Albspirit

Media/News/Publishing

Frank Shkreli: Kodi i shqiptarëve – shpëtimi i hebrejve dje dhe dorëzimi i turqve sot

 

Roli i Shqipërisë dhe i shqiptarëve në përgjithësi për strehimin dhe shpëtimin e hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore dihet tanimë shumë mirë dhe vazhdon të tërheqë gjithnjë vëmendjen, sidomos këtu në Shtetet e Bashkuara, si një akt humanitar dhe moral. Gjatë viteve, sidomos ç’prej shembjes së komunizmit, roli i Shqipërisë dhe i shqiptarëve pa dallim, për shpëtimin e hebrejve gjatë Holokaustit, bazuar në kodin moral të shqiptarëve, ka tërhequr vëmendjen e medias, publikut dhe të politikës, përfshirë Kongresin e SHBA dhe vazhdon edhe në ditët e sotëme të jetë subjekt interesimi.

Këto ditë lexova një njoftim për një film të ri që i kushtohet, pikërisht, kësaj teme historike, shpëtimit të hebrejve nga shqiptarët në Luftën e Dytë Botëtore.  Filmi dokumentar, i cili është gati të shfaqet në kinematë amerikane në Nju Jork dhe më gjërë, titullohet thjesht “Kodi Shqiptar”, i cili zbulon, sipas njoftimit, tregime të panjohura të mijëra refugjatëve hebrenjë, të cilët janë shpëtuar nga Shqipëria, një vend me shumicë myslimane, gjatë Luftës së Dytë Botërore.  Një njoftim i shkurtër video për filmin në fjalë, mund ta shikoni në linkun më poshtë:

                                        

                                     Filmi The Albanian Code 

                                                Sneak Preview

Directed by Yael Katzir (Israel, 2019, 56 min)

Using unique archival footage, The Albanian Code unveils the unknown story of thousands of Jewish refugees who were rescued by the Muslim-majority country of  Albania during World War II. 

Ennie Altaratz -Francis, who was saved escaping from Yugoslavia, decides to go to Albania to thank whoever she can. This voyage is full of surprises, as we discover how an entire nation saved refugees, bound by their moral code. At last, the Albanians get the appreciation they deserve for being the only country in Europe that rescued the persecuted. The film carries a universal message of gratitude to human-values.

https://jccmanhattan.org/programs/albanian-code

Natyrisht se të gjithë shqiptarët, kudo dhe pa dallim, jemi krenarë për shpëtimin e hebrejve gjatë luftës nga shqiptarët, pa dallime fetare, politike a krahinore. I gjithë ky interesim dhe vlerësim, është një nderim që i bëhet Kombit shqiptar, duke ia njohur atë meritë historike, bazuar në kodin moral të besës, të mikpritjes dhe të nderit shqiptar.  Ata vepruan bazuar në këtë kod moral qindra vjeçar të fisit të shqiptarit.  

Por, çfarë po ndodhë sot me këtë kod moral që ka qenë dhe duhej të vazhdonte të ishte pjesë e pandashme e jetës dhe e veprimeve të shqiptarit gjatë historisë dhe sot – si diçka që duhej të ishim krenarë që në dallon për mirë, prej pothuaj të gjitha kombeve të tjera: Kodi i shqiptarit se shtëpia jonë është e Zotit dhe e mikut. Kodi i shqiptarit, në bazë të cilit u shpëtuan hebrejtë në Luftën e Dytë Botërore, ishte që miku që të kishte renë në dorë të përcillej i sigurt larg nga shtëpia, ashtuqë të mos i ndodhte gjë as rrugës, as në shtëpinë e as në oborrin tënd. 

Filmi “Kodi Shqiptar” për shpëtimin e hebrejve në Shqipëri do shfaqet fillimisht në Nju Jork, në një kohë që një sklandal i rëndë ka goditur Shqipërinë, ndërsa autoritetet e qeverisë shqiptare kanë vendosur ditët e fundit që t’i dorëzonin Turqisë – kundër vullnetit të tij — një mësues, shtetas turk, kundërshtar i presidentit turk, Erdogan, i cili kishte gjetur strehim në Shqipëri.  Pikërisht, siç kishte ndodhur para nja dy vitesh në Kosovë, kur autoritetet më të larta të Republikës së Kosovës, i dorëzuan Turqisë—gjithashtu kundër vullnetit të tyre – gjashtë mësues të cilët konsideroheshin si kundërshtarë të presidentit turk, Erdogan. 

Të dyja këto, njëri i ditëve të fundit në Shqipëri dhe tjetri kohë më parë në Kosovë, janë krejtësisht akte që nuk kanë të bëjnë aspak me kodin moral shqiptar, në bazë të cilit janë shpëtuar hebrenjtë në trojet shqiptare gjatë luftës dhe për të cilat flitet në filmin e lartë përmendur. Dëbimet e kundërshtarëve të Erdoganit nga Shqipëria dhe nga Kosova, jo vetëm që nuk përputhen me kodin moral shekullor të shqpitarit, por janë në kundërshtim të plotë edhe me ligjet në fuqi të dy vendeve dhe në shkelje flagrante të normave dhe marrëveshjeve ndërkombave, të nënshkruara nga të dy vendet.  

Analistët në Shqipëri dhe në Kosovë i konsiderojnë dëbimet e kundërshtarëve të Erdoganit nga trojet shqiptare si pasojë e drejtpërdrejt e zgjerimit të influencës turke, në nivelet më të larta politike në Shqipëri dhe Kosovë. Autoritetet shqiptare akuzohen se me këto masa po u japin përparësi dhe mbrojtje interesave turke në dëm të rendit ligjor të brendshëm dhe ligjeve ndërkombëtare. Prandaj është një hipokrizi kombëtare që udhëheqësit aktualë politikë të botës shqiptare të mburren me krenari dhe të marrin kredi – ashtu siç kanë bërë në të kaluarën — për shpëtimin e hebrejve nga Shqipëria dhe shqiptarët e viteve të luftës. Ndryshe nga autoritetet e sotme në Tiranë dhe në Prishtinë, ata besonin në kodin moral të shqiptarit për të  strehuar dhe për të mbrojtur mikun në shtëpi. Ju nuk besoni në të njëjtin kod moral të mikpritjes, siç e ka traditë shqiptari! Ky është dallimi! Si përfundim i dorëzimit të këtyre shtetasve turq autoriteteve turke, kundër vullnetit të tyre, kredibiliteti juaj në mbrojtje të kodit moral të shqiptarit për të pritur dhe për të mbrojtur mikun në shtëpinë tuaj—është zero.   

Të dy këto raste kanë tërhequr protesta nga vendet perëndimore, si raste ku ligjet janë shkelur, ndërkohë që askush nuk merr përgjegjësi, në shmangie të plotë të proceseve ligjore të Shqipërisë dhe të Kosovës. Këto shkelje, të nderuar qeveritarë shqiptarë në të dy anët e kufirit, janë shkelje të rënda, jo vetëm të ligjit, por edhe të kodit moral të shqiptarit. Njëkohësisht edhe shkelje skandaloze të vlerave demokratike, të cilat i pretendoni. 

“Shpija e Shqiptarit ashtë e Zotit dhe e mikut”, na kanë mësuar të parët tanë dikur. Miqtë turq që Shqipëria dhe Kosova i dorëzuan autoriteteve turke, janë prerë në besë! Thuhej dikur për dike që pret në besë mikun e shtëpisë, se atij nuk i mbetet tjetër veç “a të fiket, a të koritet”. Kjo është një ndër vlerat themelore shqiptare, me të cilat jemi krenarë kudo që jemi, vlera që na kanë dalluar pozitivisht dhe gjithmonë nga të tjerët. Me këto vepra, nuk ma merr mendja se jeni të “fikur”, se pasuri materiale kini grumbulluar mjaft, por ama të koritur jeni para botës dhe para historisë, ndryshe nga shqiptarët që shpëtuan hebrejtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, veprat e të cilëve  me të drejtë vlerësohen edhe sot pothuaj një shekull më vonë, me filma dokumentarë, si një kapitull i lavdishëm para botës, në historinë e shqiptarëve!

A janë autoritetet shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë më të interesuara të mbrojnë këto vlera ashtu që shqiptarët të ankorohen fuqishëm dhe pa asnjë dyshim me Perëndimin duke kundërshtuar ndërhyrjet e faktorëve të jashtëm destabilizues në punët e shqiptarëve, a po të pranojnë në heshtje ndikimet e tyre ashtu siç po bëjnë tashti. Fatkeqësisht, kjo e fundit më duket më e besueshme, sepse klasa aktuale politike shqiptare, qëllimisht, sot po mundëson krijimin e vakumeve politike, ekonomike dhe kulturore, duke krijuar kështu mos stabilitet, të frymëzuar nga autokratët modernë të tipit putino-erdogan. Ndërkohë që vënë, njëkohësisht në pikëpyetje, jo vetëm, respektin që ata vetë kanë për vlerat historike shqiptare, siç është kodi moral i shqiptarit, por edhe për meritat e modelit demokratik të qeverisjes, të orientuar nga vlerat perëndimore, vlera për të cilat ata flasin shumë, por bëjnë pak për zbatimin e tyre në trojet shqiptare.

Por, ndryshe nga udhëheqësit e tyre, shqiptarët anë e mbanë trojeve të veta e kanë vendosur tanimë se cilin model dëshirojnë të ndjekin dhe në cilin model qeverisjeje duan të jetojnë dhe të rrisin fëmijtë e tyre, duke “votuar me këmbë”, ndërkohë që po largohen nga trojet shqiptare drejtë vendeve perëndimore. Shqiptarët e kanë bërë të qartë se duan të jetojnë në një shtet me autoritet kushtetues dhe në varësi të sundimit të ligjit për të gjithë. Por, janë autoritetet qeveritare në Shqipëri dhe në Kosovë, ata të cilët, siç duket, e kanë humbur rrugën kushtetuese në oborrin e tyre, duke shkelur njëkohësisht, jo vetëm ligjet e vendit dhe marrëveshjet ndërkombëtare, por edhe kodet morale mijëra vjeçare të shqiptarit — mbi të gjitha kodin e shenjtë moral të parëve tanë se, “Shtëpia e Shqiptarit ashtë e Zotit dhe e mikut!

http://illyriapress.com/kodi-i-shqiptareve-shpetimi-i-hebrejve-dje-dhe-dorezimi-i-turqve-sot/

Please follow and like us: