Albspirit

Media/News/Publishing

Shaban Murati: Gjeopolitika greke e hijes së mëngjesit

 

Gjeopolitika greke e hijes së mëngjesit

Ka një rregull të artë në gjeopolitikë, që përcakton se dimensioni i fuqisë së një shteti në marrëdhëniet ndërkombëtare varet nga forca e tij për të zgjidhur problemet rajonale apo globale dhe jo nga forca për të shkaktuar probleme. Diplomacia greke e mësoi të vërtetën e këtij rregulli kur në janar të vitit 2020 pësoi dy dështime të bujshme diplomatike. Dështimi i parë ndodhi në 7 janar me vizitën e kryeministrit Kiriakos Micotaqis në Uashington dhe bisedimet e tij me presidentin amerikan Trump. Kryeministri grek shkoi në Shtëpinë e Bardhë me objektivin e shpallur t’i kërkonte SHBA dhe presidentit amerikan të merrnin anën e  Greqisë në grindjen e re të saj me Turqinë për çështjen e kufijve detarë dhe të zonave ekskluzive ekonomike në detin Mesdhe. Burime diplomatike bëjnë të ditur se kryeministri grek i kërkoi presidentit amerikan që SHBA të ndërmerrte veprime të ashpra direkte kundër Turqisë dhe të ndërhynte me forcë për të ndaluar eksplorimin, që Turqia po bën në zonën detare rreth Republikës së Qipros Veriore. Por kryeministri grek gaboi adresë dhe nuk realizoi dot objektivat maksimaliste greke, përveç fjalëve të mira që tha presidenti amerikan për përparimet e ekonomisë greke.

Duket qartë se kryeministri Micotaqis dhe diplomacia greke nuk kuptuan dhe nuk llogaritën përmasat reale të problemeve, as përmasën globale të bashkëbiseduesit dhe as strategjinë e politikës amerikane në Mesdheun Lindor dhe në rajonet, që lagen prej tij. Udhëheqësit grekë harruan se sistemi ndërkombëtar i shteteve funksionon i ndarë si ligat futbollistike, që ndahen në liga të para, të dyta, të treta, të katërta, etj. Uashingtoni u përpoq t’ia qartësonte kategorinë përkatëse greke dhe vetëpërmbajtjen e nevojshme greke, kur refuzoi të pranonte kërkesën e Athinës për organizimin e një konference të përbashkët shtypi të presidentit amerikan me kryeministrin grek pas takimit mes tyre.

Ambicia e madhe dhe disproporcionale gjeopolitike e Greqisë në detin Mesdhe bëri që kryeministri grek në planin strategjik dhe gjeopolitik të kthehej duarzbrazur nga Uashingtoni. Një nga partitë politike më të rëndësishme greke “Syriza” në një komunikatë të posaçme në 8 janar i përkufizonte vizitën dhe bisedimet e kryeministrit grek në Uashington si “një fiasko e paprecedent”. Gazeta greke “Ekathimerini”, duke analizuar në datën 8 janar bisedimet e kryeministrit grek me presidentin amerikan, në artikullin me titull “Greqia është e mirë, por Turqia është më e mirë”, shkruante se “aksionet e Turqisë dhe të Erdoganit janë ngritur në kulm në tregun e bursës të presidentit Trump. Në dritën e ngjarjeve të fundit ankesat e Athinës kundër provokimeve të Ankarasë dhe marrëdhëniet e saj me Libinë, kanë kaluar në plan të dytë”. Portali i mirënjohur “politico.eu” nën titullin: “Donald Trump shpërfill përçapjet diplomatike greke” shkruante në 10 janar se Greqia donte të hidhte peshën amerikane në debatin e saj me Turqinë për gazin natyral në Mesdhe, por presidenti amerikan nuk mori anë.

Dështimi diplomatik i kryeministrit dhe i diplomacisë greke për të angazhuar SHBA dhe presidentin amerikan në veprime kundër Turqisë për hatër të Greqisë erdhi nga një llogari e gabuar gjeopolitike. Nuk u llogarit as pesha reale e Greqisë në rajonin mesdhetar dhe as makropolitika dhe strategjia afatgjatë e diplomacisë amerikane në rajonet, që lagen nga Mesdheu dhe ku po ziejnë luftërat më të rrezikshme lokale. SHBA nuk mund të impresionoheshin nga gjeopolitika greke e hijes së mëngjesit dhe as nga emocionet individuale të një shteti, që është thjesht një aktor i zakonshëm i rajonit të Mesdheut dhe jo një lojtar i rëndësishëm i pellgut mesdhetar siç është Turqia, Izraeli apo Egjipti. Për Amerikën, Greqia është shtet, që shkakton probleme dhe jo shtet, që zgjidh probleme. Edhe një krahasim elementar i peshës dhe rolit të Turqisë në Mesdhe, në Lindjen e Mesme, në Afrikën e Veriut, në Azinë Qendrore, në Kaukaz, në Ballkan, në detin e Zi, në marrëdhëniet me Rusinë apo me Iranin,etj., e nxjerr menjëherë përmasën minore të rolit dhe e peshës gjeopolitike të Greqisë për SHBA, për NATO-n dhe për Perëndimin.

Dështimi i dytë gjeopolitik i qeverisë dhe i diplomacisë greke është refuzimi i kërkesës së saj zyrtare për të marrë pjesë në samitin e organizuar nga Gjermania në Berlin në datën 19 janar për rregullimin e krizës libiane. Në samitin e datës 19 janar, të kryesuar nga kancelarja Angela Merkel, morën pjesë 12 kryetarë shtetesh dhe qeverish, duke përfshirë pesë shtetet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB, liderët e shteteve nga Italia, Turqia, Egjipti, Algjeria, sekretari i përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres, presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen dhe drejtuesit e organizatës së Unitetit Afrikan, të Ligës Arabe, etj. Samiti, si veprimtaria më e rëndësishme diplomatike ndërkombëtare e ndërmarrë nga liderët botërorë për krizën libiane, kishte thirrur shtetet faktorë, që ndikojnë në zgjidhjen e krizës libiane.

Greqia gjatë kohës që përgatitej konferenca e Berlinit krijoi shumë shqetësime me aleancën e saj me njërën nga palët e konfliktit libian dhe konkretisht me gjeneralin puçist Haftari dhe kundër qeverisë së ligjshme të Tripolit të njohur ndërkombëtarisht nga OKB. Athina mendoi ta shfrytëzojë ndërhyrjen e saj të njëanshme në krizën libiane si kartë gjeopolitike me të cilën do t’i imponohej faktorit ndërkombëtar për t’i siguruar Athinës rol dhe vend në samitin e zgjidhjes së krizës libiane dhe natyrisht në plotësimin e oreksit për marrjen e një pjese të tortës vajgurore libiane. Mirëpo kërkesa disproporcionale e Greqisë u refuzua prerë, sepse samiti nuk mund të pranonte një shtet, që nuk ka as peshën, as vendin dhe as sjelljen e duhur për të ndihmuar zgjidhjen e krizës dhe që për më tepër po vepron në linjën e acarimit të krizës libiane. Athina bëri disa gabime diplomatike dhe strategjike në prag të samitit të Berlinit, i cili kishte katër-pesë muaj që po përgatitej nga diplomacia gjermane së bashku me fuqitë e tjera të mëdha. Athina u rreshtua në mënyrë sfiduese me gjeneralin rebel Haftari dhe kundër qeverisë së ligjshme të Tripolit. Ministri i jashtëm grek në 22 dhjetor 2019 ndërmori një vizitë zyrtare provokuese te forcat rebele libiane në Bengazi. Qeveria greke si mjet presioni ndaj Gjermanisë thirri gjeneralin Haftari për bisedime në Athinë me kryeministrin grek dhe me ministrin e jashtëm grek në datën 17 janar, dy ditë para samitit të Berlinit. Ndërkaq kryeministri grek bëri deklaratën kërcënuese se Greqia do t’i verë veton çdo lloj plani paqeje të BE për krizën libiane. Pika që mbushi kupën e durimit perëndimor ishte deklarata e kryeministrit Micotaqis se Greqia ishte gati të dërgonte ushtrinë e saj në përkrahje të gjeneralit Haftari.

Çdo ndjekës apo njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe i raporteve të forcës midis shteteve e kupton se Greqia nuk ka kapacitetet që t’i bëjë presion Gjermanisë apo samitit të liderëve botërorë, që u mblodhën në Berlin për krizën libiane. Siç deklaroi në konferencën e shtypit në 17 janar zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert, “pjesëmarrja e Greqisë në konferencën e Berlinit asnjëherë nuk është konsideruar”.

Dështimet e reja diplomatike të Greqisë janë një tregues i pafuqisë së qeverisë dhe të diplomacisë së saj, që nuk po duan të pajtohen me realitetet gjeopolitike e strategjike të rajonit ku ndodhet shteti i tyre dhe as të kuptojnë vendin modest grek përballë hierarkisë së veprimit diplomatik ndërkombëtar të fuqive të mëdha perëndimore. Qeveria dhe diplomacia greke nisen nga një konstrukt i gabuar diplomatiko-filozofik se duke krijuar probleme e tensione në detin Mesdhe dhe duke acaruar marrëdhëniet me Turqinë do të fitojnë hapësira të reja veprimi e ndikimi. Në këtë linjë të gabuar Athina u përzie edhe në konfliktin e Libisë, me iluzionin se duke u rreshtuar me gjeneralin Haftari do të fitojë stolin në tryezën e madhe diplomatike ndërkombëtare. Por diplomacia ndërkombëtare dhe në radhë të parë ajo perëndimore, që po përpiqen për zgjidhjen e krizës libiane, ka nevojë për shtete, faktorë dhe elemente qetësues të krizës, parametër që Athina nuk e plotëson, dhe ndaj Gjermania nuk e ftoi Greqinë në samitin e Berlinit, në njëkohë kur ishte ftuar Republikae Kongos.

Një nga defektet bazë të diplomacisë greke, të djathtë dhe të majtë, është se nuk po ndërgjegjësohet dot për kapacitetet e saj të kufizuara reale në planin rajonal dhe po ndjek skema ambiciesh gjeopolitike, që tejkalojnë mundësitë dhe forcat e saj. Një nga analistët më të njohur grekë, Alexis Papakelas, e këshillonte qeverinë greke në datën 20 janar në një editorial në “Ekathimerini” që në politikën e jashtme “të mos e ngrejë stekën përtej asaj që është e arsyeshme dhe e mundshme”.

Gjithkush e kupton se Greqia nuk mund të ketë dhe as të lozë rol në pellgun e Mesdheut, në Afrikën Veriore dhe në Lindjen e Mesme. Greqia për vetë limitet e fuqisë së saj si shtet i vogël nuk mund të marrë dhe as të zëvendësojë rolin e Turqisë si një faktor rajonal në gjithë rajonet që lidhen me orbitën e Mesdheut dhe këtë e dinë mirë SHBA, NATO, Gjermania, Rusia, etj. Greqisë nuk ia rrit dot rolin gjeografik dhe gjeopolitik as aleanca artificiale vajgurore me Izraelin dhe me Egjiptin mbi një bazë antiturke, sepse bazamente të tilla janë të përkohshme. Historia e marrëdhënieve ndërkombëtare rajonale tregon se marrëdhëniet e Turqisë me Izraelin janë më strategjike se marrëdhëniet e Izraelit me Greqinë, sepse nuk është e rastit që Turqia i ka vendosur marrëdhëniet me Izraelin në vitin 1949, kurse Greqia i ka vendosur marrëdhëniet diplomatike me Izraelin në vitin 1991 në një kohë me Shqipërinë postkomuniste.

Diplomacia greke nuk po shkëputet dot nga sëmundja e megalomanisë faktoriale, e cila arriti kulmin në kohën e ministrit të jashtëm të vetëkënaqur N. Kocias, i cili kishte maninë e krijimit të grupeve, grupimeve dhe nismave artificiale, më shumë propagandistike se sa diplomatike, që ai mendonte se do të impononin rolin qendror të Greqisë në Mesdhe dhe në Lindjen e Mesme. Ishte dhe është një ëndërr gjeopolitike e pamundur.

Nga raportet e forcës dhe nga realitetet e reja gjeopolitike të krijuara, duhet pranuar se Greqia nuk është më në gjendje të luajë rol qendror gjeopolitik as në Ballkan, e jo më në Mesdhe apo në Lindjen e Mesme. Greqia e humbi shansin në Ballkan në vitin 1998, kur asnjë shtet ballkanik nuk kishte hyrë në BE dhe ajo ishte i vetmi shtet anëtar nga rajoni dhe hartoi programin e madh ekonomik prej 500 milionë dollarësh të ndihmës për vendet e Ballkanit. Por udhëheqësit, politikanët dhe dinastitë familjare oligarkike greke e kishin hallin jo te programi ballkanik, por si të shëndoshnin llogaritë bankare në Zvicër, gjë që çoi në fiaskon e rolit ballkanik dhe në fundosjen e ekonomisë dhe të financave të shtetit grek në vitin 2009. Vetëm Shqipëria ka mbetur si ishull i influencës greke në Ballkan.

Dinamika e lëvizjeve dhe e vendimeve në sistemin ndërkombëtar të shteteve përcaktohet nga fuqia globale, kontinentale dhe rajonale. Greqia nuk hyn në asnjërën prej tyre dhe do të duhej të kthente këmbët e diplomacisë së vet në kornizën e fuqisë së saj modeste. Kjo është valenca, që përcakton edhe rolin e saj si shtet anëtari BE dhe i NATO-s. Gjeopolitika e hijes së mëngjesit është kontraproduktive për shtetet e vogla./gazeta dita/

Please follow and like us: