Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël me etyde nga Viron Kona

 Image result for viron kona

 

Yllësitë

 

Kur njerëzit bëhen të ditur,

dituritë e tyre bëhen dritë,

përshkojnë qiellin e errët,

kështu formohen yllësitë.

 

 

Mos u brengos miku im!

 

Rrugën s’ta ka zënë askush,

ka vend plot, për ty, për mua,

ec, mos nguro, tregoje veten,

mos u tërhiq, kështu të dua!

 

 Diçka

 

Vlerësime, çmime gjithmonë do t’ndahen,

jeta kërkon variacion e shumëllojshmëri,

ndonëse vlerat humbin n’vozën e Danaut, 1)

disa grimca të florinjta i ruan kjo gjithësi.

 

 

S’paskemi jetuar kot

 

S’mundemi në këtë botë t’i bëjmë të gjitha,

sepse fuqitë dhe jeta na kanë vënë një kufi,

por nëse arrijmë të bëjmë më të mirën tonë,

kemi shtuar nga një grimcë: dhe unë, dhe ti.

 

 

Harrojmë veten tonë

 

Kur bëjmë bilancin e jetës,

dhe “thesin”  shohim bosh,

s’lëmë askënd pa fajësuar,

veçse harrojmë veten tonë.

 

 

Nëna

 

Për luftërat kam lexuar e dëgjuar nga shumë njerëz,

në përfytyrim më ngatërrohen histori e kundërshti,

veç gjithçka ma kthjellon zëri i merakosur  i nënës:

nderoni o bir, vajzat e djemtë që japin jetën për liri.

 

 

Engjëjt

 

Nëse ekzistojnë engjëjt,

me siguri ata janë fëmijët.

Nëse nuk ekzistojnë engjëjt,

engjëj kemi fëmijët.

Nëse duhet t’i krijojmë engjëjt,

ata përsëri do të jenë fëmijët.

 

 

……………………

 

1)Voza e Danaut. Sipas mitologjisë Danau ishte mbreti i Egjiptit. Meqenëse 50 vajzat e tij vranë burrat e tyre, u dënuan të qëndronin në Hadë duke mbushur parreshtur një vozë me fund të shpuar që s`mbushej kurrë.

 

2). 50 Vajzat e Danaut. Vajza të mbretit të Egjiptit, Danaut. Me urdhër të babai ato vranë 50 burrat e tyre. Për këtë u dënuan të rinin në Hadë, duke mbushur me ujë gjithë kohën një vozë me fund të shpuar, që s`mbushej kurrë.

 

 

 

 

 

 

Please follow and like us: