Zeqir Cama: Në bibliotekën e Torontos
Zeqir Cama
Kadaresë
S’e di ç’më shtiu të hyj brënda,
sikur një zë më tha në vesh,
do t’gjesh atë, që ta ka ënda,
te raftet, me kapak të qelqtë.
Dhe për çudi më ndihu fati,
se vate gjuha ku më dhemb,
midis shenjtorëve të artit,
një gur i çmuar, në kalldrëm.
“Kronikë në gur” çokiti xhamin,
t’i bëj test anglishtes sime,
paçka se isha top i bindur,
që s’bëja bukë dot me thërrime.
Të shkretës dorë mezi i pritej,
t’i kthente fletët frap me ngut,
siç kthejnë pllakat e çative,
n’qytetin tënd jugor, të gurtë.
Po fati ndryshe qënkish thënë,
si unë dikush, kish bërë porosi,
të vetmen kopje patën lënë
ta merrte një nga ne të dy.
“It’s for you” – u rrëzëlleva-
jam andej nga është shkrimtari,
në ritin tonë për gaz e morte,
nderohet miku më së pari.
Marrë nga libri i autorit “Nën diellin e Karaibeve”, Botimet Toena.