Edlira Gjoni: Paradokse shqiptare!
Edlira Gjoni
– Lajm jetëdhënës: Kodi zgjedhor do ndryshojë e ne do zgjedhim kandidatët që duam vetë, jo ata që do kryetari.
– Në Tetor do bëhen zgjedhjet lokale (do ribëhen, të vërtetat) dhe PD do fusë ndonjë nuancë blu, që 61 Bashkitë të mos duken më si pasqyrim i Koresë së Veriut.
– Në Qershor të vitit tjetër do bëhen zgjedhjet e përgjithshme, ku do votojnë më pak se 1 milionë shqiptarë për të gjitha partitë bashkë. Aq kanë ngelur, se deri Qershorin tjetër, kapërcehet edhe shifra 400 mijë shqiptarë që kanë lënë vendin që nga viti 2013 (njëlloj sa ç’e lanë kur na vdiq Skënderbeu, kur ra komunizmi apo piramidat. Po në 2013 e pas, çfarë na ra, që nuk gjejmë dot paqe?)
– Me popullsi të ulur, investime të padukshme, ndjesi të të qenit të shpërfillur e pavlerë, përveçse edhe papunë në vendin e tyre, shqiptarët e ngelur do thirren vitin tjetër në kutitë e votimit për të zgjedhur, sipas kodit e sistemit të ri, mes alternativave plot: Gjiknur, Vasil, Nokë, Ndokë e shokë. Sistem fringo i ri, me emra besnikërisht të vjetër.
– PD do rikthehet në institucione, por shqiptarëve nuk ka gjasa t’u rikthehet ndonjë përfitim.
– Ndaj, sytë nga bahçja juaj: Kujdes mos ju marrin patentën! Kontrolloni mirë portofolin! Nuk ua vjedh kush paratë, por ikin pa u futur mirë aty, se nuk mbahen ndryshe me të ardhura deputetët e ardhshëm, që do i zgjedhim vetë me duart tona.
– Lexoni, mësoni, paguani taksat, silluni mirë, mos shani askënd, në politikë jo e jo, po as në fushat zi e rozë, me prezantime e filmime, se janë gjëra me zarar.
– Formohuni brenda e jashtë vendit, e kur të shihni që nuk gjeni dot punë e as nuk blini dot kurrë shtëpi në këto lagjet e reja që mbarojnë me “hills”, atëherë jeni në vendin e gabuar e bëjini derman vetes. Se Rilindja e pranon me krenari: Emigracioni është gjë e mirë shumë! Është dera e parajsës! Kështu bëjnë të gjithë. Mos u ankoni e mos hidhni helm kot!
– Aty në çadër rrini, po zërin mos t’ua dëgjojmë, se na prishni qetësinë e mbrëmjeve mondane me verë e plane goditje historike nga karrigia kryesuese e OSBE-së.
– Merrni diplomat, aftësitë, vitet, shpresat e dinjitetin e shtojini vlerë emigracionit që është kaq mjaltë. Ikni edhe mos bëni teka pa lidhje! Edhe irlandezët ikin….!!!!!!!
– Pas ama do lemë këtu një thesar, një arritje të jashtëzakonshme: deputetët e njëjtë që do i zgjidhim me formulë ndryshe!
– Më i fituari do dalë SPAK, se edhe pse Shqipëria do shpopullohet, ata që i duhen SPAKU-ut, nuk lëvizin nga instikami. Këtu do rrinë, gati për t’u përballur me drejtësinë, me kokën lart e pafajësinë në dorë.
– Ju të tjerët, shtrëngoni aplikimet e ndonjë kontratë pune që iu vjen nga jashtë (po ishit me fat), ose ndonjë vilë në Rolling Hills, po iu zuri rrufeja derën!