Menelaos Ludemis: EDHE FUND
Menelaos Ludemis
Nuk i kujtohet,
se si e qysh ndodhi kjo gjë.
E hodhën? Ra vetë?
A mos vallë e zbritën gjithë kujdes
siç nëpër kisha llampadarët.
Ai nuk e mban mend, nuk i kujtohet.
Ishte i lodhur, kaq i lodhur…
Sa mezi arriti të belbëzojë:
«O Zot, sa e paktë që ishte jeta…»
Dhe paskëtaj.
Paskëtaj… asgjë. U ul mbi bar
dhe hëngri kotheren e tij të fundme.
(Atë që e kish sjellë nga bota lart).
Përnjëherësh pllakosën milingonat.
Pastaj.
Pastaj prapë asgjë.
Vijuan “marshet funebre”.
Pas tij u zvarrit një lumë,
me lotë të porositura
dhe pastaj, asgjë.
Vetëm se… Disa re me sytë e mbushura,
patën turp të hedhin ujin e tyre
në krah të lotëve të rremë,
dhe shkuan të vajtonin gjetkë.
Vonë. Mbi varrezat
ra e mendueshme mbrëmja,
dhe i qepi sytë.
Milingonat kësaj rradhe nuk u dukën.
Ja behën krimbat.
Shqipëroi: Arqile Garo