ‘zavtra.ru’ shkruante në 31 dhjetor se “strategjikisht dobësimi i kishës ortodokse serbe i intereson SHBA”.
Ndërhyrja brutale e Serbisë në punët e brendshme të Malit të Zi, duhet të tërheqë vëmendjen serioze të qeverisë dhe të institucioneve të specializuara të Shqipërisë. Duhet të tërheqë, sepse në Mal të Zi jeton në trojet e veta një komunitet i rëndësishëm shqiptar, interesi jetik i të cilit është largimi i çdo lloj kërcënimi serb ndaj pavarësisë së shtetit malazez. Duhet të tërheqë vëmendjen, sepse Mali i Zi është shtet fqinj anëtar i NATO-s, interesat e sigurisë të të cilit lidhen ngushtë me ato të Shqipërisë, sepse i përkasin të njejtës aleancë dhe të njejtës arkitekturë atlantike të sigurisë.
Duhet të tërheqë vëmendjen e Tiranës dhe të mos harrojë pa investiguar përse nga organizatorët serbë dhe rusë të përpjekjes për grusht shteti në Podgoricë në 16 tetor 2016 ishte planifikuar kalimi nëpërmjet territorit të Shqipërisë i disa grupeve subversive pjesëmarrës në atë përpjekje.
Qeveria e Shqipërisë nuk duhet të mbyllë sytë përballë fenomenit të rrezikshëm të ndërhyrjes gjithnjë e më të hapur në Shqipëri të kishës ortodokse serbe në Mal të Zi, e udhëhequr nga peshkopi i zi Amfilohije, një ultranacionalist serb dhe antishqiptar patologjik, i cili disa herë ka provokuar në Shkodër me rivendikime territoriale për qytetin, me pretendimet se Serbia ka çliruar Shqipërinë, se ushtarët e vrarë serbë duhet të kenë memorialet e tyre këtu njësoj si ushtarët grekë, etj.
Qeveria e Tiranës, në vend që ta kishte shpallur prej vitesh ‘persona non grata’ këtë prift fashist, gjë të cilën ua kam drejtuar si kërkesë që në vitin 2011,(‘Ballkani Faustian’,fq.137), vazhdon të lejojë hyrjen e tij në Shqipëri. Rasti i fundit është vizita dhe bisedimet e priftit serb Amfilohije me kryepeshkopin e Kishës Ortodokse të Shqipërisë, Anastasios Janullatos, në Tiranë në 2 dhjetor 2019. Asgjë nuk u njoftua për përmbajtjen e bisedimeve të tyre, por burime të ndryshme bëjnë të ditur se Amfilohije po bën presion që Kisha Ortodokse e Shqipërisë të mos e njohë Kishën Ortodokse të Pavarur të Malit të Zi.
Ndërhyrja brutale e Serbisë në punët e brendshme politike, legjislative, administrative dhe fetare të Malit të Zi është tregues domethënës i përmbajtjes dhe i strategjisë së vërtetë të projektit të ri serb të bllokut ballkaniko-perëndimor me emrin e rremë ‘minishengen’. Serbia kërkon të imponojë hegjemoninë e saj në shtetet pjesëmarrëse të këtij blloku. Nuk është rastësi që Serbia nuk është pajtuar kurrë me pavarësinë e shtetit të Malit të Zi dhe as me pavarësinë e Maqedonisë së Veriut, të cilat nacionalizmi serb i konsideron si krahina të vetat perëndimore dhe jugore.
Serbia nuk njeh as Kosovën. Serbia injoron pavarësinë e Bosnjë-Hercegovinës dhe ushqen separatizmin e ‘Serpska republikës’. Projekti serb i bllokut ekonomik ballkaniko-perëndimor synon të ringjallë raportet e metropolit, që Serbia kishte me republikat në ish-federatën jugosllave, ku tani po hyn me entusiazëm qeveritar edhe shteti, të cilin Beogradi e aspironte para 75 vitesh si republika e shtatë e Jugosllavisë.
Infantilët, që llomotisin për katër apo katërmbëdhjetë liritë e shportës serbe të bllokut të ri, mjafton të shohin se ç’po bën Serbia në Mal të Zi për të kuptuar skemën reale hegjemoniste të projektit serb. Tirana duhet të hapë sytë dhe të shohë se Serbia aktualisht ka marrëdhënie të acaruara dhe tensione me Kroacinë dhe presidenti i ri kroat i sapozgjedhur në 6 janar, kur ka qenë kryeministër e ka përkufizuar Serbinë ‘një shtet mizerabël’.
Serbia i ka çuar marrëdhëniet me Malin e Zi në pikën më të ulët që nga pavarësimi i këtij shteti. Serbia ka marrëdhënie të acaruara dhe provokon tensione prej 20 vitesh me rradhë me Kosovën. Serbia ka marrëdhënie të acaruara me Bosnjë-Hercegovinën. Të gjitha tensionet rajonale kanë emërues të përbashkët ambicjen e Serbisë për hegjemoni në Ballkanin Perëndimor ose në ‘Jugosllavinë e re’. Nëse Serbia kërkon t’u imponojë statusin e kolonisë Malit të Zi, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, përse vallë do të bëjë përjashtim për Shqipërinë?
Këtë e ëndërrojnë vetëm idiotët e dobishëm të Serbisë në Tiranë./gazeta dita/