Arlinda Çausholli: TË PAZANËT, NE!
Arlinda Çausholli
Unë do të flas për dhunën, por jo me gjuhën e dhunës. E nuk do të ngrej gishtin ndaj askujt, përveç se ndaj vetes sime. Dhuna e kohëve të fundit është vetëm shumatorja e arrogancës nëpër mikrofona të rrjepur politikë, nga të gjitha palët që kanë në dorë ligje dhe nënligje, e që votën ia kemi dhënë, pasi e kemi shitur shpirtin me një pazar të turpshëm e të pakthyeshëm. E atyre iu lumtë.
E shitëm, në shtrembërim të kombit, në shtrembërim të njerëzve, të moralit, të fëmijëve që na pasqyrojnë, dhe të ardhmes të turbullt të këtij vendi që lyhet në fasadë dhe lëngon në brendësi.
Dhuna fillon që në shtëpitë tona, kur bashkëshortët i thonë njëri-tjetrit “mbylle gojën” dhe fëmija dëgjon zërin e më “të fortit” prind dhe e përcjell të shoku i lagjes.
Dhuna vazhdon në rrugë, kur hakërrehemi nëpër makina e nëpër trotuare kush të kalojë më parë, sepse ngutemi për të qenë më të fortë, dhe jo se kemi ndonjë punë të mirë apo fisnike për të bërë.
Dhuna zgjatet, kur djemve vazhdojnë tua mbajnë derën e lokalit vajzat, sepse ata duhet të hynë me duar në xhepa, e të tregojnë se katër fenerët e dritave të makinës i kanë marrë me vete edhe në tavolinë.
Dhuna stërzgjatet nëpër shkolla, nëpër kufinj e prona, nëpër institucione shtetërore ku qytetari i thjeshtë duhet të jetë i shenjtë e të trajtohet si i tillë.
Dhuna klith në indiferencën tonë ndaj atyre që pastrojnë – me aq sa munden – rrugët dhe ndërtesat publike, kokëulur, sepse askush nga ne nuk ua ngre sytë t’u thotë “puna e mbarë”.
Dhuna trashet, kur mungojnë fjalët e falenderimit dhe të mirënjohjes te njerëzit kalimtarë apo jo të jetës sonë, sepse kemi filluar të kemi frikë nga mirësia e butësia, dhe nuk ka kanosje më të madhe se kjo.
Dhuna jehon, sepse media të vdes disa herë në emër të klikimeve, pa e kuptuar se bashkë me emrin e përfolur vdes dhe ajo vetë. Titujt kryesorë u bëjnë lavazh pamor dhe mendor të gjitha moshave, duke e sjellë jetën e amullt publike në formën më të shëmtuar.
Gjuha mediatike vë në piedestal modele që nuk frymëzojnë, por shigjetojnë me pahir, kthinat me të pazhvilluara të këtij vendi, me figura që vlerat nuk i njohin. Çdo ditë. Duke çoroditur vajzat që kujtojnë se trupi i ekspozuar i bën më femra dhe djemtë që mendojnë se grushti i bën më burra.
Dhuna do të trashëgohet në më të paktën tre breza, sepse 2.5 milionë shqiptarë – aq sa kanë mbetur – nuk janë në gjendje të bashkohen në një zemër të madhe, të kujdesen për veten, për tokën, për votën, për njëri-tjetrin dhe në 28 vjet kanë ndezur vetëm zjarrin e Kombëtares, sepse vetëm nga ajo ndihen të parrezikuar.
Të kemi frikë nga njëri-tjetri? Të mbrohemi nga njëri-tjetri? Nuk besoj se ka dhunë më të madhe, të përditshme, dhe ngadalësisht më sfilitëse se sa kjo.
Gishtin nga vetja, zemrën nga të gjithë.