Gazeta suedeze: Metamorfoza e Enver Hoxhës nga qejfli si playboy te beu i majmur
“Enveri një burrë inteligjent, adhurues i Stalinit e Maos, del rrallë në publik por është prezentë kudo, pasi emri i tij shkruhet deri në shpate malesh, populli inkurajohet të bëjë “Fletë Rrufe”, një sahtaçi në rrugën kryesore shet rripa orësh, pa orë, Mapo-t, lokale të mëdha trishtuese pa ndriçim, Opera nuk jep asnjë çfaqje, i vemti argëtim, klubi i natës te Hotel “Dajti”, ku të gjitha tavolinat janë bosh dhe vetëm njëra me dy polic, nata në Tiranë e vdekur…/ Shënimet dhe mbresat e gazetarit suedez…
Jeta në Tiranë
Nga numri i shumtë i dyqaneve të vegjël t’atëhershëm kanë mbetur tani vetëm pak, por edhe ata nuk kanë shumë gjëra për të ofruar. Më kujtohet një sahatçi në rrugën kryesore, i cili shiste rripa orash por jo orë. Jeta tregtare, është e përqëndruar në magazina shtetërore, që quhen MAPO që do të thotë “Magazinë Popullore” lokale të mëdha trishtuese me pajisje të errëta, që të kujton po të njëjtat magazina në Pekin, dhe atje ka mungesë mallrash nëpër raftet. Çmimet të bëjnë të shtangësh. Rroga mesatare e punëtorit është midis 250 dhe 500 kruna (kronor)* Monedha suedeze kronor kr. (shën. përk.) në muaj dhe kjo e fundit në raste të veçanta. Dhe të gjitha të thjeshta ose të thuash të drejtën primitive. Cilët janë ata shqiptarë që kanë mundësi me ble në këto MAPO? Përsa u përket njerëzve, janë pyetje të tjera që nuk mund të hesht edhe pse ndoshta mund të cilësohet si tragjike. Kur mbaroi lufta statistika zyrtare e dëmtimeve të Shqipërisë, përmbante dhjetëra mijëra invalidë. Nëpër muzetë e luftës, që ndodhen në të gjithë qytetet e mëdhenj të vendit përsëriten gjithnjë këto të dhëna. Ku ndodhen ata tani? Gjatë dy javëve udhëtimi këtu nuk kam parë asnjë invalid. Çfarë i ka gjetur pleqtë? Pleqtë mund të numërohen në gishtat e njërës dorë. Kam përshtypjen se vendi përbëhet vetëm nga popullsia e moshës së punës dhe fëmijë. Ka të ngjarë, që nënshtetasit jo produktivë të jenë në kampe përqëndrimi ose të izoluar në fshatra të izoluara, por çdo pyetjeje për të vizituar një azil invalidësh-ose azil pleqsh; përgjigja e menjëhershme është negative. Në një shtet komunist, që ndodhet në epokën e hekurit dhe që si e tillë çdo gjë vlerësohet pas shkallës së dobishmërisë, këto vëzhgime duken shqetësuese.
Kjo Tirana, e shpëlarë dhe vetëm me një alternativë, ku të pasurit nuk ekzistojnë më dhe fukarenjtë duken më pak fukarenj, është një qytet i ri. Jo më pak, ka diçka, që është fare e njëjtë dhe që tregon se veçoritë orientale tek shqiptarët janë të gjalla; nepotizmi. Nëse dikur shëtisje në rrugë pasi të errësohej duhet të kishe kujdes mos shkoje afër një zone të madhe, të rrethuar me mur betoni. Ajo ruhej rreptë: post rojet vëzhgonin me dyshim të gjithë kalimtarët, tek-tuk shihje ndonjë grykë automatiku në frëngji. Brenda mureve banonte Zogu bashkë me nënën e tij dhe gjashtë motrat, të gjithë aktivë në politikë. Pozitat e larta zakonisht ishin të zëna me fare fis të familjes mbretërore, që për arsye të rrezikut të ndonjë atentati nuk dëshironin të dukeshin jashtë rezervatit të tyre të mirëmbrojtur. Shteti drejtohej si ndërmarrje familjare me monarkun si drejtor ekzekutiv, anëtarët e familjes si kryesi dhe fisi si aksionarë. Sistemi nuk ka pësuar ndonjë ndryshim të thellë. Shqipëria e sotme është një ndërmarrje familjare komuniste. Zotërinjtë e rinj kanë ngritur një lagje me vila për veten e tyre, që siç duket janë inspiruar nga qyteti i ndaluar i kohëve të kaluara, Pekini.
Kjo është e izoluar si një shtatmadhori ushtarake në kohë luftë. Nëse i afrohesh të përzënë rojet e armatosura mirë, që duken se janë edhe më shumë se në kohën e Zogut dhe përveç kësaj kanë edhe qenë kufiri (schefer). Në këtë qytetin e ndaluar (Blloku) jetojnë edhe tri familjet që bashkë-qeverisin Hoxha, Shehu dhe Kapo. Figura më dominuese është natyrisht Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Komuniste, ish mësuesi i një shkolle në Korçë, Enver Hoxha, pastaj vijnë dy veteranët e partisë Shehu që është Kryeministër dhe Kapo, që është numër dy i partisë. Zonjat Hoxha, Shehu dhe Kapo janë super aktive komuniste dhe anëtare të shquara të Komitetit Qëndrorë të Partisë, që në Shqipëri dhe në demokracitë e tjera popullore përbëjnë bazën e pushtetit. Në postet e tjera kyçe gjenden sërish vëllezër, kunetër dhe kushërinj. Vetëm Hoxha është kujdesuar pra, të ketë vënë në detyra të rëndësishme një vëlla, një dhëndër dhe gjashtë kushërinj. Kjo botë, që është si një fis, jeton për veten e vet. Herë – herës del, Enver Hoxha, së bashku më bashkëpunëtorë dhe i rrethuar nga policë, për të përuruar apo të mbaj fjalim dhe pastaj kthehet në lagjen e tij si një zot fortese në kështjellën e vet. Se si shkon jeta mbas murit rrethues (Blloku) me post roje nuk e di askush i jashtë. Jetojnë zotërinjtë e vendit po aq thjeshtë si shqiptarët? Përgjithësisht kjo mbahet sekret?
Thashethemet që pëshpëriten brenda trupit diplomatik në Tiranë, ku çdo shef ambasade e konsideron postin që ka si një formë dënimi dhe përfaqësitë e huaja perëndimore kufizohen në dy: ambasadorët e Italisë dhe Francës. Por për shqiptarin e zakonshëm, që ende është një copë orientalisti, çështja nuk përbënte ndonjë interes të madh. Komunist ose jo, ç´është më e natyrshmja se ai që i’a arrin të marrë pushtetin rregullon fisin e vet, ai vendos pjesëtarët e familjes në poste kyçe, nga të cilat poste varet pozita e tij, dhe shijon më të mirën e jetës…? Që Enver Hoxha, para njëzet vjetësh dukej si një qejfli shtathedhur (playboy), tani duket si një bej i majmur asnjeri nuk çuditet për këtë. Nisur nga këndvështrimi shqiptar e kundërta nuk do të ishte e natyrshme.
Kur bëhet natë Tirana duket si qytet i vdekur. Llamba të forta ndrisin rrugët e braktisura. Por llamba e vajgurit, që ndriste aq qetë më parë, nga busti i Sulejman Pashës në xhami dhe thuhej se kurrë nuk është shuar sikurse flaka e përjetshme nën Harkun e Triumfit *Harku i Triumfit (180-1836) ndodhet në qendër të Parisit: Napoloni vendosi ta ndërtoj si kujtim për fitoret e mëdha ushtarake, aty është edhe varri i ushtarit të panjohur. (shën. përk.) nuk ekziston po ashtu as edhe varr. Sulejman Pasha qe një çifligar, që themeloi qytetin dikur në vitet 1500, dhe Enver Hoxha siç duket mendon se varret kapitaliste të kohës së kaluar, s`kemi pse t´i ruajmë. Opera fatkeqësisht nuk jep asnjë shfaqje, dhe nëse duhet të kaloj mbrëmjen, mbetet veç klubi i natës në hotel “Dajti”. Në fakt ka një klub nate, bile është i pajisur edhe me një tabelë ndriçuese. Banorët e Tiranës s´mund t´a vizitojnë këtë klub. Lokali është veç për të huaj dhe shpresat janë, se ata do të këmbejnë ndonjë kartëmonedhë të shtetit tyre. Të gjitha tavolinat janë bosh përveç njërës, e cila shërben si post-observacioni për dy policë. Pesë muzikantët me gjysmë zemre, fillojnë me tonet e një valsi vjenez, dhe kamerieri vë një mbulesë mbi tavolinë dhe do të dijë nëse do të porosis raki apo lëng limoni.
NJË VËLLA I MADH SHQIPTAR
Edhe nëse është zbutur shumë pak, komunistët vazhdojnë të bëjnë pak a shumë një politikë efektive izoluese për të penguar arratisjen e shtetasve të uritur për liri dhe të pengojnë infiltrimin e ideve antikomuniste. Por Shqipëria e ka zhvilluar me një mjeshtëri të vërtetë këtë sektor special. Natyrisht që ka ndonjë faktor që e lehtëson këtë lloj linje, p.sh. vendi s´është më i madh se Belgjika dhe vetëm përbëhet nga një milion e gjysmë banorë. Sidoqoftë rezultati është mahnitës. Shqipëria është një iriq i mbledhur top me gjembat rreth e qark. Ajo është kundër të gjithë shteteve europiane, kjo është një zotësi dhe i ka mbyll gjithë kufijtë si me vendet kapitaliste të Europës Perëndimore, ashtu edhe me shtetet komuniste të Lindjes. Sipas këndvështrimit shqiptar këta të fundit gjenden në fazën e fundit të shpërbërjes morale dhe konsiderohen si tradhtarë të komunizmit të vërtetë. Kufijtë tokësor me Jugosllavinë dhe Greqinë si dhe bregdeti i Adriatikut patrullohen ditë e natë, hyrjet dhe daljet e udhëtarëve bëhen objekt të një kontrolli rigoroz. Asnjë shqiptar disponon një pasaportë, dhe veç shumë rrallë dhe me shumë zor që një të huaji t´i jepet një vizë.
Politika e turizmit është misterioze. Këtë vit kanë pranuar të lejojnë nja pesëdhjetë e ca turistë “kapitalistë”, që zor se do të derdhin, ndonjë shumë të madhe valute, por kur kanë hyrë brenda shtetit trajtohen si individë të dyshimtë. Për të qenë të sigurt që të mos bëjnë ndonjë djallëzi, policia nëpër dhëmbë thotë, policia shqiptare përbën: në krahasim me popullsinë, forcën më të madhe në botë, dhe kanë urdhra të rrepta që të mbajnë të huajt nën kontroll. Gjatë udhëtimit tim rreth vendit as unë as shokët e mi të udhëtimit nuk kemi mundur të lëvizim në asnjë rast të vetëm pa pasur polic shoqërues, që përveç asaj, as edhe nuk e mbajnë sekret prezencën e tyre. Një turist, që nuk qëndron brenda këtij cakut rrezikon dëbim. Vjet ndodhi që një turist perëndimor, që u mërzit nga atmosfera e rëndë, shkroi “Rroftë Amerika!” në librin e përshtypjeve të një muzeu në Tiranë. Ditën tjetër e përzunë jashtë vendit ushtarakisht (manu militari).
