Albspirit

Media/News/Publishing

I burgosuri politik Bedri Çoku dhe libri i tij ‘Kryengritja që tronditi diktaturën’

Image result for bedri coku

Kryengritja që tronditi diktaturën

Autor: Bedri Çoku
Redaktorë: Gëzim Zilja & Lazër Stani
ISBN 147354-5215-603

“Për të ngritur flamurin, pa yllin komunist, unë shpreha mendimin se, në pamundësi për të gjetur një çarçaf të kuq, të çanim duart dhe, me gjakun tonë, të lyenim copën e bardhë… I pari që çau dorën me thikë ishte vëllai im, Çaushi, i dyti Gëzim Medolli, unë Bedri Çoku, Gj. Kadeli, Ulsi Pashollari e të tjerë…”.

 

Enver MEMISHAJ

Dy janë revoltat tronditëse me karakter thellësisht antikomuniste, regjistruar në historikun e burgjeve politike. E para, ajo e kampit të Spaçit, në vitin 1973, dhe, tjetra, ajo e Qafës së Barit, në maj të vitit 1984. Përtej mobilizimit maksimal për t’i shtypur me dhunë e hekur, shteti ka bërë ç’është e mundur për t’ia fshehur opinionit të vërtetën e tyre. Të vlerësuara si ngjarje të jashtëzakonshme, me to është operuar fund e krye me procedura sekrete.

Revolta e Spaçit, 21 maj 1973, për kundërshtim të thellë e kuptimplotë të regjimit nga kundërshtarët e regjimit, me parrullat “Ja vdekje ja liri!”, “Rroftë Shqipëria e lirë!”, “Ju jeni katila!”, “Populli është me ne!”, “Rroftë Europa e lirë!”, që vazhduan për mbi 3 ditë në taracën e burgut gati nga të gjithë të burgosurit, ku me shpejtësi u rrethuan nga mbi 450 trupa ushtarake nga Shkodra e Tirana, të cilët hapnin zjarr nga të gjitha anët. Revolta e Spaçit i tregoi Shqipërisë dhe botës se rezistenca e popullit shqiptar vazhdoi të mbijetonte, me gjithë dhunën dhe presionin e madh të diktaturës famëkeqe.

Revolta e Spaçit zgjati tre ditë; të burgosurit valëvitën në tarracën e pallatit – burg famëkeq, Flamurin e Skënderbeut, pa yllin komunist mbi zhgabë, duke kënduar himnin e Tij dhe hedhur parrulla kundër diktaturës, derisa u shtyp me gjak; Dymbedhjetë nga të burgosurit u arrestuan dhe u dënuan brenda ditës, me vdekje pushkatim, por fonogrami i Enver Hoxhës, drejtuar Feçor Shehut, i cili urdhëronte që: “Të pushkatohen jo më pak se tre dhe jo më shumë se katër vetë. Gjëndjen ta mbani nën kontroll të rreptë ushtarak, Tiranë, më 23. 5.1973 –“ Enver Hoxha” .

U zbatua urdhëri i Enverit dhe u pushkatuan katër djem të rinjë, ndërsa tetë të tjërët, i nisen, po atë ditë, për t’i izoluar me dënime maksimale, në burgun e famshëm të Burrelit. Po atë ditë, mbi tetëdhjetë të tjerë i lidhen me hekura e zinxhirë, për në hetuesinë e tmerrshme në burgun e sigurisë së lartë, Tiranë. Përmendim me nderim emrat e djemve të rinj të pushkatuar:

  1. Hajri Pashaj, babai pushkatuar nga Feçor Shehu.
  2. Dervish Bejko, babai tij, Enver Bejko, vdiq në burgun e Burrelit.
  3. Skënder Daja, babai tij, u dënua me pushkatim, gjoja për hedhjen e bombës në Ambasadën Ruse.
  4. Pal Zefi, i cili me të vëllain, Gjok Zefin, ishin dënuar për tradhëti ndaj atdheut

 

Çfarë solli kryengritja e Spaçit?

 Pa hyrë në analiza të hollësishme, në radhë të parë dhe mbi të gjitha, kryengritja e Spaçit, ishte shkëndija e parë që erdhi e ndezur deri në dhjetorin e vitit 1990. Ajo, që nisi si revoltë, e para në të gjithë vendet ish – komuniste, shprehu urrejtjen ndaj tiranisë komuniste dhe vrau frikën. Revolta e të burgosurve politikë frymëzoi edhe të burgosurit e Qafë Barit, më 22 maji 1984. Dy të pushkatuar, dhjetë të ridënuar me nga 10-25 vjet dhe shumë të plagosur e të lënduar. Ky ishte bilanci i shtypjes së revoltës së Qafë-Barit, Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja u dënuan me pushkatim, si organizatorë. Ndofta është kuptimplotë fakti që të dyja këto ngjarje ndodhën në fillim të pranverës, në muajin maj, atëherë, kur natyra gjallëron dhe lulja çelë …

Ata ishin të burgosur të zakonshëm, por që kuptuan të bënin të jashtëzakonshmen…

Dyzetë e gjashtë vjet më parë të burgosurit politik të kampit famëkeq të Spaçit, ngritën krye, me thonj e duar, por me zemër luani, dëbuan nga kampi policët dhe ngritën flamurin kombëtar, pa yll.

Bedri Çoku ishte njeri nga heronjtë e asaj kryengritjeje heroike, ishte pikërisht ai që u bë nxitës për ngritjen e flamurit kombëtar, siç na e kishin lënë të parët tanë, pa yllin komunist.

Dhe, Bedriu, kthehet pas 46 vitesh, tek ajo ngjarje tashmë për ta evidentuar dhe për të lënë një dokument në historinë e asaj periudhe gjakatare, me librin me titull kuptimplotë ‘Kryengritja që tronditi diktaturën”.

Image result for bedri coku

Bedri Çoku ishte një meteor që ndriti në errësirën e kampit të Spaçit, por, me gjashtë veprat e botuara prej tij, po ndrin edhe sot, në liri… Drita, që vjen prej tij, nuk u zhduk në errësirën e Spaçit, por po ndriçon edhe më shumë sot, me librat dhe artikujt publicistikë.

Edhe kur të mos frymojë më, ai po lë pas vepra dhe shkrime të spikatur që rrezatojnë dritë të përjetshme…

Bedriu vazhdon të shkruaj e botojë me bindje se, po i jep shoqërisë sonë vepra të vlefshme, të cilat do t`i rezistojnë kohës, sepse janë nxjerrë nga rënkimet e një populli të shtypur, afro 50 vjet, me shpresë se ai po e bën detyrën e tij, duke realizuar një ëndërr të përhershme…

Po ne të tjerët, a po e bëjmë detyrën tonë? Ç‘qëndrim mbajmë kur marrim në dorë veprat e tij? Përse heshtim? Për se gazetat dhe televizionet nuk propagandojnë shkrimet dhe veprat e këtij shkrimtari, por vetëm ato që i përkasin lehtësisë rozë?

U privua nga liria në moshë njëzetenjëvjeçare, pasi xhelatët komunistë e mbyllën nëpër burgjet më të zinj që sajuan në Shqipëri, ku ai edhe projektoi veprat e tij, për t’i realizuar pas viteve 1990, me shembjen e sistemit diktatorial të komunistëvë dhe fitoren e lirisë aq shumë të dëshiruar…

Po na lë shkrime dhe vepra që, edhe pasardhësit tanë, të kuvëndojnë me të…

Duke lexuar novelën e Bedri Çokut, “Arrestova shokun tim”, bashkengjitur në mënyrë organike këtij libri, më vjen ndërmend thënia e Indro Montanelit se “Historianët nuk dinë ta tregojnë historinë”…

Bedri Çoku ka marrë përsipër pikërisht këtë, të tregojë Historinë e Famshme të Kryengritjes së të Dënuarve Politikë të Spaçit, të vitit 1973, me gjuhë të bukur artistike, por dhe me emra të vërtetë.

Ai, do që t’u tregojë shqiptarëve diçka më tepër, për atë përpjekje titanike të të burgosurve politikë të kampit të Spaçit, kthyer në skllevër të nëntokës, sidomos për tragjedinë e atyre që u pushkatuan, vetëm pse ngriten krye trimërisht për të drejtat dhe lirinë e tyre, me Flamurin Kombëtar, pa yllin, simbolin komunist, siç e gëzojmë sot…

Autori me këtë libër nuk ka shkruar histori, ndonëse aty ka, jo pak histori, por, falë talentit, ai e shtjellon këtë histori të dhimbëshme edhe me vlera artistike.

Ende historianët nuk janë marrë me këtë ngjarje dhe kjo nuk e ka penguar aspak Bedri Çokun, i cili përkundrazi, nëpërmjet artit të vet, na tregonë historinë e vërtetë të majit të vitit 1973.

Në këtë libër Bedri Çoku përpiqet, me aq sa ka pasur mundësi të dinte dhe të vështronte, si një nga pjesëmarrësit kryesorë, për përgatitjen dhe shpërthimin e asaj, në fillim, revolte heroike, me emrat e vërtetë të atyre që dolën në krye dhe u bënë flamurtarë dhe frymëzues për bashkëvuajtësit e tyre.

Në atë betejë, thotë autori, secili vullnetarisht merrte përsipër detyra të vështira …

Autori përmend, me respekt e përunjësi, emrat e atyre heronjve që s`pyetën për vdekjen, që nuk e njihnin frikën, me guxim dolën në krye për t’u bërë flamur të lirisë e të shpresës së humbur..,

Lukia, është një nga përfaqësuesit tipik të vuajtjeve dhe tmerreve që hoqën ata që patën fatin e zi të burgoseshin apo të internoheshin në kohën e komunizmit…Skënder Daja, të cilin shokët e mbajtën mbi supe, kur ai u fliste ushtarëve moshatarë se:

Nderi juaj është të bashkoheni me ne, mos harroni se kur të liroheni atje ku do të shkoni vafëria ju prêt, si skllevër në kooperativat bujqësore…”

Nga çasti në çast këtë djalë trim, plumbat e prisnin, por ai s`pyeti për jetën, zëri tij oshtiu mes maleve dhe e detyroi komandën e burgut t’i zëvëndosnte ushtarët me policë…

Ulsi Pashollari, guximit të tij iu bashkua dhe Dashnor Kazazi, të dy këta trima kaluan përmes krismave të mitrolozëve dhe fishkëllimave të plumbave, deri sa shqyen dyert e birucave dhe liruan shokët e tyre që kishin muaj që vuanin në to. Mersin Vlashi, nga Burreli, pikturoi shkabën e flamurit, pasi refuzoi një piktor tjetër i burgosur…

Flamuri u valvit dy ditë e dy net dhe, për ta ruajtur ATЁ, dolën vullnetarë Shuap Ibrahimi, nga Shkodra, Ndrec Çoku, nga Mirëdita dhe Jonus Norja, nga Shijaku. Po kështu, përmendet Hodo Sokoli, Sami Dangëllia, Luan Koka, Syrja Lame, Jorgo Papa, Dervish Bejko etj.

Autori rreshton emrat e atdhetarëve të burgosur, që ideuan dhe ngritën flamurin pa yllin komunist: Bedri Çoku, Luan Burimi (Lukia), Gjet Kadeli, Gëzim Medolli, Dervish Bejko, Kostandin Papa. Naim Pashaj, Ulsi Pashollari, Murat Marta. Gëzim Çela, Demir Pojani, Ferit Kumanaku, Elez Hoxha, që u solidarizuan për ngritjen e flamurit të Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit.

Duhet të përulemi me ndërim para këtyre burrave trima, që edhe pse regjimi qëllimisht i linte në errësirë, por ata dinin shumë gjëra, që ishin më të rëndësishme për një atëdhetar : Për Lirinë dhe Flamurin e Kombit për të ciliat ata ishin gati të bëheshin fli !

Për të burgosurit, që nuk iu bashkuan bashkëvuajtesve në revoltën heroike, por urdhërit të komandës së burgut, apo më mirë Sigurimit të Shtetit, Bedri Çoku, falë shpirtit fisnik, tregohet shumë i kursyer. Piktorit, që nuk pranoi te pikturonte shkaben dy krerëshe në flamur, nuk e qorton, ndërsa dëshmitarët në gjyqet e zhvilluara për ndeshkimin e bashkëvuajtësve kryengritës, nuk i falë : Mehdi Nokun dhe më pas: Agostin Preçi, Muhamed Kosovrasti, Thanas Theodhoraqi, Ilia Dhima, Zenel Balliu, Pandeli Pjetri, Miltiadh Papa, Hilmi Freskina etj. Duke e “plotësuar” memorien me emrat e kryekriminelëve të gjyktaës: Ilmi Telegrafi, Ymer Aliko, Mit`hat Goskova, Ylli Mahmutaj dhe prokuroti Zaim Myftari.

E ngritëm flamurin kombëtar të skuqur me gjakun tonë mbi taracën e pallatit tre katësh, dhe, për kënaqësinë tonë Ai, magjishëm, filloi të valvitej sikur shqiponja e pikturuar në të të ishte vetë flladi i shpirtrave tanë”, dhe u betuam : Vdekjen Po !Flamurin JO!”

“Në këto çaste të pa përsëritshme, shkruan autori, me siguri dora shpëtimtare e Perëndisë ka qenë ajo, që shmangu plumbat e mitralozëve dhe automatikëve të karakollëve pa lënduar asnjë të burgosur”.

Për turpin e tyre, komunistët përsëritën veprimin e 600 vjetëve më parë, kur turqit u prenë ujin shqiptarëve në kalanë e rrethuar. Ashtu si në vitin 1400 edhe komunistët u prenë ujin, bukën dhe çdo furnizim tjetër të burgosurve, duke treguar kështu fytyren çnjerëzore, mesjetare.

Ylber Merdani zgjidhi, njëfarësoj, problemin e ujit të pijshëm për të burgosurit, duke i furnizuar ata me ujin e rezervuarve të dusheve, paçka se ujë nuk pihej, kishte mbetje aciditeti, por ishte lufta për ekzistencë…

Edhe pse në kushtet e urisë e të etjes, të vendosur për idealet e tyre për liri e demokraci, ata nuk pranuan assesi që dyqani ushqimor i shtetit, brenda rrethimit të çliruar prej tyre, të shqyehej e të grabitej, përkundrazi ata vendosën roje, pikërisht dy më të bësuarit e tyre, Murat Martën dhe Dervish Bejkon.

Pas këtyre veprimeve të burgosurit kaluan në fazën e riorganizimit të kryengritjes, duke filluar me krijimin e Këshillit Krahinor, i cili tashmë do të merrte vendimet për vazhdimin e saj në kushte të tjera…

Me talent dhe me penën e tij të magjishme, Bedri Çoku ka sjellë një paralelizëm ndërmjet egërsisë së policëve komunist dhe Tartit, një qen që jetonte brenda kampit. Pasi, ky qeni, ndryshe nga polici – njeri, “kacafytej me policët sa herë kërkonin ta largonin nga i burgosuri që vuante prej torturave të tyre.Tarti u turrej për t`i kafshuar dhe ata tërhiqeshin”. Autori na lë të besojmë se polici komunist ishte më çnjerzor se sa një kafshë…

Për këto aresye,Tarti ishte bërë i dashur për të gjithe të burgosurit, aq sa, kur kryengritja u shtyp me dhunë, komanda e burgut e helmoi Tartin dhe pastaj e vari në litar. Të burgosurit e qanë me lot hidhërimi Tartin e tyre të dashur…

Hetuesia e tetëdhjetë vetëve, e zhvilluar në Tiranë, është një ankth i pakonceptueshëm nga ata që nuk kanë përjetuar hetuesinë komuniste. Por realizmi i sinqertë dhënë me detaje specifike nga shkrimtari, Bedri Çoku, i jep mundësi çdo lexuesi, me këtë rast, të befasohet nga aspekte të pabesueshme të torturës së një hetuesie kriminale. Pa dyshim që do të ketë edhe lexues, të cilët, pasi të kenë shfletuar këtë kapitull dantesk, mund të venë në dyshim shumë nga ato ndodhi të vërteta, që shkrimtari të provuara në trupin e tij, i ka përshkruar mjeshtërisht, me një përqindje të lartë besueshmerie.

Pjesë e tretë e librit “Pse “arrestova”, shokun tim të kryengritjes?”, lexohet me lot në sy, jo vetëm prej ngjarjes, por edhe mënyrës interesante të treguarit, falë talentit dhe gjuhës së bukur artistike…

Rëndësia e librit të Bedri Çokut qëndron në faktin se, ndërsa për“revoltën” e Spaçit, siç e quajtën komunistët, 21-23 maj, 1973, janë botur shumë shkrime, ky, i Bedri Çokut, është ndryshe nga të tjerët. E tregon bindëshëm ngjarjen e përgatitur me ndërgjegje dhe qëllime të qarta. Ku pritej vetëm shkaku për ta shpërthyer. Pra, ndryshe nga të tjerët, të cilët e tregojnë si revoltë spontane. Njohim pak vepra të letërsisë historike, por, për ngjarjet e ditëve tona, me sa di unë, nuk ka asnjë të tillë. Vepra e Bedri Çokut është shembull, jo vetëm për temën që trajton, por edhe mënyrën se si e trajton, me stil të veçantë dhe gjuhë të bukur artistike, me emra konkret, dhe me ngjarje që nuk dalin nga kuadri historik. Libri i tij shërben edhe si një dokument vërtetësie, për sot dhe më shumë për nesër, pasi studjuesi, apo lexuesi i thjeshtë, nuk ka dhe nuk do të ketë nevojë të gjurmojë dokumenta të kohës, kur këtë ngjarje e gjenë në një libër të vetëm. Libri paraqet interes, të krijon emocione të forta, dhe lexohet me kënaqësi. pasi zbulon galerat e thella të krimeve komuniste, me të dënuarit politikë, të kthyer në skllevër, për të vetmen arësye, ngaqë ishin adhurues të fjalës së lirë.

Gjuha e thjeshtë, plot kolorit, e tërheq lexuesin dhe librin nuk mund ta lëshosh nga dora, sapo nis e lexon…

 

                                                                                 

Please follow and like us: