Cikël poetik nga Neviana Shehi
Atje
Bie shi
Brenda meje
Lagen ëndrrat
Kujtimet
E gjithçka
Unë, si zog i vogël
Gjej strehën time
Atje…
Poshtë krahut tënd.
Më thuaj
Kur bie shi pa pushim
dhe muret e jetës zgjaten atje tej,
kur udhët zhduken në mjegull,
erërat e kohës më vijnë kundër
e dritë nuk shoh,
ti më rri pranë,
merr fymë thellë,
më thuaj: Je e bukur!
Kur dhimbja më rrethon,
zemërimi më mbulon
dhe fle me brengat,
mos ma fshi lotin.
Përqafomë,
më thuaj: Je e bukur.
Merrmë një pikë lot
dhe mbille.
sa lule e bukur do çelë!
Qyteti im
Në vendin tim… atje përtej
detit tek ato drita mbjellë në det-
qyteti im mbjell drita në det-
Kanë ngelur lëndinat e trishta
Rrethuar me dimra gri.
Malet kanë heshtur.
Deti mban në gji brengat tona
netët me Hënë… me shpresa
në trastë krahut.
Ku vamë o Zot?
Ku jemi?
Nga erdhëm?
Deti kërkon shpirtin tonë… të valëzojë
Malet duan mallin e largët… të gjëmojnë
Lëndinat nuk lulëzojnë pa buzëqeshje
Pa vashat e djemtë
që përtej bregut vështrojnë
dheun tonë si vjeshtë.
Janë me kokën prapa
E di…
Do të vijë ajo ditë patjetër
Kur blerimi të mbulojë Atdheun tim
Do të vijë…