Barriera kundrejt botës nuk kufizohet vetëm me kufijtë. Ata ndërmarrin edhe masa të tjera mbrojtjeje. Libraritë shesin vetëm literaturë propagandiste. Është e pamundur të gjesh një gazetë apo një libër të huaj. Të gjitha letrat që hynë e dalin i nënshtrohen çensurës. Lajmet e ngjarjeve në botë filtrohen nga organe shtetërore para se t’i transmetohen popullsisë nëpërmjet dy kanaleve zyrtare: shtypit dhe radios. Të duket e thjeshtë t’i shmangesh këtij izolimi duke kërkuar radio stacionet e afërta italiane apo jugosllave me një radio private. Po a ka radio private? Pyetja nuk është e pa vend. Udhëtimi im është në pikun e verës, kur gjithë dritaret janë të hapura për shkak të vapës: asnjëherë s´kam dëgjuar ndonjë një zë radioje private. As edhe kam parë radio të shiten gjëkundi, as në 12 magazinat shtetërore as edhe në dyqanet e tjera. Përkundrazi, në çdo qytet ka altoparlantë të mëdhenj në shesh dhe autoritetet me anë të tyre dhe pa mëshirë mbushin suxhukë në aspektin shpirtëror. Përsa i përket zhvillimit të ngjarjeve ndërkombëtare, shqiptarët janë populli më i painformuar i Europës. Dhe me Kinën si të vetmin mik dhe gjithashtu më të largëtin, është populli më i vetmuar në botë.
Po ç´klimë e mrekullueshme për një diktator, që të kujton Vëllain e Madh në romanin e Orvellsit (Orëells) 1984! Enver Hoxha (ose Hoxha sikurse shkruhet emri i tij shqip) fillimisht ka qenë mësues dhe jepte mësim në shkollën franceze në Korçë, ku ai si shumë revolucionarë të tjerë shqiptarë gjithashtu ka qenë edhe nxënës. Ai tani është gjashtëdhjetë vjeç, shefi më i lartë i partisë dhe kështu udhëheqësi me pushtet absolut mbi popullin shqiptar. Është një burrë inteligjent. Ndërsa Rusia e mbante Shqipërinë nën sqetull, zakonisht ai vizitonte Stalinin, dhe thuhet se ushqente respekt të madh për kokën e zgjuar të tij. Tash udhëtimet shkojnë në Pekin atje tek mbrojtësi i ri Mao, për të cilin, duket se ka po të njëjtën konsideratë. Organizimin e kultit të individit, të cilin e ka shfrenuar fare për hesap të vet, dëshmon pa mëdyshje aftësi. Me emrin Enver-pa mbiemrin-paraqitet ai si vëllai i Madh i Shqipërisë. Ai shihet shumë rrallë por është prezent gjithkund. Në çdo shoqëri ka lejuar që t´i ngrenë një bust në ngjyrë si të argjend ose të artë, që paraqet atë vetë me pamje autoritare e me gjoks të hedhur, dhe zëri i tij gjëmon nga altoparlantët nëpër sheshe. Ditë dhe natë u kujtohet shqiptarëve ekzistencën e tij. Vetura ngjitet përpjetë një mali të lartë dhe papritur sheh poshtë në një luginë të gjerë; në një shpat mali në anën tjetër me shkronja gjigante ENVER, të formuara me gurë te bardhë. Kudo nëpër vende në lëndina pyjesh dhe faqe malesh shkëlqen ENVER, bile edhe më shpesh se sa shikon afishe reklame për aperitivin Dubonnet në Francë apo konjakun Osborne në Spanjë. Nëpër qoshe rrugësh ka tabela me citate nga fjalimet dhe shkrimet e tij dhe me nënshkrimin me një fjalë të vetme: ENVER. Kur errësohet, në qytetin bregdetar të jugut Sarandë, ndizet një reklamë ndriçuese shumë e madhe me shkronja të kuqe: ENVER. Çfarë qëndron në çati të qytetit malor të Gjirokastrës? ENVER. Po në atë qytet kanë restauruar shtëpinë e lindjes tij, që përveç kësaj ka një karakter të çuditshëm. Ky diktatori i kuq ka një prejardhje borgjezie të lartë: babai kishte prona të konsiderueshme të kultivimit të duhanit dhe shtëpia në stilin turk është tipike e një çifligari. Oxhaqe të bukur, tavane të pikturuara bukur, gdhendje të bukura në dru… Në fotografi të panumërta mund të admirosh Enverin si luftëtar partizan, ligjërues tubimesh, gjeneral dhe baba i kombit, dhe gjithë kjo nis si një pelegrinazh ashtu sikurse në shtëpinë e Maos në Hunan. Nëpër qytet afishe të mëdha lajmërojnë se edhe Shqipëria tani ka nxjerrë librin e vogël të kuq: shtypshkronja shtetërore boton një përzgjedhje më të mirë të mendimeve të Enverit në një format të përshtatshëm. George Orwell (1903-1950) Dhe pak më tutje, një pllakat e madhe, që i bën thirrje popullit shqiptar: “NE GJITHMONË DHE PLOTËSISHT DO TË PËRMBUSHIM POROSITË E ENVERIT!”
Çfarë porosit ai është përpara së gjithash punë. Prej kësaj Tiranës së ndaluar derdhen një lum urdhrash, direktivash dhe ri-kujtesash për autoritet rajonale. Prodhimi duhet të rritet në Kombinatin e Tekstilit Stalin, hidrocentrali “Karl Marks” duhet të zmadhohet. Pse punohet kaq ngadalë për ngritjen kullës së re të shpimit në fushën e naftës në jug të Vlorës, pse nuk shihen më shumë flamuj nderi në fabrikën e Trikotazhit në Korçë, (një punëtori, që është më efektiv, i vihet një flamur i vogël trekëndësh mbi makineri), pse fabrika e Elbasanit jep aq shifra të ulëta?. Me që kooperativa e Ohrit ka punuar mirë i jepen më shumë vende pushimi se sa vitin e kaluar për në plazhin shtetëror të Durrësit…?!
Këtu përzien lavdërime dhe qortime kështu që vë punëtorët pa ndërprerje nën presion, por askush nuk mund t´a mohoj, se punohet. Brenda trupit diplomatik është përshtypja anonime në këtë pikë. Duke marrë parasysh varfërinë e vendit dhe mungesën e burimeve, rezultatet janë shumë të mëdha. Sikurse një observator i Europës Perëndimore shprehet: njeriu copëtohet midis admirimit për rezultatin dhe neverinë kundrejt metodave.
Pakënaqësia drejtohet jo vetëm kundër persekutimit në punë. Vëllai i madh përdor gjithashtu edhe një mjet tjetër shumë më efektiv, të atij lloji, që mund të ngrijë gjakun në damarët e një europiani perëndimor. Qëllimi kryesor që populli stërmundohet deri në të pamundshmen është me anë të një organizimi shumë të fortë të sistemit të denoncimit kundër njëri tjetrit, i cili shkakton një tmerr tek çdo shqiptar. Ai bën më të mirën sepse nuk guxon tjetër gjë. Regjimi ka urdhëruar, që të vihet një tabelë e madhe shpalljesh në një vend të dukshëm në çdo komunitet me titull “FLETË RRUFE”, që do të thotë “Gazeta rrufe”, “rrufetë” janë akuza kundër këtij apo atij. Radioja dhe shtypi e përsërisin gjithnjë, se është detyrë e çdo patrioti t´a shfrytëzojë tabelën për të denoncuar atë, që sillet keq. Një burrë apo grua e tillë është armik i/e popullit. Në një qytet në veri të vendit munda të bind një nëpunës muzeu që fliste frëngjisht që të më përkthente disa nga ato bukurshkrimet me tekste denoncuese. Një person akuzohej se kishte shkuar vonë në punë, një grua damkosej se dilte me funde të shkurtra dhe për dy banorë qyteti kishte fakte se kanë prirje reaksionare sepse kanë organizuar një ceremoni fetare në shtëpinë e tyre. Emrat e të gjithëve ishin shkruar qartë bile edhe nënvizuar. Por pati edhe të tjera edhe më serioze. Kryetari i një kooperative bujqësore akuzohej se kishte dhënë shifra fallco të prodhimit, dhe për një nëpunës thuhej se shoqërohej me shtetas të huaj.
I përket realitetit se “rrufetë” duhet të jenë të firmosura dhe kushdo, që sulmohet, është i detyruar të përgjigjet me shkrim brënda tri ditësh dhe t’a varë në tabelën në fjalë. Përgjigja kontrollohet nga një “gjykatë” e cila vendos dhe në qoftë se është vepër penale cakton edhe dënimin. I padituri mund të jetë prezent në “gjyq” edhe mund të flasë. Por ai nuk ka fare të drejtë të ketë avokat, sepse para një viti është ndaluar profesioni i avokatit. Regjimi ka deklaruar se gjykatësit janë krejtësisht të aftë që të dallojnë të bardhën nga e zeza, dhe se si rrjedhim avokatët nuk kryejnë ndonjë funksion në dobi të shoqërisë. Vetëm perspektiva se mund të detyrohesh para përgjegjësisë dhe para një gjykatësi të plotfuqishëm dhe me pamundësi të një ndihme juridike mjafton për të futur tmerr dhe mbanë cilindo shqiptar në tension dhe ankth të vazhdueshëm. Nuk duhet shumë fantazi të imagjinosh se çfarë klime dyshimi, kujdesi dhe ankthi që rrjedhimisht dhe domosdo shkaktojnë tabelat e turpit dhe veçanërisht në shoqëri të vogla ku të gjithë e njohin njeri tjetrin. Dhe se si ky sistemi i turpshëm duhet të joshë njerëzit për abuzime kundër ndonjëri nga inati ose për të shkatërruar një konkurrent. Është frika se mos të godasë ndonjë “rrufe” nga qielli i kthjellët që i bën njerëzit të heshtur? Kjo është diçka që ndesh çdo vizitor në Shqipëri. Kurrë nuk dëgjon ndonjë murmurimë kur hyn në derën e një kafeneje plot me njerëz, dhe është për t’u habitur se sa pak të duket se kanë shqiptarët për të folur me njëri tjetrin kur shëtisin gjatë rrugës krah për krah. Mbretëron një heshtje e çuditshme rrugëve, edhe kur njerëzit kthehen për në shtëpi pas mbarimit të punës. Ato janë plot me njerëz por heshtja është e njëjtë.
Vëllai i madh mbanë sistematikisht një atmosferë në gjëndje lufte. Shqipëria përshkruhet si një popull i cili pas qindra vjetësh tiranie u çlirua për herë të parë më 1945 nga Partia Komuniste dhe Enver Hoxha, por që gjithmonë kërcënohet nga rreziqe të mëdha si nga brënda ashtu edhe nga jashtë (sipas këtij këndvështrimi vëndi nuk qe i lirë as gjatë viteve tridhjetë: Mbreti Zog qe një vasal italian). Brënda kufijve ri-ndodhet rreziku te shqiptarët, që për shkak të përtacisë ose të karakterit të ulët nuk bëjnë një punë me rendiment të mirë, dhe të cilët duhet të luftohen nëpërmjet tabelave “FLETË RRUFE”. Nga jashtë vendi kërcënohet nga forca dashakeqëse reaksionare, që duan t´i privojnë pavarësinë, po njësoj sikurse ka qenë e kërcënuar në të gjitha kohët nga popuj të huaj. Këtu ndodhemi përpara një fati të vërtetë historik, që çdo shqiptar duhet ta ruaj në zemër, thotë udhëheqësi i vendit.
Për ta ndriçuar këtë tezë nënvizojnë gjithçka, që ka të bëj me rezistencën kundër pushtuesve të huaj. Princi shqiptar Skënderbeu, i cili luftoi aq trimërisht kundër turqve para 450 vjetëve, e kanë emëruar i shenjti i kombit, kështu princi qe ai. Kopje të përkrenares dhe shpatës (origjinalet ndodhen ne Vjenë) janë në ekspozitat e të gjithë qyteteve. Urdhri “Skënderbe” është si ai i legjionit të nderit në Shqipëri. Përndryshe vendi është mbushur plot me muze lufte, të gjitha ekzakt identike, ku i rikujtojnë popullatës lokale për luftën e rezistencës së lëvizjes komuniste kundër trupave të okupatorëve italian e gjerman gjatë Luftës se Dytë Botërore. Sallat janë mbushur me fotografi, armë, uniforma dhe mjete torture, që kanë përdorur shtypësit. Nganjëherë muzetë gati të duken komike. Në Elbasan me një seriozitet të madh treguan një vezë krejt të zakonshme, dhe thanë që gjermanët e kishin zakon ta zienin dhe i’a futnin anëtarëve të rezistencës në gropën e sqetullës për t´i detyruar të jepnin informata. Mbas këtij sfondi super nacionalist, prezantojnë situatën aktuale. Lufta vazhdon. Që bota kapitaliste përpiqe ta rrëzojë Shqipërinë komuniste, është fare e natyrshme. Por Rusia dhe shtetet e Lindjes po shkretohen nga kalbëzimi i tmerrshëm, se po tradhtojnë komunizmin dhe po kthehen në shtete të maskuara kapitaliste, të cilat përbëjnë një rrezik serioz. Nëpërmjet gazetave ditore, qindra librave dhe broshurave dhe fjalimeve të panumërta në radio, indoktrinohen shqiptarët me përshkrime plot urrejtje kundër veprimeve rrënuese të revizionizmit, aq sa edhe kinezët vet s´kishin mundur ta bëjnë më mirë. Përgjatë rrugëve të vendit kanë ngulur tabela paralajmëruese. Mua më kujtohet një tabelë e tillë afër Pogradecit: “Shqiptar! Mos harroni se jemi të rrethuar nga kapitalistë dhe revizionistë!” Nuk ka dyshim se, efekti i kësaj propagande intensive i’a arrin qëllimit: nacionalizëm dhe ksenofobi.
Nuk ka fare dyshim se Vëllai i Madh i Shqipërisë, shkakton një shok, tek çdo njëri që pati fatin ta njohë vendin, para se të transformohej në një demokraci popullore të modelit stalinist dhe kinez. Nuk bëhet fjalë për përparimin material, që s´do të ishte e drejtë të mohohej, tronditja është ajo e formës shpirtërore. Ai populli shqiptar që unë me të, në vitet tridhjetë lidha shoqëri, ishte i hapur, mikpritës dhe i donte të huajt: të zellshëm për të dhënë dorën, përpjekje pa reshtur për të folur gjuhë të huaja, ftesa dhe dhurata. Njeriut i dukej vetja sikur ndodhej në vendin e haresë. Tani i huaji është armik dhe spiun. Shikime me dyshim, ose shtirje mospërfillëse. Njerëzit nuk u përgjigjen pyetjeve, nuk pranojnë cigare, ose asnjë nuk lejon që ta fotografosh. Dhe çfarë gjërash urrejtjeje mësojnë fëmijët në shkollë? Neve na sulmuan me gurë në shumë raste fëmijë të inatosur. Në Korçë fëshfërinë gurët kur isha në ballkon të hotelit dhe në Gjirokastër një zotërie të moshuar francez në shoqërinë tonë të udhëtimit, i shqyen pantallonat dhe e lënduan në këmbë. Natyrisht nuk qe aq serioze. Më në fund erdhi policia dhe i përzuri ata pionierët e kuq agresivë, të cilët ndërkaq përpiqeshin t´i vinin në praktikë ato mësime. Por natyrisht nuk duhet të nxjerrësh konkluzionin që ata shqiptarët simpatikë do të jenë shpërbërë rrënjësist. Natyra e tyre e vërtetë mbytet nga urrejtja dhe dyshimi, dhe një atmosferë tjetër politike me siguri do ta ringjallte atë. Por sot për sot është ashtu sikundër është. Shqipëria nuk është më vendi i gëzuar por vendi i syrit të keq.
/Përktheu Adil Bicaku, Stockholm/ Memorie.al/