Albspirit

Media/News/Publishing

Orieta Kristo, një grua në biznes që ka realizuar ëndrrën amerikane

 

Uashington, 18 janar 2020 – Orieta Kristo emigroi nga Shqipëria në Shtetet e Bashkuara në moshën 14 vjeçare, pa ditur pothuajse fare anglisht. Sot ajo është drejtuese ekzekutive e një kompanie të suksesshme sigurimesh që e themeloi para 5 vjetësh, “Horizon Insurance”. Zonja Kristo është përzgjedhur nga Revista e Biznesit e Usterit, në Shtetin e Masaçusetsit, si një nga 40 profesionistët e suksesshëm nën moshën 40 vjeç për vitin 2019. Në një intervistë me Zërin e Amerikës, zonja Kristo foli për karrierën e saj, balancimin me jetën personale dhe përkushtimin ndaj komunitetit shqiptaro-amerikan në qytetin e saj dhe në shtetin e Masaçusetsit.

Për Orieta Kriston, vendimi për të hapur një biznes të vetin nuk ishte i lehtë. Ajo kishte një karrierë të stabilizuar, në një nga kompanitë më të mëdha të sigurimeve “Liberty Mutual”. Por…

“Nëqoftëse intuita më thotë që kjo është gjë e mirë, kjo është gjë e drejtë dhe që do ia dalësh mbanë, unë futem me kokë, le të themi. Dhe më pëlqeu shumë ideja që mund të bëja diçka timen, që të krijoja një lloj kulture, ose njerëz që do më rrethonin, të jenë njerëz si puna ime, pozitivë, duan që të ndihmojnë komunitetin shqiptar”.

Zonja Kristo e themeloi kompaninë “Horizon Insurance” në vitin 2014. Sot ajo u shërben 3,500 klientëve në shtetin e Masaçusetsit, duke plotësuar nevojat e tyre për sigurime automjetesh, banesash, të jetës dhe të bizneseve të tyre. Kompania e saj ka siguruar afro 5 milionë dollarë në shitje.

60 për qind e klientelës së kompanisë vjen nga komuniteti shqiptar në zonën e Usterit dhe Bostonit në Masaçusets.

“Këtë komunitet e kam pikë të dobët sepse kur unë erdha fillimisht me familjen time isha vetëm 14 vjeç dhe ka qenë shumë komunitet i vogël, kanë qenë 10 ose 15 familje të sapoardhura nga Shqipëria dhe nuk po flas për shqiptaro-amerikanët”, thotë ajo për valën e dytë të emigracionit të shqiptarëve që kanë ardhur në Uster, pas viteve ’90. Vala e parë ishte ajo e fillimit të shekullit të kaluar.

“Dega e sigurimeve, sidomos për shqiptarët e sapoardhur është shumë e ndërlikuar dhe ne mundohemi t’ua shpjegojmë atyre në një mënyrë që ta kuptojnë dhe të zgjedhin produktin që ata duan, kur vjen puna për mbulimin e makinës, apo për mbulimin e shtëpisë.”

Gentian Andoni, që ka një biznes për shitje makinash të përdorura, thotë se ekipi i “Horizon Insurance” ofron planet më të mira për nevojat e familjes dhe punës.

“Gjë e mirë është që pothuajse gjithë ekipi është shqiptar, e bën më kollaj të komunikojmë dhe për klientët tanë shqiptarë që duan sigurime nga kjo kompani, për punën e tyre, për makinat që blejnë nga unë dhe çdo gjë është perfekte”, thotë ai.

Një e veçantë e tjetër e “Horizon Insurance” është mosha e re e ekipit: mesatarisht 33 vjeç. Pothuajse i gjithë ekipi përbëhet nga gra. Atmosfera me ngjyra të çelëta, plan të hapur, dekor të gëzueshëm dhe me shprehje frymëzuese, është një reflektim i vetë ekipit dhe botëkuptimit të zonjës Kristo.

“Gjithmonë e shikoj gjënë me shumë optimizëm dhe jeta është e tillë kur do kesh edhe fundosje dhe ngritje. Dhe gjithmonë nëse kam qenë në pjesën e fundosjes le të themi, nuk e kam parë veten si viktimë, por e kam parë … ‘OK, kjo pjesë jete çfarë po më bën të mësoj dhe nganjëherë them ‘mezi prej sa të dal nga ky vend (kjo situatë) dhe dua të shikoj sa e fortë do dal’”, thotë ajo.

Në punë dhe në jetë, ajo niset nga premisa se çdo njeri, në fund të fundit, do që të jetë sa më i lumtur dhe çdo gjë që bën, vjen nga një lloj dëshire për jetën.

“Marrëdhënia me njerëzit, sidomos në këtë biznes është shumë e rëndësishme. Klientët vijnë këtu për një lloj halli dhe ne gjithmonë i presim mendjehapur, që ky person ka nevojë për një lloj ndihme dhe i bëjmë që të ndjehen shumë rehat kur vijnë këtu dhe për pyetjet që kanë…”.

Megjithëse shumica e punonjësve në industrinë e sigurimeve në Shtetet e Bashkuara janë gra, pjesa më e madhe e drejtuesve ekzekutivë janë burra. Zonja Kristo thotë se në punë nuk e sheh veten si femër ose mashkull, por si person biznesi.

“Gruaja është shumë e fortë, jo vetëm në shtëpi apo që të rrisim fëmijët, ose të ndihmojmë familjen, por gruaja është shumë e fortë edhe në biznes. Ne kemi një lloj intuite që – dhe nuk është se po ul meshkujt fare, aspak – por e kemi atë intuitën, mbase që jemi edhe nëna, fëmija mund të ketë diçka që është sëmurë, është vrarë, ne e ndjejmë dhe në biznes kjo të ndihmon jashtë mase në shumë vendime”.

Ajo e themeloi kompaninë, kur i kishte fëmijët të vegjël, por sot thotë se e ka gjetur çelësin e balancës.

“Kur jam në punë, jam në punë, jam dikush që po i jap drejtim kompanisë dhe nuk jam mama, nuk jam grua dhe nuk jam vajzë apo motër dhe kjo më bën të jem shumë e fokusuar pa menduar se çfarë po ndodh nga ana tjetër.”

Dhe pastaj është pjesa tjetër:

“Dhe kur jam në shtëpi jam mami Ori, jam bashkëshorte, jam motër, jam vajzë dhe nuk e marr punën në shtëpi. E vendosa që në fillim që nuk do mpleks biznesin me jetën time familjare, sepse në të njëjtën kohë nuk do jem mama e duhur, nuk desha të mbaj telefon në duar që fëmija të më mbajë mend me telefon në dorë. Ky vendim më ka bërë që të eci si në jetën familjare, ashtu edhe në biznes.”, thotë ajo.

Pjesë e balancës në jetën e saj, është edhe kujdesi për veten jo vetëm fizikisht por edhe mendërisht dhe emocionalisht, duke zgjedhur pozitivitetin.

“Në të njëjtën kohë i lejoj vetes edhe ditë të këqija dhe ansjëherë nuk them ‘Orieta pse, ose t’i flas keq vetes sime’. Kemi ditë të këqija plot, por kemi edhe ditë të mira, sepse një lule që të rritet do dhe diellin, por do edhe shiun”.

Zonja Kristo ndihmon komunitetin shqiptaro-amerikan, me punë vullnetare, ose duke dhënë fonde për aktivitete të ndryshme jo vetëm në Uster, siç thotë Mark Kosmo, kryetar i Fondacionit “Global Albanians” në Boston.

“Është një nga anëtaret e komunitetit që gjithmonë na ka ndihmuar, jo vetëm me dhurime por edhe si shoqatë shqiptare e Masaçusetsit. Na ka ndihmuar me sigurimet që duhet të kemi për shkollën shqiptare në Boston, ka bërë gjithë punën për kompaninë time, për sigurimet e mia personale, për 5 vjet dhe për mijëra shqiptarë”, thotë ai.

Përfshirja në listën e 40 profesionistëve të suksesshëm nën moshën 40 vjeç nga Revista e Biznesit e Usterit, ishte kurorëzimi i një rrugëtimi të pazakontë.

“Ishte një domethënie e madhe për mua, jo vetëm e ardhur këtu në Amerikë në moshën 14 vjeçare, nuk flisnim asnjë llaf anglisht, por një grua në biznes dhe çdo gjë e kam bërë në jetën time vetë.”

Një peng i zonjës Kristo ishte që nëna e saj Valentina, nuk arriti ta shihte këtë vlerësim ndaj saj, pasi vdiq para tre vjetësh nga kanceri.

Ajo ia dedikon asaj suksesin, duke thënë se praninë e saj e ndjen çdo ditë.

“’40 under 40’ ia dedikoj asaj, që t’i them ‘mami, bravo, bëre shumë punë të mirë me mua.”

Familja është motivimi kryesor në jetë i zonjës Kristo.

“Dua që fëmijët e mi të jenë krenarë për mua dhe gjithmonë çohem në mëngjes dhe mendoj ‘OK, dua të bëj dy ose tre gjëra që në radhë të parë, dua të bëj veten time krenare dhe në radhë të dytë si mund t’i jap një buzëqeshje një personi’”.

(Keida Kostreci, Zëri i Amerikës)

Please follow and like us: