Xhoi Jakaj: Pse një adoleshent dhe një i ri kthehet në vrasës?
Kronikat e vrasjes makabër nga tre të rinj ishte në të gjithë edicionet e lajmeve, faqet e para të gazetave dhe portalet online.
Deklarimet e policisë gjatë kohëve të fundit flasin për një numër të madh krimesh që kryhen nga të mitur e adoleshentë, të rinj që pa një pa dy marrin jetën e një moshatari apo të një njeriu që e fusin në rrethin e tyre për ta grabitur e pastaj vrarë.
Statistikat e shumta të Policisë së Shtetit tregojnë shifra alarmante të të rinjve që kryejnë krimin e vrasjes.
Rritja e numrit të të rinjve që përfshihen në konflikte të tilla me ligjin, të cilët fatkeqësisht tashmë janë kthyer në “vrasës gjakftohtë”, vihet re edhe në përsëritjen e vrasjeve të të njëjtit lloj. Përballë një fakti të tillë të gjithë bëjnë pyetjen: “Pse po kryejnë vrasje tê rinjtë tanë”? Kjo pyetje nuk mund të marrë një përgjigje të thjeshtë.
I gjithë fenomeni ëshë kompleks dhe shpjegimi i tij është shumë i vështirë. Lë të ndalemi për një moment e të shpjegojmë se cilët janë faktorët kryesorë që e bëjnë një të ri vrasës gjakftohtë.
1. Ambjenti social ku rriten dhe formatohen
Vendi ynë, prej 30 vitesh ndodhet ende në tranzicion; një tranzicion aq i gjatë saqë është bërë kaotik e rraskapitës për të gjithë.
Teksa të gjithë e kanë përqëndruar vëmendjen në respektimin e të drejtave të njeriut (të fëmijëve në veçanti), demokratizimit, liberalizmit dhe në ofrimin e asaj çka sistemi i mëparshëm nuk ia lejoi apo mundësoi brezit të prindërve të sotëm, një pjesë e rëndësishme e normave të domosdoshme për mirëfunksionimin e shoqërisë janë lënë në harresë ose janë “hedhur tej” si dekadencë e viteve të shkuara. Ndërkohë të gjithë përqëndrohen në “mirë-funksionimin” e qeverisjes politike, reformën zgjedhore, në konferenca të ndryshme të gjithë farë llojshme, fëmijët, në një mënyrë a një tjetër, janë lënë në harresë, në atë harresë ku nuk iu kushtohet vëmendje miqve e shokëve të tyre, mbarëvajtjes së tyre në shkollë, orëve të gjata të shpenzuara nëpër kafenetë e shumta e aq më pak vëmendje i kushtohet kulurës degraduese që ata manifestojnë çdo ditë.
2- Dhuna në familje
Shoqëria shqiptare në shumë familje kryesisht në zonat rurale kërkon të ketë një baba autoritar e të ftohtë për të mbajtur “frerët” e shtëpisë në dorë.
Një baba që jashtë dyerve të shtëpisë është një njeri me sjellje të pëlqyeshme, i respektueshëm nga të gjithë por, që brenda dyerve të shtëpise vjen edhe me konsum alkooli tej normave njerëzore, fyen (e madje edhe godet) bashkëshorten e tij në sy të fëmijëve, e kur kjo e fundit e konsideron normale këtë sjellje, burri i saj fillon e bën të njëjtën gjë edhe më fëmijët e tyre.
Në këtë moment gjithçka është kthyer përmbys. Pasojat e një “stili” të tillë jetese rrënjosin ndenja negative në psikologjinë e fëmijës dhe çorjentojnë formimin e personalitetit të tij, ai fare lehtë këto sjellje i demostron jashtë shtëpisë në ambientet që frekuenton.
3. Mungesë e theksuar shkollimi në familje dhe pamundësi zhvillimi të inteligjencës pozitive
Rendja pas parasë e të mirave materiale e ka lënë në hije rëndësinë e arritjes së tyre nëpërmjet “punës së ndershme” siç ne shqiptarët quajmë çdo punë që arrihet nëpërmjet një formimi të caktuar të edukimit e zhvillimit të intelektit.
Në një mjedis të tillë inteligjenca pozitive nuk njihet aspak si koncept (në fakt një pjesë e mirë e shoqërisë sonë e di fare mirë se çfarë mund të quhet inteligjencë negative), por pasurimi në rrugë të paligjshmë më së shumti dëmton dhe çorienton të rinjtë.
4. Abuzimi seksual
Të qenurit i abuzuar seksualisht në fëmijëri nga një i njohur, familjar, apo në ndonjë institucion tjetër ku ka kaluar fëmijërinë (fondacion apo qendër e përkujdesjes rezidenciale) ndryshon tërësisht rrjedhën normale të jetës për një fëmijë.
Fatkeqësisht në shumicën e rasteve e kthen këtë fëmijë në një abuzues, dhunues, përdhunues e vrasës në të ardhmen.
5-Varfëria
Varfëria e tejskajshme po i orienton drejt vjedhjeve e grabitjes të miturit e adoleshentët, të cilët herët a vonë do të shndërrohen në vrasës.
Lakmia për të fituar sa më shumë pa u munduar të punojnë do të sofistikojë grabitjet e tyre e do t’i detyrojë edhe të vrasin pa u menduar.
6-Përdorimi i drogërave të ndryshme
Është bërë e zakonshme që të dëgjosh edhe fëmijë 12-vjeçarë të cilët me krenari thonë se kanë provuar hashash. Në një kohë ku çdo drogë e mundshme qarkullon pa më të voglin problem e ku një pjesë e mirë e “shitësve të pakicës” janë të mitur sigurisht që do t’i çojë këta fëmijë edhe në rrugën e vrasjes, qoftë për një “pazar të keq”, qoftë për të siguruar drogë për përdorim, qoftë për të “ngjitur” shkallët e karrierës kriminale.
7- Abuzimi në formën e “bullizmit”
Abuzimi në formën e “bullizmit” në vegjëli, kryesisht në shkollë ose në lagje, i kthen në vrasës serialë në formë hakmarrjeje; statistikat kanë treguar se shumica e atyre femijëve të bulluar në fëmijëri kanë të gjithë tendencë të kthehen në dhunues dhe vrasës kur të rriten.
8-Trashëgimia gjenetike
Shumë njerëz mund edhe të mos e pranojnë si faktor gjenetikën për sjelljet kriminale, por është e vërtetë se genet e këqija të zhvilluara si pasojë e ndërthurjes së pemës gjenealogjike e faktorëvë të tjerë biologjikë me faktorët socialë e mjedisorë prodhojnë vrasës, e në rastin fatkeq që në fëmijëri.
9. Koncepti i “respektit”
Përgjatë viteve koncepti i “respektit” ka evoluar në kulturën e të rinjve. Respekti, në psikologjinë e tyre, arrihet nëpërmjet konkurencës me njëri – tjetrin dhe zhvillimi i psikozës së të fortit ndërton modele të pamposhturish në inkoshiencën e tyre.
Ideja se “respekti” është një pronë, një e drejtë ose një “ofertë” e kushtëzuar i ka shtyrë të miturit të vrasin për të mbrojtur një ndjenjë të nderit që kurrë nuk mundën ta fitonin ose meritonin.
10. Zbatimi i dobët i ligjit
Zbatimi i dobët i ligjit dhe pamjaftueshmëria e qendrave rehabilituese për minorenët që përfshihen në përdorimin e dhunës, vjedhjes, konsumimit të hashashit apo drogërave të tjera që vitet e fundit janë shtuar ndjeshëm.