Albspirit

Media/News/Publishing

Femra shqiptare midis dhe bashkëjetesa me kulturat e ndryshme

ARTUR NURA

Pa dyshim që tashmë dihet që në të gjitha territoret shqiptare kanë bashkëjetuar të gjitha kulturat e mundshme dhe në mënyrë më të përcaktuar ato perëndimore dhe lindore, të cilat nëpërmjet ndryshueshmërisë së tyre përkatëse kanë lënë gjurmë në historinë tonë psiko-sociale dhe kulturore.

Kjo dukuri shumëdimensionale ka shoqëruar gjithmonë zhvillimin e shoqërisë sonë në tërësi, familjen shqiptare, gjinitë dhe individët, pa dyshim duke përcjellë një lloj dualizmi dilematik edhe jo në pak raste konfliktual në të gjitha përmasat jetësore, si tek shoqëria, familja apo edhe individi vetë.

Në periudhën e shkuar komuniste zonat gjeografike të caktuara për shkaqe gjeopolitike kanë pasur një peshë dhe mundësi imponimi si për familjen, ashtu dhe për individin, duke e shmangur apo izoluar deri diku dualizmin dhe dilemën e brendshme tek individi.

Sot, në periudhën e demokracisë dhe lirive relative të lidhura me të, hapjes së kufijve shtetërorë, largimit masiv nga fshati për në metropole e pa dyshim komunikimit po masiv, përgjithësisht internetit, çdo kufizim është relativizuar në maksimumin e mundshëm duke ndryshuar shoqërinë, familjen dhe individin.

Është krejt normale që kjo situatë e re, deri në një ristabilizim të saj më racional në të ardhmen, të paraqesë edhe drama të fuqishme si brenda familjes, ashtu edhe tek individi, duke u konfiguruar në metropol me tipologji të ndryshme lokaliste sipas origjinës së gjithsecilit, kulturës që përfaqësojnë zonat e tyre gjeografike.

Femra shqiptare përballë kësaj dukurie në ndryshim

Me këtë problematikë specifike të jetës së sotme ballafaqohet më dramatikisht seksi i dobët, pra femra, e cila pa dyshim që dëshiron të thyejë barrierat e të shkuarës dhe të tashmes, të cilat e kanë kufizuar dhe e kufizojnë atë praktikisht më shumë se meshkujt.

Femra, si çdo qenie njerëzore, kërkon të bëjë një jetë më të mirë dhe tenton të ndryshojë raportet, jetën, por për fat të keq, në raste të caktuara rezulton më e dobët se vetë realiteti i cili shfaqet i pamëshirshëm me të personalisht, pa dyshim për ta bërë shembull edhe për të tjerat.

Jo larg, por në periferi të kryeqytetit kemi pasur edhe raste kur babai ka vrarë vajzën, burri të shoqen dhe nuk kanë munguar rastet kur gratë vrasin të shoqin në pamundësi komunikimi dhe pa dyshim si shkak i të njëjtës përplasje psiko-sociale dhe kulturore shumëdimensionale.

Me një gjuhë të thjeshtë, duhet thënë se kjo është edhe përplasje bindjesh dhe formimesh të së shkuarës me të tashmen shqiptare, të njërës traditë, apo formim me tjetrën ku njëra palë (përgjithësisht burri) mbron të shkuarën, si më të drejtë dhe më të moralshme, por për fat keq, duke mos pranuar se e bën edhe për shkak se i shkon pas midesë së tij!

Po kështu, edhe pala tjetër, femra, mbron të tashmen dhe të ardhmen në emër të parimit të së emancipuarës, por edhe ajo përgjithësisht nuk pranon se e bën edhe sepse i shkon për interes. Në këtë këndvështrim duhet thënë se nuk mungojnë rastet kur meshkuj të caktuar janë si “femra” në raport me bashkëshortet, kolegët dhe eprorët dhe rezulton se përbuzja dhe keqtrajtimi më i madh ndaj tyre vjen kryesisht nga seksi i dobët!

Kjo situatë tregon se parimisht ka keqinterpretim dhe keqkuptim të realitetit kompleks, i cili tek individë të caktuar shfaqet më dramatik dhe në raste të caktuara tragjik dhe kjo nga shkaqe konkrete pa dyshim.

Stereotipat e femrave përballë njëra-tjetrës ne metropole

Sot në një klasë apo kurs universitar bashkëstudiojnë vajza që pavarësisht se janë të së njëjtës moshë, janë me prejardhje dhe formime të ndryshme kulturore. Sot, ajo vajza e lindur dhe e rritur në kryeqytet me prindër që kanë studiuar në Evropë, bën një jetë liberale dhe shumë të ndryshme nga shoqja e saj, familja e së cilës ka ardhur së fundi në kryeqytet dhe përveç të tjerash, ka sjellë dhe kulturën e saj konservatore.

Pra, këto dy kategori vajzash pavarësisht nevojave jetësore, perfektshmërisht të njëjta, bëjnë jetë kulturore krejt të ndryshme. Njëra mund të shkojë në klubet e shumta të Tiranës, ndërsa tjetra duhet kryesisht të rrijë pranë shtëpisë. Njëra mund të ketë të dashur dhe tjetra duhet të ruajë virgjërinë, duke mos pasur as mundësinë minimale që për një dukuri të tillë njerëzore të flasë me dikë!

Sigurisht që rastet kur “vajza liberale” kërkon të imitojë “atë konservatore” janë të pakonsiderueshme, por rastet kur kjo e fundit, për shkaqe krejt të natyrshme njerëzore, imiton shoqen e saj, duhet të jenë të shumta dhe për fat të keq, nuk mungojnë përfundimet dramatike apo tragjike të tyre.

Historia e një kolegeje…

Rreth vitit 2000, ndërsa u mora me tema të ngjashme sociale në emisionin divulgativ “Anketa jonë” në “Gjeli vizion” pata mundësinë të njoh një kolege (emrin pa dyshim që duhet ta lëmë anonim), e cila më parë kishte jetuar në një qytet të vogël periferik të Shqipërisë së Jugut.

Ajo, ndërsa ishte njohur me një djalë, kishte braktisur familjen e saj për të jetuar afër tij në kryeqytet ku edhe më parë kishte kryer studimet e larta. Por, po ajo kishte menduar më vonë se shkaku kryesor që ajo kishte braktisur familjen dhe vendlindjen, nuk ishte djali që kishte njohur dhe që më vonë e kishte braktisur së bashku me një shtatzëni, por varfëria kulturore, shpirtërore dhe emocionale.

Ishte pamundësia për të jetuar jetën, lirinë individuale, si psikologjike, ashtu edhe kulturore, si biologjike, ashtu edhe shpirtërore dhe këto gjëra besoj, pavarësisht se për fat të keq nuk fliten në pjesën më të madhe familjeve shqiptare dhe në publik, janë shumë të rëndësishme për jetën e një femre.

Kërkesa natyrale për një jetë më të mirë dhe pamundësia e prindërve dhe të afërmve për të kuptuar dhe dialoguar për problemet e saj të brendshme jetësore, bën që ajo sot të jetojë larg familjes.

Në atë kohë ajo vajzë (pa dyshim nuk është e vetme) thoshte se nuk mund të kthehej në familje, sepse ishte e sigurtë që prindërit nuk do ta pranonin të pamartuar dhe shtatzënë. Atë nuk do ta pranonte as qyteti i saj i vogël, i cili do të kishte një objekt më shumë thashethemi për të “pasuruar” jetën e varfër të provincës…

Personalisht, nuk jam marrë me projekte konkrete në këtë fushë dhe nuk njoh statistika, por nëse gabohem, ata që merren me këtë fushë kaq të ndërlikuar le të më korrigjojnë. Fati i kësaj vajze është krejtësisht i pranueshëm, por sa vajza të tjera për të njëjtat arsye kanë përfunduar me fate dramatike në trotuaret e qyteteve të Evropës?

Sa prej tyre vuajnë sot “skllavërinë moderne”, sepse dje nuk kishin mundësinë e një komunikimi normal me prindërit e tyre dhe shoqërinë rreth e rrotull? Nuk kishin mundësi të një jete më të mirë dhe më elastike dhe më të emancipuar ne vendlindje?

Femra shqiptare midis dhe bashkëjetesa me kulturat e ndryshme

Please follow and like us: