Albspirit

Media/News/Publishing

FIGURA E POLITIKANIT DHE LUFTËTARIT UAN FILIPI NË LIBRIN E STUDIUESIT ENVER MEMISHAJ

 

Image result for gezim zilja

 

Nga Gëzim Zilja

 

Enver Memishaj (Lepenica) është nga studiuesit dhe historianët më prodhimtarë të periudhës pas viteve 90’-të, por pak i publikuar në median e shkruar dhe atë vizive, indiferencë që vihet re në përgjithësi për gjithë ata, që trajtojnë me vërtetësi e guxim historinë e luftës së shqiptarëve kundër pushtuesve të huaj dhe atë gjatë sundimit të rregjimit komunist. Këto libra bashkë me “Letërsinë e Burgut” bazohen thellësisht në dokumentat e kohës, në kujtimet e të burgosurve politikë dhe paraqisin një të vërtetë ndryshe nga ajo e mësuar në shkolla gjatë periudhës diktatoriale. Në atë kohë të drejtën për të hyrë në arkivat e shtetit e kishte një grup i vogël historianësh që publikonin e gjykonin sipas “porosive të Partisë”, duke shtrembëruar të vërtetën, fallsikuar historinë e duke justifikuar (ky ishte krim) vrasjet e panumërta me dhe pa gjyq të kundërshtrëve politikë nga drejtuesit komunistë para dhe pas luftës. Pas demokracisë gjendja ndryshoi.

Enver Memishaj i etur për të njohur e shkruar historinë u bë një frekuentues i përhershëm në Bibliotekën Kombëtare dhe Arkivin e Shtetit. Çdo ditë do të armatosej me foto, libra e dokumenta që më vonë do të shndërroheshin në libra si “Hysni Lepenica, Komandant i Përgjithshëm i fuqive të Ballit Kombëtar”, “Emblema e një epopeje”, kushtuar Luftës së Vlorës më 1920, veçanërisht figurës pak të njohur deri atëherë asaj të major Ahmet Lepenicës. Këto do të pasoheshin nga studimet kushtuar figurave të Qazim Kokoshit, Isuf Luzajt, disa figurave të tjera të Ballit Kombëtar në rrethin e Vlorës, me librin voluminoz, “Eleminimi i Grupit Komunist të ‘të Rinjve’”, disa libra me karakter historik si ajo e figurave të prefektëve e kryebashkiakëve të Vlorës etj,   përfshirë qindra artikuj shkruar plot vërtetësi e kurajo për ngjarjet e vitit 1997, ku ai është dëshmitar, përbëjnë një vlerë të madhe për studiuesit e historisë së Shqipërisë dhe lexuesin e thjeshtë, në zbardhjen e të vërtetave për shumë ngjarje e figura para dhe pas vitit 1944.

Enver Memishajt karakterizohet nga dëshira, këmbëngulja dhe puna e palodhur që ka bërë e bën në arkivat e shtetit shqiptar por edhe në ato të huaja për zbulimin e dokumentave, shumë nga të cilat botohen për herë të parë.

*       *       *

Image result for uan filipi

Libri i tij, i botuar kohët e fundit i kushtohet një prej figurave  pak të njohura deri tani dhe titullohet: “Uan Filipi, politikan dhe luftëtar i çështjes kombëtare”. Në parathënien e tij autori shkruan: “Në këtë libër jam munduar të paraqes jetën dhe veprimtarinë e Uan Filipit, patriotit, që e lidhi jetën e tij me fatin e atdheut. Arsyet pse atdhetari dhe luftëtari Uan Filipi është përmendur fare pak dihen. Ato janë politike pra s’kanë të bëjnë me të vërtetën dhe historinë”. I mbështetur në fakte dhe dokumentat e shumta autori është i bindur se ky libër jo vetëm nxjerr në dritë figurën e atdhetarit Uan Filipi, por njëkohësisht shërben si një dëshmi për krimet e komunizmit ndaj figurave të shquara të popullit shqiptar. Në libër mësojmë se Uan Filipi u lind në fshatin Mbrostar të Fierit më 1901 dhe mbaroi studimet në kolegjin e famshëm arbëresh të asaj kohe, Shën Demetrio Korona. Veprimtaria e tij patriotike nis qysh në Itali, në moshë fare të re në organizat revolucionare të ngritura atje dhe më vonë në Shqipëri. Ai do të ishte një nga bashkëpuntorët e ngushtë të Hysni Lepenicës me të cilin e lidhte jo vetëm ideali por edhe një miqësi e sinqertë. Më 1935 e gjejmë si pjesëmarrës në kryengritjen antizogiste, arsye për të cilën dhe u burgos. Fillimisht ai militoi në grupin komunist “Zjarri”, më pas kaloi në organizatën e “Ballit Kombëtar” dhe mori pjesë aktive në luftën kundër pushtuesve. Ishte njëkohësisht nga organizatorët kryesorë të themelimit të Partisë Socialdemokrate .

Këto do të ishin dhe ‘mëkatet’ e tij kryesore që më vonë do të arrestohej e dënohej me vdekje. U akuzua se:“…ka qenë iniciator i formimit të Komitetit Qendror të Ballit Kombëtar, që kishte si qëllim rrëzimin e pushtetit popullor dhe kishte  lidhje me të arratisurit brenda e jashtë Shqipërisë”. Gjykata e Lartë Ushtarake me vendim nr. 25 datë 21.01.1948 e dënoi me vdekje me pushkatim vendim, i cili u zbatua menjëherë. Në libër dhe kjo përbën një nga vlerat më të mëdha të tij, botohen dokumenta të nxjerra nga arkivi i shtetit, ku jepet procesi i dënimit të Uan Filipit dhe grupit të dytë të deputetëve. Në dokumente jepen hollësi sesi prokurorët komunistë vetëm me një urdhër të shefit të tyre Enver Hoxha, montonin gjyqe të turpshme, duke sajuar fakte për të  vrarë e burgosur (shpesh edhe pa gjyq)  elitën e inetektualëve shqiptarë, që punuan e luftuan për një Shqipëri të lidhur me perëndimin demokratik e jo me lindjen komuniste. Në libër jepet dokumenti, një faqe A4,  që shpreh pretencën e prokurorit. Midis të tjerash aty thuhet: “… Populli i vendit tonë është duke pritur një verdikt të drejtë dhe ky verdikt mund të jetë VETËM ÇDUKJA FIZIKE E UDHËHEQËSVE TË ORGANIZATAVE TË TYRE… Datë 13.01.1948. Prokurori i Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, Kap i I , Nevzat Haznedari”. Para këtyre pohimeve se kundërshtari mundet vetëm duke u asgjësuar fizikisht, kupton rrugën e gjatë 45 vjeçare të sundimit  komunist që është një vazhdë e pambarimtë gjaku, e torturave dhe vrasjeve të njerëzve (një pjesë ende pa varr) në emër të doktrinës çnjerëzore komuniste. Shkrimtari i madh Petro Marko, në një intervistë, qershor 1991, në gazetën “Republika” do të shprehej për Uan Filipin dhe atë brez të mrekullueshëm intelektualësh atdhetarë, që diktatura i çoi drejt vdekjes: “Unë shoh se së shpejti dielli i lirisë do t’u ndrij në ballë atyre, mbi të cilët në këtë gjysëm shekulli u hodh vetëm baltë, siç u hodh baltë mbi të gjith popullin shqiptar. Hasan Reçi, vëlla, dhe tërë ju shokë pa varre! Ti Galip, Uan( Filipi), Sinan, Spiro, Kolë e ju të tërë me radhë , më besoni, shpirti m’u lehtësua sot, që erdhi dita të mund të shkruaj për ju këto radhë, falë demokracisë dhe lirisë së vërtetë që po agon! Brezi i ri do të shkruaj historinë e vërtetë”.

Enver Memishaj është një studiues i vëmendshëm, shumë pasionant dhe dashuron ose urren me të njejtën forcë figurat me të cilat merret dhe hera-herës (me shumw elegancë) megjithë dokumentat e shumta që ai na paraqit, mban anën e të ‘tijëve’, dmth figurave që simpatizon e mundohet t’i nxjerrë idealistë, të qëruar e pa ‘mëkate’. Kjo dukuri jo e shpeshtë, nuk ia ul aspak vlerat librave të tij, të shkruara plot dëshirë e që na japin e informojnë për ngjarje e individë, që kohë më parë janë trajtur jo me vërtetësi e plot urrejtje nga historianët marksiste-leninistë.

Sasia e dokumentave që autori paraqet është aq e plotë, e larmishme dhe e renditur kronologjikisht sa studjuesi ose lexuesi i vëmendshëm mund të nxjerrë përfundimet e tij, e të mos jetë dakord me përfundimet e autorit. E kjo është një vlerë tjetër e librit. Një vrejtje tjerër mund t’i bëhet autorit (gjithmonë mendimi im) e që bie në sy edhe te historianë e studiues të tjerë të djathtë, përfshirë dhe  “Letërsinë e Burgut” ku përshkruhen masakrat çnjerëzore dhe vrasjet e panumërta të sigurimit të shtetit dhe të udhëheqjes komuniste, është të përdorurit rëndom fjalët: “Bishat komuniste”, “Kanibalët komunistë”, “Komunistët, këto krijesa vëllavrasëse” etj. etj. Këto etiketime përgjithësuese nuk janë plotësisht të vërteta sepse jo të gjithë  komunistët ishin kriminelë dhe vrasës. Kam njohur plot komunistë të ndershëm, që nuk kanë ngopur barkun me bukë, që kanë jetuar me djersën e ballit e janë përcjellë në banesën e fundit me rrobat e punws. Sigurisht kanë qenë të indoktrinuar por nuk duhen ngatëruar me drejtuesit, prokurorët, spiunët, gjykatësit dhe ekzekutorët që shpallën vendimet dhe tërhoqën këmbëzën e armës duke vrarë njerëz të pafajshëm. Në një tregim me titull “Kush e vrau Balilin” të shkrimtarit dhe përkthyesit të njohur të letërsisë hispanike Bajram Karabolli lexojmë këtë fragment:

Balili i foli prapë Kasëmit (para se ta vriste):

– Pse ma bën këtë, o njeriu i mirë?
– Kështu do t’ua bëjmë të gjithëve atyre që s’i duan komunistët, – i ktheu përgjigje me mospërfillje Kasëmi.
– Po unë nuk dua komunizmin, jo komunistët. Ti je vëllai im, le të jesh komunist. Ashtu të pëlqen”.

Në këto studime, monografi apo romane mjafton dokumenti, kujtimet e besueshme dhe emrat e prokurorëve e kriminelëve (Enver Memishaj nuk i kursen aspak në libër dhe i jep me emër e mbiemër) që nuk ishin të pakët. Në vepër gjejmë ndonjëherë dhe përsëritje të ngjarjeve ose përshkrime të personazheve. Një redaktim e korrektim më i vëmendshëm do ta bënte librin edhe më me vlerë nga ana gramatikore por kjo nuk është punë e historianit apo shkrimtarit.

Me daljen në dritë të këtij libri do të njihemi plotësisht me një nga patriotët e Ballit Kombëtar, që luftoi pa kompromis për çlirimin, vendosjen e demokracisë në Shqipëri dhe u vra pabesisht nga shokët e tij, dikur të një ideali.

 

Please follow and like us: