Albspirit

Media/News/Publishing

Rexhep Shahu: Te Presidenti Rugova me Skënder Zogaj

Image may contain: 3 people, including Izet Duraku, people standing and suit

Skënder Zogaj, Ibrahim Rugova dhe Rexhep Shahu

Në vitin 2001, kisha botuar librin tim “Misioni për Paqen”, me intervista dhe impresione me shumë misionarë të huaj e shqiptarë që kishin vepruar në Kukës, Has, Tropojë, etj për Kosovën në vitet 1996-2000.
Nje libër i rrallë me përsonazhe të rrallë, diplomatë, politikanë, ministra, veprimtarë të dorës së parë, humanistë, miq të mëdhej të Kosovës e të lirisë. Një libër që më bën krenar pasi dëshmoj gjëra që nuk i kanë parë e ditur të tjerët.
Kisha qenë me fat pasi kisha qëlluar të isha gazetar, në kohën e duhur në vendin e duhur (Kukës-Has-Tropojë), siç më tha gazetari i famshëm i Rojterit, (që e vranë në Sierra Leone…), Kurt Shork në fund të dhjetorit 998 në Kukës.
Kisha botuar pra këtë libër dhe shkova një natë në Prishtinë. Mysafir te miku im i çmuar Skënder Zogaj. Kisha disa kopje të librit me vete. Skënderi si Skënderi që entusizmohet e gëzohet për shokun e mikun më shumë se për veten e tij, fluturoi nga gëzimi. Në muhabet e sipër patjetër që kam shprehë dëshirë me pasë mundësi me takue presidentin Rugova. Me i dhurue një libër. Por edhe me pasë mundësi me i marrë një intervistë…
Kujtova se Skënderi nuk i dëgjoi këto dëshira të miat. Po diku nga mesnata, te Skënderi nata bëhet sahat, ai foli në telefon nga aty ku ishim me dikë. Ishin njerëz të presidentit Rugova, të stafit. Skënderi fërkoi duart dhe më tha se të pret presidenti nesër ora 11.
Shkuam bashkë me Skënderin. Në katin e parë, pasi hyra brenda mi morën të gjitha çfarë kisha, magnetofonin, çantën, cigare, shkrepse etj etj.
U thashë për magnetofonin se mund të më jepte intervistë presidenti. Nuk u bë fjalë.
U ngjita në katin e dytë. I nervozuar nga “bastisja” që më bënë. Më lanë vetëm librin tim në dorë. Eca i hutuar si i mpirë. Sa u ngjita shkallëve, e pashë nga larg tek vendi i vet. U ngrit në këmbë. Lëvizi drejt nga ne. I qeshur. Duart të hapura, jo të ngritura lart por paralel me tokën. U hutova fare, e humba.
Ishte fenomenale. Më hutoi thjeshtësia e tij. Mu shterrën fjalët në fillim. Pastaj sikur ishim miq qe 200 vjet. Pastaj ndodhi mrekullia, ajo që nuk e kisha menduar dhe që nuk më ka ndodhë kurrë më. Presidenti Rugova u ngrit në këmbë, me libër në dorë dhe më falenderoi për kontributin mediatik për “çashtjen tonë kombëtare”. Më nxori në krahun e tij të majtë. U shkrepën shumë blice, u bënë shumë fotografi.
Kur po bënim fotografitë, unë mbaja kokën nga Presidenti Rugova, i mahnitur prej tij dhe për fjalët që tha për mua, për kontributin tim. E shihja në sy gjithë kohës. Fotografët përballë reaguan që të shihja nga ato. Skënderi ma bërti me dorë që të shihja nga fotografët. Por unë hiq, shihja vetëm Presidentin.
Rugova duke qeshë më tha, Rexh, shih përpara, dhe bëri me dorë nga fotoreporterët. U bënë shumë forografi, dola si udhëheqës, si burrë shteti duke shtërnguar dorën me Ibrahim Rugovën. Nuk kam provuar kënaqësi më të madhe, nderim më të madh për punën time si gazetar i angazhuar me Kosovën. Më dhemb se nuk i kam krejt ato foto. Ato më të mirat m’i kanë marrë miq e të afërm dhe më dhemb e nuk i gjej dot më. As Skënderi dhe askush nuk po m’i gjen më. Kur m’i kanë parë miqtë në Kukës ato foto me Rugovën, më graduan dhe më shpallën të privilegjuar. Në fakt u privilegjova dhe u ndjeva krenar. Siç ndehem sot e gjithmonë.
23 minuta kemi qëndruar në zyrën e Presidentit Rugova. E shihja me aq adhurim sa nuk dëgjoja mirë se çfarë fliste. Më mahniste e qeshura e tij, ato ngritjet e duarve.

Kur na përcolli, na futi të dhoma e vogël e xhevahireve të Kosovës. Unë i shihja ato gurë të çmuar të shndritshëm, por sytë e mi ishin mbërthyer në sytë e fytyrën e presidentit Rugova. Ai fliste për nëntokën e pasur të Kosovës, por mua më vinin të largëta këto fjalë, unë vështroja sytë e tij, mimikën e tij, të qeshurën e tij, qetësinë e sigurinë e tij.
U ndamë. Isha realisht i hutuar dhe nga hutimi e mahnitja reflektoja qetësi.
Pasi u ndamë dhe me të tjerët në katin e parë dhe deri te dera e jashtme, unë nuk fola asgjë dhe nuk dëgjoja asnjë fjalë nga ato që thuheshin. Kur më ka kapë për beli Skënderi jashtë para se të hypnim në makinë, sikur u përmenda. Mu bë se dola prej ëndrre. Ëndrra më e bukur që e preka me dorë.
Nuk e di a i kam thënë ndonjëherë faleminderit Skënderit.

Please follow and like us: