Albspirit

Media/News/Publishing

Bardhyl Berberi: Imazhe nga piktori i talentuar Kudret Durollari

Image result for bardhyl berberi

Bardhyl Berberi

 

Piktori Kudret Durollari i është imponuar botës së artit përmes talentit të tij evident, përmes manifestimit artistik të befasishëm dhe tejet personal, përmes frymës së lirë e të shpenguar artistike. Artisti konturon tashmë gjithë e më tepër një profil të qartë përmes mjetesh artistike të personalizuara. Kështu, është e rëndësishme ta përdorësh lirinë që të ofrohet, të dish ta administrosh atë. Jo akëcili artist di të përdorë lirinë, jo të gjithë piktorët dinë të përfitojnë prej saj. Formimi skolastik  dhe akademizmi shterp shpesh sterilojnë krijuesit duke i orientuar drejt shabllonesh dhe në rastin më të mirë në imitues të përkryer të profesorëve të tyre.

Piktori Kudret Durollari di ta përdorë lirinë që të ofron arti, di të gëzohet prej saj dhe ta bëjë të frutshme duke e materializuar në vepër arti. Ndaj në një përcaktim gjithëpërfshirës të gjithë paradigmës piktorike të këtij artisti mund të themi se veprat e Durollarit  ndërtohen nën frymën dhe mjetet që të imponon liria. Ai di të jetë i lirë e i shpenguar dhe të mbajë qëndrime të lira në artin  e tij. Liria e shprehjes artistike merr forma e trajta nga më të beftat, merr zgjidhje konvencionale dhe jokonvencionale; liria e shprehjes tek pikturat e Kudret Durollarit nuk njeh stepje, kufizim skolastik, qëndrime e poza akademike, mëdyshje, hezitim, por di t’i japë krahë fantazisë së tij, di të shkelë skajet e fundëm të imagjinatës së tij. Në ciklin e fundit të pikturave të tij në formën e një sintagme paradoksale dhe sugjestive, ai shënon kuotën më të lartë në krijimtarinë e tij. Tablotë e këtij segmenti evokojnë më së shumti përsjatje filozofike dhe poetike mbi botën, mbi jetën, mbi ëndrrën. Veprat janë sinteza përjetimesh të thella, janë thelbi i gjendjeve të ngarkuara shpirtërore dhe emocionale. Le të kujtojmë se “veprat ruajnë atë që artisti konsideron më thelbësoren dhe më të qënësishmen e dukurisë apo motivit që ai pikturon”. Kudret Durollari di të sugjerojë, të na drejtojë në botën e tij përmes shenjash, gjestesh figurative, gamash ngjyrore duke na kapluar me gjetje artistike goditëse. Në këtë hipostazë telajoja e Durollarit  fiton një ndjeshmëri të pazakontë, plot me vibrime të dritës, me ngopje të ngjyrës në regjistra intensivë koloristikë, me thekse e shkrirje të alternuara.

Cikli më i fundit i pikturave të Durollarit  më shumë janë vizione për të ardhmen, ndërtime e përjetime imagjinative të ‘së ardhmes’, copra fragmentesh ëndrrash që do të zhvillohen në një kohë tjetër dhe tjetër hapësirë, në terrene të tjera. Vepra e Durollarit  është ndërtim i një kronotopi me mjete vizuale, me një gjuhë të guximshme, me zgjidhje artistike të papritura.

Piktori provokon kufijtë e njohur të reales, të së tashmes dhe të së ardhmes, të së shkuarës dhe të përjetimeve në këto segmente kohorë, të vendit dhe hapësirës të vendndodhjes së tij e ndodhive të jetës së tij. Piktori i lejon vetes të krijojë një botë të lirë me përmasa të tjera, me ligje të tjera, me rrjedhje kohore tjetër, me një optikë tjetër. Ai provokon një vizion të ri të botës, të një botë të personalizuar, të ndërtuar e hartuar sipas një logjike subjektive. Për pasojë udhëtimi që na ofron artisti presupozon dhe një tjetër kohë jokonvencionale, një kohë emotive që e përjetojmë intensivisht në rrethana të pazakonta.

Në veprën e piktorit fshihet shpirti i ndjeshëm i një poeti. Përfytyrimi artistik, preokupimet artistike, vizioni i përgjithshëm janë të afërta me cilësitë që mbart poezia moderne. E ardhmja ka shenja të së kaluarës, e tashmja është atemporale, e ardhmja vishet me shenjat e të shkuarës. Të gjitha këto shprishje rendi të botës t’i lejon vetëm bota abstrakte që na ofron  Durollari  në pikturën e tij. Ai sheh në mënyrën e tij botën, sendet, ëndrrat, kujtimet, misterin, natyrën. Ëndërrimi, kapriçot imagjinative, ndonjëherë rastësia në ekzekutim, injorimi i konvencioneve e bëjnë sinonim me lirinë tërësore. Kompozimet ritmizohen herë-herë pothuaj në mënyrë muzikale, të mbajtura në një kolorit të qetë që heq dorë nga kontrastet dramatike. Temat që dominojnë në këtë cikël janë tashmë reflekse të një bote më pak të shqetësuar. Në gjithë universin që na ofron piktori gjallon brishtësia dhe ngazëllimi.

Në një hipostazë tjetër, piktori bëhet më dramatik, ngjyrat bëhen më intensive, më agresive, në rrjedha të lira dhe për pasojë autori duket së jashtmi se nuk i interesojnë strukturat por lëvizja e tyre, nuk i intereson objekti por efekti që shkakton ai dhe dinamika e tij në raporte të caktuara hapësirore.

Kudret Durollari shkëqen në sintaksën e pikturës së tij pa neglizhuar aspak morfologjinë. Piktori ka një optikë të tij vetanake, ai nuk lihet i ndikuar nga asgjë e nga askush, sepse piktura e tij është më shumë një nevojë personale vetëshprehjeje: një vështrim personal dhe i pangatërrueshëm i botës së tij së brendshme dhe i realitetit ku jeton. Artisti është formuar pranë një personaliteti të pikturës shqiptare të Gjergji Lakos. Miqësia e ngushtë mes tyre deri sa Lako u nda nga jeta  por ai ruan dhe mbart pashpëtueshmërisht në krijimtarinë e tij dritën ngazëlluese të viseve nga ai krijon . Trajta nga fëminia, forma e ngjyra, shenja dhe ndjenja nga vendlindja shpalosen jo vetëm në tablo ku ky realitet pasqyrohet në mënyrë të drejtpërdrejtë, por dhe në tablotë më abstrakte. Gjurmë të realitetit të vendlindjes zbulohen në të gjithë krijimtarinë e Durollarit.

Vendlindja shfaqet përmes ngjyrash, përmes gjestesh piktorike që të kujtojnë peisazhet me liqenin e Ohrit  përmes gjendjesh emocionale që të provokon malli dhe mungesa e tyre, përmes atmosferës, bimësisë, ajrit, frymës. Vendlindja në mungesë merr trajtat e parajsës tokësore për piktorin devolli që prej tre dekadash jeton në Pogradec . Po të flasim për dy zona të mëdha të formimit të artistit do të flasim për dy qytete me të cilat autori ndan dhe jetën Devollin dhe Pogradecin. Pogradeci me magjinë e tij  e pasuron me kulturë artistike, dhe  emocione pjellore. Paleta ngjyrore e Durollarit  është huajtur nga natyra e vendlindjes, përdorimi me virtuozitet i tyre .

Ndërsa në qoftë se do të flasim për elementët që bëhen përcaktues për strukturën e veprës së piktorike Kudret Durollari, do të sillnim dy syresh që janë të një fakture poetike drita-liria. Për piktorin është i rëndësishëm realiteti i tij piktural, mënyra se si strukturohen në telajo imazhet e tij.

Në një grup tablosh që lidhen me fshatin ,  një fshat-ide apo fshat-atmosferë ku artisti vendos një shtëpi, një arë të mbjellë një mullar bari disa bagëti  etj kemi të bëjmë me një realitet aluziv, më shumë autori na ofron atmosferën jo objektin, një ndjesi të përgjithshme dhe jo sende konkrete e të lexueshme. Objektet nuk kanë një vend të saktë në hapësirë, evolucioni i tyre i lihet natyrës së imagjinatës së krijuesit dhe për pasojë dhe receptorit. Mjedisi fizik përmblidhet në esenca kromatike të forta por dhe të stërholla, për t’i falur jetë këtyre viseve të mrekullueshme. Piktori pikturon me një gazmend të pacak, sepse natyra që na ofron piktori ngjyrohet me një kolorit të fortë të mbushur plot me ndjenja, me temperaturën e ëndrrës së artistit, me afshin që kërkon ta përcjellë tek spektatori.

Suksesi i piktorit shqiptar Kudret Durollari  nuk është aspak rastësi, është një sukses i merituar plotësisht. Fitues çmimesh, kurator ekspozitash të përmasave të mëdha ndërkombëtare, si ekspozita e fundit në Paris (ekspozitat e të cilit kanë hyrë tashmë në axhendat e galerive më të rëndësishme, udha e suksesit të piktorit Kudret Durollari është ndërtuar mbi baza solide dhe konsistente, mbi vlera të verifikuara në mjediset elitare të artit bashkohor.

Image result for kudret durollari

Image result for kudret durollari

Image result for kudret durollari

Image result for kudret durollari

 

Please follow and like us: