Albspirit

Media/News/Publishing

Avdulla Kënaçi: LIRIDONA

Image result for avdulla kenaci

Tregim

Pjesa e parë

Shkak për njohjen me Shabiun u bë pema e mollës që unë kam në kopsht. Realisht së bashku na lidh diçka tjetër, librat dhe jo kopshti. Nuk më pëlqen t’i huaj ato, aq më tepër këtu në Kanada ku unë jetoj prej njëmbëdhjetë vjetësh. Më besoni, ai më zuri ngushtë. Refuzoi të marrë shpërblim për krasitjen e mollës, veç më kërkoi hua një libër të zgjedhur shqip. Dhe unë ia dhashë me mëdyshje. Pas një jave ma ktheu dhe kërkoi tjetër e kështu me radhë. Nuk u ndal më. Është tepër korrekt dhe kjo mua më mjafton. Them se jemi bërë miq. Pas leximit, atij i pëlqen të bisedojmë për subjektin dhe unë nuk ia prish, ose më mirë rrekem të kuptoj se si i koncepton ai ngjarjet, lojën e shkrimtarit dhe mesazhet që përcillen përmes kapitujve.

Ja tek u duk përsëri. Pak i zbehtë në fytyrë dhe me vështrim të shpërqëndruar. Ndoshta ka punuar me orar të zgjatur, mendova. Thuajse ecte duke u lëkundur. Nisa të vras mendjen se cilin libër tjetër duhet të zgjidhja në vazhdim. Bëra të ngrihem nga karrigia portative, por ai ma bëri me shenjë të mos lëvizja. Më tha se kishte dëshirë të rrinim në verandë, aty ku më gjeti.
– Ke më nga ai konjaku ‘Skënderbeu’, kam nevojë të mbledh trurin, – tha i dëshpëruar.
– Janë mirë në Kosovë, ke kohë që ke folur me prindërit? – pyeta i merakosur. Nuk e kisha pare kurrë në këtë gjendje. U përpoqa të rrëmoj në trurin e tij. Por ai nuk më la të mendoja gjatë.
– Më braktisi Liridona, – tha me zë të dridhur dhe me dorën e djathtë bëri ca lëvizje të pakuptueshme në ajër.
– Liridona? Mos more, nuk më besohet… Po si kështu? Kishte ndonjë arësye? – pyeta unë i habitur.
– Arsye? Kurrë nuk i kam kuptuar gratë, aq më tepër këto në Kanada, – u përgjigj Shabiu duke përplasur buzët. Pata idenë se i kërcitën nofullat. Bëra një përpjekje për ta zbutur situatën:
– Shiko, ju kosovarët kini dorë mbi gratë, mos e ke zhdëpur në dru? Si ka mundësi të të braktisë kështu, pa pritur e pa kujtuar?
– Iku me atë piktorin prej Tirane, atë maskarain, atë mashtruesin, Genti Kodrën.
– Po ti sikur më ke thënë se ai është në moshën e babait të saj, – shtova unë.
– Kjo më habiti edhe mua. Pse pikërisht me atë? Gjithë natën nuk kam vënë gjumë në sy. Mendova se ishte një kërcënim i zakonshëm i saj, një shaka dhe ajo do të kthehej përsëri. Sot më mori në telefon dhe më dha ultimatumin. Më jep një javë kohë të gjej banesë tjetër.
– Shtëpia është mbi emrin e saj? – e pyeta unë duke dashur të sqaroj këtë pikë të rëndësishme në marrëdhëniet e tyre.
– Po, mbi emrin e saj. Banesën ia kanë bërë dhuratë vëllezërit.
– Ke folur me ta?
– Asnjeri prej tyre nuk ma hap telefonin. E di, ata lozin mënç pas saj, e shohin si shenjtore, as duan t’ia dinë për mua. Vetëm atë besojnë. Edhe më parë, si me shaka më thërrisnin “kollovar”.
***
Vras mendjen të gjej se çfarë arësye të fortë ka patur Dona, siç i thërrasin në Kanada, që ka arritur deri këtu, tek ndarja? Nuk e gjej dot. E njoh prej kohësh si vajzë të ekuilibruar. Gjithnjë ka rënë në sy gjatë mbrëmjeve me shqiptarët, sidomos në festat e Nëntorit kur ajo vishet me kostum popullor dhe del në krye të manifestuesve me flamurin kombëtar. Të jep përshtypjen se është ende një adoleshente. Kjo për arësye të fytyrës së saj të imtë dhe atyre flokëve që i mban shkurt, model kalipso, me baluke mbi ballë. Flet bukur anglisht dhe gjithnjë televizionet atë intervistojnë. Pastaj vijnë eventet kur ajo bën rolin e moderatores. E guximshme, e butë, e çiltër dhe brisk nga goja, pa komplekse dhe e përzemërt me të gjithë. E kush nuk e njeh Donën, madje edhe unë që dal rrallë nga shtëpia. Kam folur me të disa herë. Kam formuar bindjen se është racionale dhe e përpiktë, shumë më e pjekur për moshën që ka. Tek portreti i saj mbizotëron harmonia, mëndjehapur, elegante, e ndjeshme dhe delikate njëkohësisht. Ma ka rrëfyer vetë jetën e saj. E kujton si një ëndërr shpërnguljen, më saktë dëbimin me forcë nga Kosova.
Ishte kohë lufte. Udhëtimi ishte kryesisht natën, thotë ajo, brenda karrocerisë së një rimorkio të mbuluar me mushama që tërhiqej prej një traktori. Familja e saj me katër vëllezër, dy pleq dhe disa bashkëfshatarë kishte tri ditë që udhëtonte përmes rrugëve me baltë ku dukeshin gjurmët e tankeve, kamionëve dhe këmbësorëve. Herë pas here dëgjoheshin krisma armësh, britma militarësh dhe rënkime njerëzish. Sa herë dëgjonte shpërthime, Liridona zhytej midis thasëve me tesha, sup më sup me vëllezërit. Ata të gjithë ishin me trup të imtë dhe dukeshin më pak se sa mosha që ishin në të vërtetë. Vinin njeri pas tjetrit. Liridona ishte më e vogla, as gjashtë vjeçe. Siç mësoi më vonë, që ata të kalonin, gjyshi paguante militarët serbë në çdo postabllok. “Shporruni sa më shpejt në atdheun tuaj”, bërtisnin militarët në gjuhën serbe pasi merrnin markat gjermane.
– Paraja e bardhë, për ditë të zezë, – thoshte gjyshi plak kur largohej prej tyre. Ai pranonte ta shanin, godisnin me qytë të automatikut, ta poshtëronin, ama vetëm fëmijët dhe gruan të mos ia preknin. Dhe ia doli, duke i shpëtuar të gjithë. Kur kaloi kufirin shqiptaro-shqiptar, zbriti nga traktori, u ul në gjunjë, puthi tokën dhe thirri me të madhe:
– Merrni frymë lirisht, mbërritëm në Shqipni, tash nuk ka ma militarë serbë. Jemi të lirë…
Jehona e zërit të tij u përplas në shpate malesh duke u përzier me gjëmimin e aeroplanëve të NATO-s që vinte si një bekim nga qielli. Bashkëfshatarët dhe të pesë fëmijët flakën mushamanë gri dhe u ngritën me rrëmbim në këmbë. Ishin të palarë, të uritur, por të gëzuar. Kishin mbetur gjallë, kishin shpëtuar nga lufta kur shumë të tjerë ishin vrarë e coptuar. Falënderuan Zotin.
Në Shqipëri kishte qetësi, por shumë varfëri. Vendasit ishin të dashur e të përzemërt. I pritën sikur të njiheshin prej kohësh së bashku, i pritën si vëllezër e motra të një gjaku e të një gjuhe. Kudo fliej vetëm shqip. Familjet kosovare për tre muaj qëndruan në një apartament në Plazh të Durrësit gjer kur babai i tyre mbërriti nga Kanadaja dhe i tërhoqi të gjithë, me përjashtim të pleqve. Ata nuk pranuan, u kthyen në Kosovën e lirë, pa pushtues, së bashku me traktorin. U ndanë me lot në sy, por ishin të lumtur që do të ktheheshin në trollin e tyre të trashëguar brez pas brezi.
***
Kanadaja ndryshonte nga Kosova dhe Shqipëria. Nuk kishte male fare, nga të katër anët e horizontit vetëm qiell dhe gjelbërim. Kupa e qiellit këtu ngjante më e madhe se sa në vendlindje. As gur, asnjë letër përtokë, vetëm fusha me bar, pyje, parqe dhe ujëra të ëmbla, rrugë të gjera dhe shumë makina. Nga vinin e ku shkonin tërë ajo mizëri makinash? Ai që Liridonës iu duk si deti në Durrës, qënkishte liqeni i Torontos, pa anë e pa fund. Gjithkush këtu qarkullonte pa zhurmë e bujë, secili në punën e vet. Njerëz nga të gjitha ngjyrat dhe racat e botës. Vend më i qetë e paqësor nuk gjendej i dytë mbi dhe. Punë krahu kishte sa të duash. Babai punonte shumë në një kompani pastrim-gjelbërimi, madje edhe të shtunën e të dielën. E shihnin vetëm fare pak në mbrëmje. Vëllezërit u regjistruan të gjithë në kampet verore, ndërsa Liridona mbeti me të ëmën në shtëpi. Gjithë ditën shikonte në televizor filma me kukulla ose luante në oborr me lodra që ia kishin dhuruar fqinjët.
Erdhi shtatori dhe ajo u regjistrua në klasën e parë në një shkollë publike afër bllokut ku jetonin. Vëllezërit kujdeseshin për të edhe kur shkonin, edhe kur ktheheshin nga shkolla. Ishte më e perkëdhelura, më e privilegjuara në familje. Koha ecte si pa kuptuar dhe në çdo vit ajo ngjante më e bukur, trupdrejtë dhe e shkathët, si një lastar në lulëzim. Vëllezërit, sa mbushnin moshën 18 vjeç, njeri pas tjetrit linin shkollën dhe punonin me të atin në ndërtim, ndërsa për Liridonën babai tha se ajo duhet të merrte diplomën e shkollës së lartë. Duhet të kishin edhe ata në familje një pjestar të diplomuar në Universitet. Kur ishte në vit të dytë të shkollës së mesme, Liridona u aktivizua me grupin e valleve popullore të shoqatës shqiptare. Binte në sy midis moshatareve për bukurinë dhe shkathësinë. Në çdo aktivitet e shoqëronte një nga vëllezërit. Gjatë pushimeve të verës çdo herë kthehej në Kosovë. E merrte malli për gjyshin e gjyshen, por edhe për fshatin. Në vitin e dytë të shkollës së lartë u njoh me Shabiun. Ai punonte në një nga ministritë e qeverisë së re në Prishtinë. Kishte mbaruar për agronomi në Universitetin e Kamzës në Tiranë. Thoshnin se kishte qenë studenti më i mirë i kursit. Halla e tij, e martuar brenda fisit të Liridonës, sa herë e shikonte, i afrohej, e përqafonte përzemësisht dhe nuk linte rast pa i vënë në dukje se ajo shkonte si çift me nipin e saj, Shabiun. Më në fund Liridonës nuk iu durua:
– Ku e di ti që unë nuk kam një të dashur në Kanada? Pastaj Kosova ka vajza të mira e të bukura sa të duash, sidomos Prishtina ku ai punon, – iu përgjigj ajo fare lirshëm e sinqerisht.
– Unë e kam për të mirën tënde, Liridona.
– Ka ikur koha e shkuesive, unë jam rritur ndryshe. Nuk më pëlqejnë këto krushqi të llogaritura. E zemë se yt shoq, kushëriu im i parë, të ndau, atëherë i bie ta prish edhe unë familjen, – iu përgjigj ajo prerë.
Pas asaj bisede, halla e Shabiut nuk u bë më e gjallë, por kur Liridona pas diplomimit u kthye përsëri në Kosovë, dy shoqe të saj e ftuan për të kaluar një javë pushime në bregdetin e Ulqinit. U habit si aty u ndodh edhe Shabiu me familjen e vet. Qyteti i Ulqinit është si një hinkë që zbret në det. Flitet vetëm shqip. Një apo dy herë në ditë do të përplasesh me gjithë pushuesit, kryesisht shqiptarë nga Kosova. Shabiu nuk ia ndante sytë asaj për asnjë çast, në rrugë, në det, në lokalet e mbrëmjes. Nganjëherë ai afrohej tek vajzat me justifikimin se do të përshëndetej së afërmi me shoqet e saj. Ishte një djalë i urtë e i sjellshëm. Nuk e ngrinte kurrë zërin. Kishte ca sy të zinj në formë bajame. Sa herë e shihte përballë, Liridonës i kujtonte Kanadanë dhe sytë e ketrave si kokrra kafeje të pjekur. Buzëqeshte. Ai kishte trup të drejtë, mollëzat e faqeve pak të dala dhe flokë gështenjë, fare pak me onde.
– Ky djalë qenka i bezdisur, – u tha ajo dy shoqeve kur për herë të tretë Shabiu po paguante akulloret që ato kishin porositur.
– Sa të shoqërohemi me ty, – tha njera prej tyre me të qeshur – akulloret do t’i kemi falas. Shabiut i ka rënë në kokë për Kanadanë.
Liridona u skuq gjer në rrëzë të veshëve, por nuk tha asgjë. I erdhi turp që shoqet e paskishin mësuar qëllimin e mtuesit, por nuk e dha veten. Shkoi tek banaku, pagoi dhe i tha kamerierit t’i kthente paratë mbrapsh “atij djalit atje që ishte kthyer me kurriz”. Asnjera nga shoqet nuk foli. Vërtetë ai djalë e kishte tepruar.
Nuk mbaron këtu historia. Gjyshi, për të cilin ajo ndjente debulesë, sa u kthyen në fshat, e thirri veçmas. E afroi pas vetes, i perkëdheli flokët me përzemërsi dhe i tha me një zë të ngrohtë e miqësor:
– E mira, e bukura e gjyshit, zana e maleve, Liridona, gjyshi ka një maraz të madh për ty; dua të martohesh me një shqiptar nga Kosova. Ai djali që punon në Ministri është nga familje e mirë. Kam pyetur shumë për të. Ka shkollë të lartë si edhe ti. Pa mendoje edhe një herë. Nuk pritet lisi me një të rënë të sopatës. Unë me sot e me nesër jam. Dua të të shoh nuse sa më parë.
– Ta mendoj, gjysh, – iu përgjigj ajo pa dashur ta lëndojë. Kujtoi tri ditët e tmerrshme të eksodit dhe rrezikun që ai hoqi mbi shpinë duke çarë me guxim përmes tankeve dhe militarëve serbë. Familjes nuk iu prek asnjë fije floku. Të nesërmen, duke kaluar një natë me ëndërra të ngatërruara, gati pa gjumë, pas shumë dilemash, u përgjigj: “Pajtohem me propozimin tuaj megjithse nuk jam shumë e bindur”.
***
Pata ndjesinë se midis meje dhe Shabiut, në heshtje, kishte kaluar mjaft kohë e gjatë. Rrezet e diellit përthyheshin në mijra shufra të arta në morinë e gjetheve të mollës. Një fllad i lehtë fryu nga ana e veriut dhe fletët nisën të pëshpërijnë si nxënësit në pushimin e gjatë të drekës. Vura re gotën e tij të konjakut; ajo ishte shkulluar deri në pikën e fundit. Ia mbusha përsëri.
– Tani më thua, mik i dashur, çfarë hyj unë në këtë mes, këto janë probleme të brendshme familjare? – e pyeta me mëdyshje.
– Ashtu është, por këtu jemi në vend të huaj. Mendoj se duhet ta qortosh piktorin, po më shkatërron familjen. Gjithnjë kam dyshuar tek miqësia e Liridonës dhe atij, por në fund të fundit jemi shqiptarë. Edhe miqësia ka një kufi.
– Je i sigurtë se mbrëmë Liridona ka shkuar tek ai?
– Jo, por dyshoj, të mos them jam plotësisht i bindur.
– Nuk ta ta jap fjalën, do ta mendoj, ndoshta bëj diçka, – iu përgjigja shkurt e prerë.
Pastaj e përcolla deri tek porta e kopështit. E ndoqa me sy duke ecur drej makinës së tij të cilën e kishte lënë në anë të rrugës. Me ata supet e tij të rënë e të varur, më ngjau se ishte plakur më shumë nga çfarë e kisha vënë re në herët e tjera.

Pjesa e dytë

Pata ndjesinë se midis meje dhe Shabiut, në heshtje, kishte kaluar mjaft kohë e gjatë. Rrezet e diellit përthyheshin në mijra shufra të arta në morinë e gjetheve të mollës. Një fllad i lehtë fryu nga ana e veriut dhe fletët e gjelbra nisën të pëshpërijnë si nxënësit llafazanë në pushimin e drekës. Vura re gotën e tij të konjakut; ajo ishte çkulluar deri në pikën e fundit. Ia mbusha përsëri.
– Tani më thuaj, mik i dashur, çfarë hyj unë në këtë mes? Këto janë probleme të brendshme familjare, – e pyeta me mëdyshje.
– Ashtu është, por këtu jemi në vend të huaj. Mendoj se duhet ta qortosh piktorin. Po më shkatërron familjen. Të jem i sinqertë, gjithnjë kam dyshuar tek miqësia e Liridonës me Genti Kodrën, por në fund të fundit jemi shqiptarë. Edhe miqësia ka një kufi.
– Je i sigurtë se mbrëmë Liridona ka shkuar tek ai?
– Jo, por dyshoj, të mos them jam plotësisht i bindur.
– Më dëgjo me kujdes, – i thashë unë duke e zbutur pak tonin – nuk ta jap fjalën, do ta mendoj mirë. Ndoshta bëj diçka, – iu përgjigja shkurt e prerë.
Pastaj e përcolla deri tek porta e kopshtit. E ndoqa me sy duke ecur drejt makinës së tij të cilën e kishte parkuar buzë rrugës. Me ata supet e tij të rënë e të varur, pak i kërrusur, më ngjau se ishte plakur më shumë nga çfarë e kisha vënë re gjatë takimeve të herëve të tjera.
Hekuri rrihet sa është i nxehtë, mendova. Kjo punë nuk pret. Vërtetë ta ketë bërë këtë proçkë piktori, patrioti im? Dreqi ta marrë, me të nuk kam bërë asnjë bisedë për të qenë. E kam takuar në shoqatë së bashku me të tjerët. Ai më ftoi dikur të vizitoj studion e tij, por unë mendova se donte të më shiste ndonjë punë dhe hezitova të shkoj. Rrëmova blloqet e shënimeve mos e kisha diku të regjistruar numrin e celularit të tij, por nuk e ndesha asgjëkundi. Thua të jetë fajtor dhe shkak për ta prishur këtë familje? Nuk më besohet. E po një piktor me emër, një artist, ka një farë dinjiteti, nuk mund të sillet si një halabak. Migjithatë gjithçka mund të ndodhë. Pa dale, u kujtova, pse duhet ta shqetësoj atë, më mirë të takoj Liridonën. Ah, po, ajo punon në bankë në seksionin “kujdesi për klientin” dhe unë mund ta takoj lirisht. Sa është ora? Tre e mbasdites. Kam një orë kohë për ta gjetur. Duke llogaritur trafikun, maksimumi për dyzet minuta jam aty.

Gjatë rrugës po mendohesha si do ta nisja fjalën. Vallë do të më priste Liridona në bisedë apo do të më tregonte rrugën nga kisha ardhur. Mendova se nuk mund të ndërmerrja asnjë veprim, nuk mund të bëja asnjë hap pa mësuar të vërtetën. Im at, ndjesë pastë, përsëriste vazhdimisht: “Nuk bëhet ashtu, dëgjo një e gjyko dy. Duhet t’i dëgjosh të dyja palët”.
***
Liridona është vërtetë një vajzë për së mbari. Sa më pa tek porta e bankës, buzëqeshi, ma bëri me dorë të afrohesha.

“Me çfarë mund t’iu ndihmoj?” më pyeti në anglisht.

I thashë në shqip se nuk ishte punë banke, por duhet të bisedonim diku jashtë, ndoshta në ndonjë kafe. “Okej, tha, prit t’i marr lejë menaxherit, duhen edhe tridhjetë minuta të mbyllet orari i punës”.

Jo, i thashë unë mund të pres tek “Second cup”, përballë.

Dola, shkova tek kafja dhe zgjodha një tavolinë të veçuar. Ka kudo shqiptarë, mendova, më mirë të jemi larg klientëve të tjerë. Pas pak e vura re përmes xhamit që po nxitonte hapat për tek unë. Nuk kishte mejkap në fytyrë, as unaza në gishtërinj. Shikimet tona u kryqëzuan disi kureshtarë. Si ta nisja bisedën? Kur më pyeti përse isha munduar në atë takim, ma lehtësoi barren e thyerjes së akullit.
– Ne shqiptarët jemi pak këtu, më pak se tërë komunitet e tjerë. Edhe si komb jemi shumë të vegjël e të coptuar. Për shumë gjëra e kemi fajin vetë, nuk na e kanë të tjerët. Ne nuk e njohim tolerancën, – thashë unë. Ajo u mvrejt në fytyrë dhe ndërhyri menjëherë.
– E kuptoj që dini diçka, e kuptoj që keni një informacion dhe habitem sa shpejt e keni marrë vesh sepse këtë ngjarje e dinë vetëm vëllezërit e mi dhe askush tjetër. Mund ta di se si e mësuat?
– Sot tek unë ishte Shabiu. Ai më tregoi se ju e keni braktisur. Ishte i dërrmuar shpirtërisht. Realisht ai nuk e di që unë kam ardhur tek Liridona dhe as ma kërkoi këtë. Takimin me ju e vendosa vetë. E gjykova kështu sepse pa njohur të vërtetën, nuk mund të bëj asnjë hap më tutje për të mirë.
– Po, edhe unë e mendoj që Shabiu nuk ka leverdi të dalë e vërteta.
– Mos më thuaj që ka vënë dorë mbi ju, – i thashë i shqetësuar.
– Akoma më zi. Është e saktë që e kam braktisur, madje edhe më keq, e kam paralajmëruar të largohet nga banesa ime. Vendimin tim e kam konsultuar me katër vëllezërit e mi dhe pikërisht mbrëmë. Ata të gjithë u tërbuan. Nuk i mbante vendi. Dy prej tyre deshën ta zgjidhnin konfliktin shqiptarçe, por vëllai i madh dhe unë i ndaluam. U thamë se nuk mund të bëhemi objekt i policisë.
– Pak më ngadalë të lutem, mund ta nisësh nga fillimi, – i thashë unë duke parë se ngjarja paskishte një rrjedhë tjetër – cila ishte plasaritja e parë e jetës në çift? Unë kam idenë se Shabiu është një djalë i kulturuar, i sjellshëm e i respektuar. Madje lexon shumë.
– Kështu mendoja edhe unë, por gjyshi im thotë se duhet të hash një thes me kripë që ta njohësh tjetrin, tha ajo fare shkoqur.
– Mos u bë shkak për prishjen tuaj një piktor nga Tirana, Gent Kodra?
– Ja, pra, ua paska thënë edhe juve. Më duhet ta nis nga kreu. Gent Kodra është njeriu më i pafajshëm në këtë histori. Është turp t’i zihet emri në gojë, – tha Liridona gati duke i mbushur sytë gati me lot.
Banakierja duke thirrur me zë të lartë të merrnim kafet, na ndërpreu bisedën pikërisht në momentin më delikat. Vura re se Liridonës i dridheshin duart duke ngritur filxhanin e kafesë tek buzët. E rrufiti dy tri herë, pastaj e uli ngadalë në suprinën e tavolinës. Edhe pse sytë i mbante tek unë, me mendje ishte diku larg. Dukej si e përhumbur në mes të mjergullës së dendur. Ia nisi kështu: “Gent Kodrën e njoh prej shtatë vjetësh. Ai ka qenë dhe është veprimtar i Shoqatës. Bën ato punë që nuk i merr përsipër askush. Shkruan pankartat shqip dhe anglisht, organizon manifestimet, mbrëmjet jubilare e lloj-lloj punësh të tjera. Nuk kërkon asnjë shpërblim e as dekorata si disa që punojnë vetëm të dalin në televizor për t’u dukur dhe bien përmbys për një laik qoftë edhe në fejsbuk. Ishte Gent Kodra që më bindi të vesh kostumin popullor dhe unë të jem flamurmbajtësja në çdo manifestim. U njoh me katër vëllezërit e mi kur ata më shoqëronin në Shoqatë. Duke parë kujdesin e tij ndaj meje, korektesën dhe ndershmërinë e tij, por sidomos patriotizmin, vëllezërit dhe prindërit më besuan tek ai. U bë miku më i dashur i familjes sonë. Mosha e tij nuk më pengonte mua aspak të komunikoja me të edhe për problemet më intime. Nuk i harroj vargjet e këngëve të Çamërisë kur ai i mbante mend përmendësh dhe i recitonte me aq mall e pasion: “Dhent’ e mia kush i do? Se s’jam i zoti për to…”. Ai ka horizont të gjerë, përvojë jetësore dhe është shumë inteligjent. Ke dëshirë ta dëgjosh. Ka qenë dhe është i pranishëm në të gjitha festat tona familjare. Është njeriu që na kupton më mirë se kushdo kur ne flasim për historinë e Kosovës dhe shtypjen shekullore serbe. A e di gati përmendësh historinë e Shote dhe Azem Galicës. Sepse ai lexon shumë. Realisht është i vetmuar. Gjithë njerëzit i ka në Shqipëri dhe tek familja jonë e madhe ka njohur veç ngrohtësi e respekt. Me afrimin dhe besimin që kemi treguar ndaj tij, jemi munduar të kompesojmë diçka nga pritja që na bëri populli i Durrësit gjatë Luftës. I kisha folur Shabiut qysh në fejesë për miqësinë me Gent Kodrën. Si është e mundur që e keni afruar kaq shumë në familje, ai nuk është nga Kosova, më tha i habitur. Dhe unë i tregova se ai është me origjinë nga Çamëria dhe familja e tij ka qenë e dëbuar nga shovinistët grekër. Të njëjtë si edhe ne. Na kupton më mirë se kushdo sa kanë luftuar, hequr e vuajtur të parët tanë në Kosovë. Është histori e njëjtë, ngjan si dy pika uji historia e Kosovës dhe e Çamërisë.
Gjatë të shtunave e të dielave, me t’u martuar, si çift, ne dilnim për kaftall, apo mëngjez tek “Panera bread”. Në çdo rast unë i telefonoja Gentit të bashkohej me ne e të dilnim së bashku. Shabiu asnjëherë nuk më tha jo, madje bënte biseda për librat më shumë se sa unë. Natyrisht mua më vinte mirë dhe kisha dëshirë që ai ta respektonte Gentin njëlloj si vëllezërit e mi. Mirëpo pak më vonë Shabiu kërkoi të ftonim për mëngjes edhe një ish shoqe shkolle të tij, Sabihanë. Ajo është e martuar me një bos kanadez me origjinë hebre. I shoqi i saj pjesën më të madhe të kohës e kalon në udhëtime sepse kompania e tij është e shtrirë në disa vende të botës. Sabihaja është shumë e pasur dhe ka vetëm një vajzë. Ajo është mjaft e bukur, bionde si një ruse me sy të kaltër, por nga ato tipet “ku rafsha, mos u vrafsha”. Nuk i mungon asgjë. Pasi dolëm disa herë, jo vetëm për mëngjes, por edhe për dreka e darka, Shabiu një mbrëmje më tha i gëzuar se Sabihaja ka për ta “kollofitur” Gentin. Bukurisë së saj nuk i shpëton asnjë mashkull. I thashë se Genti nuk është nga ata burra që shkojnë me gra të martuara. “Prit, ke për të parë”, më tha ai me djallëzi. I thirra mendjes dhe kuptova se im shoq po bënte një veprim të poshtër, një kurth, po mundohej të fuste në një lidhje të gabuar mikun e familjes sonë. Fillova të dyshoj ndaj karakterit të tij. Ishte një djalë me dy pamje. Me sa duket ai dyshonte në miqësinë time ndaj Gent Kodrës dhe Sabihaja ishte karremi, kamardarja e shpëtimit. Genti më kishte thënë veçmas se nuk i duronte dot as mburrjet, as perkëdheljet e Sabihasë dhe të mos mërzitesha në se do të refuzonte takimet në grup.
Surpriza më e bukur që më bëri Genti ishte një pikturë me portretin tim me sfond ujvarën e Niagarës. Na e solli në ditlindjen time. Nuk e ke idenë sa më pëlqeu ai portret. Kishte shumë jetë, shumë ngrohtësi dhe dashuri. Aty kishte derdhur tërë miqësinë tonë prej shtatë vjetësh. Nuk ngopesha së kundruari. E vara në dhomën tonë të gjumit. Pas disa ditësh Shabiu më tha se ajo e kishte vendin në fund të korridorit që ta shihnin edhe miqtë kur vinin për vizitë. Në se është për ta parë miqtë, duhet në dhomën e pritjes, i thashë unë, është një vepër e mrekullueshme artistike. “Më mirë ta vemë në banjo, tha ai me ironi se kur vijnë vizitorët, pa tjetër do të shkojnë edhe nga banja”. Aty mund të varim portetin tënd prej zhapiu, i thashë unë. Atij nuk iu durua, mori thikën e kuzhinës dhe m’u afrua duke më kërcënuar. Ti ke qenë një hipokrit, ti ke dashur Kanadanë dhe jo mua, i thashë e nevrikosur. U tjetërsua në fytyrë, iu nxi buza dhe dhe m’u vërsul si dem i tërbuar. U mënjanova me shpejtësi dhe pastaj ai tërë mllefin e hidhur e zbrazi mbi kanavacën e pikturës duke e goditur disa herë me thikë…”.
– Mjafton, kaq, nuk ka nevojë ta vazhdojmë më tej këtë bisedë, – i thashë unë dhe vura me dhembsuri pëllëmbën time mbi dorën e saj.

Toronto, Kanada, 12 janar 2020.

Please follow and like us: