Albspirit

Media/News/Publishing

RRËFIMI I HELENA KADARESË PËR VITET NËNTËDHJETË NË SHQIPËRI

Image result for KADARE DHE HELENA NE FRANCE
Natën e Krishtlindjeve ishim ftuar te Lic Barnier dhe Liri Begeja regjisorja e versionit francez të “Prillit të thyer”, por kaq shumë ishim të hutuar pas lajmeve rumune, saqë mbërritëm tek ata me një vonesë skandaloze.

 Viti 1990 hyri gjithë nervozizëm. Në Tiranë qarkullonin gjithfarë fjalësh. Midis tyre dalloheshin ato që përhapte Sigurimi, shumica e të cilave ishin kërcënime të tërthorta. Tmerri i asaj që kishte ndodhur në Rumani ndihej kudo. Në Shkodër ishte bërë një përpjekje për të rrëzuar bustin e Stalinit. Pas kësaj, një grup të rinjsh shkodranë i çuan fjalë Is se donin të takoheshin me të. Ishin shokët e atyre që ishin arrestuar për shkak të bustit dhe tani po i torturonin në dhomat e policisë. Is iu përgjigj me një telegram se do t’i priste. Kështu erdhi në shtëpinë tonë i dërguari i tyre, një djalë fare i ri, i brishtë, me një vështrim të kthjellët, ku i lexohej një vendosmëri e pakthyeshme për të bërë diçka të fortë, edhe pse, nga sa më tregoi Is më pas, nuk e kishin të qartë se çfarë pikërisht duhej të bënin. Djaloshi shkodran quhej Ardian Ndreca. Për mua ishte hera e parë që po shikoja kundërshtarë të regjimi të brezit ku bënin pjesë vajzat tona.

Në shënimet e tij të botuara, kur ka qenë fjala për përjetimet e vitit 1990, Is nuk e ka përmendur asnjëherë këtë takim. Ashtu siç nuk ka përmendur njerëzit që ka liruar nga burgu ose internimi, ose jehonën e intervistës ku, duke kërkuar vendosjen e bustit të Gjon Buzukut, përpara Akademisë së Shkencave, kërkonte praktikisht heqjen e bustit të Stalinit, që ndodhej pikërisht te hyrja e Akademisë.

Arsyeja e mospërmendjes së këtyre fakteve, ishte trysnia që u bë e zakonshme në Shqipëri fill pas rënies së komunizmit… po të flisje për gjëra të tilla, me dhjetëra njerëz të hidheshin në fyt: pse i përmend këto? Mos do të hiqesh si hero?
Trysnia bëhej sidomos nga njerëz që duke mos bërë asgjë për të ndihmuar sadopak zhvillimin e ngjarjeve nuk donin të përmendeshin shembujt që tregonin të kundërtën.
Ndoshta as unë nuk do ta përmendja ardhjen e të dërguarit të të rinjve antistalinistë shkodrane te ne, sikur Ardian Ndreca, kryeredaktor i tanishëm i ‘Hyllit të Dritës’, të mos e përmendte atë vite me pas, në një forum në Tiranë, bashkë me falënderimin publik ndaj Is.
Gjatë asaj periudhe, Is pati dy takime me presidentin e vendit, Ramiz Alinë. Të dyja herët vinte me shpresë, pastaj, pas disa ditësh bëhej nervoz. Loja hiporkite e regjimit sa vinte e bëhej më e qartë. Reformat ekonomike vazhdonin me pikatore, ai vendimi për lejimin e mbajtjes së dy qengjave, që, siç më tha Is ishte hartuar me rreth njëzet e dy faqe. E po kështu, lejimin e një lope. E po kështu, për lejimin e ca pulave e ca gjelave… Qesharake! Is thoshte se kjo punë ngjante njëlloj sikur të nxirreshin vendime për ajrosjen e shtëpive, apo orarin e fjetjes, sipas qejfit të secilit. Më e rënda nga këto ishte terrori politik, që ushtrohej po aq i egër sa më parë. Në kufi bëheshin vrasje, në burgje torturat vazhdonin…

Image result for kohe e pamjaftueshme

Please follow and like us: