Negociatat për qeverinë/VV me propozim të ri për LDK
Ndërsa ende nuk ka asnjë sinjal nga Lidhja Demokratike e Kosovës mbi propozimin përfundimtar të bërë nga Vetvendosje, Albin Kurti i është drejtuar me shkrim Isa Mustafës ku edhe bën të ditura detajet e propozimit te ri. Kurti ofron dy ministri më shumë në qeveri, nga të cilat 6 do t’i takojnë LDK-së. “E shtojmë numrin e ministrive në qeveri, nga 12 në 14, me ç’rast Lëvizja VETËVENDOSJE i ka 5 ministri kurse Lidhja Demokratike e Kosovës i ka 6. Ministria shtesë për LDK vjen si pjesë e njërës prej ministrive më të mëdha që ka LVV. 3 ministri i kanë pakicat, siç edhe parashihet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Vlen dakordimi i mëhershëm që zëvendëskryeministri i parë i takon LDK-së, ndërkaq zëvendëskryeministri i dytë, VV-së”, thuhet në propozim. Sipas propozimit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të ndahet, në atë mënyrë që Kultura dhe Rinia i bashkangjiten Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ndërsa Sporti i bashkangjitet Ministrisë së Shëndetësisë. Ndërsa cështja e postit të presidentit mbetet e hapur. “Bëhet një formulim i përbashkët për çështjen e Presidentit të Republikës së Kosovës bazuar në draftin fillestar nga LDK që përfshin qëndrimin karshi presidentit aktual, përpjekjen për konsensus dhe kufizimin karshi ujdive eventuale me ish koalicionin e PAN-it”, vijon më tej propozimi i VV. Këtë të martë, Albin Kurti dhe nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi pritën në një takim ambasadorin Uilliam Ualker i cili përsëriti thirrjen për formimin sa më parë të qeverisë së re.