Transparency International: Shqipëria vendi më i korruptuar i rajonit
Shqipëria është vendi më i korruptuar në rajon sipas raportit të fundit të Transparency International për vitin 2019.
Vendi ynë ka humbur 15 pozicione në renditje nga viti i shkuar duke zbritur nga vendi 91 në 106 nga 180 vende që analizohen në të gjithë botën.
Indeksi i Transparency International tregon nivelin e korrupsionit në sektorin publik. Ai varion nga 0 në 100, ku 0 do të thotë se vendi është me nivelin më të lartë të korrupsionit ndërsa 100 tregon se nuk ka korrupsion.
Në krahasim me vitin e shkuar Shqipëria ka po të njëjtin indeks, 36 por ka humbur pozicione në rang rajonal dhe botëror çka do të thotë se vende të tjera kanë përparuar në luftën kundër korrupsionit dhe Shqipëria ka mbetur në vend, madje duke u kaluar nga të gjitha vendet e rajonit.
Kështu Kosova është vlerësuar me indeksin 37 duke zënë vendin 101 në botë por në krahasim me vitin e shkuar edhe këtu ka patur rënie. Serbia ka indeksin 39, Mali i Zi 45, Bosnja 36 dhe Kroacia 47.
Duke e parë të shtrirë ndër vite situatën, që nga viti kur u miratua Reforma në Drejtësi (2016) e deri tani Shqipëria nuk ka bërë progres por në fakt ka qenë e kundërta. Nga indeksi 39 kemi zbritur në indeksin 36 dhe nga vendi 83 në vendin 106.
Sa i përket rajonit të Ballkanit Perëndimor, raporti i Transparency International thotë se megjithë aspiratat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, “rezultatet në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia nuk janë përmirësuar”. Turqia (39) ra në mënyrë të konsiderueshme me 10 pikë që nga 2012, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina (36) ra me gjashtë pikë për të njëjtën periudhë. “Mungesa e vullnetit politik dhe një rënie në zbatimin e ligjeve dhe janë sfida reale e rajonit”, shkruhet në raport.
Në analizën e Transparency International, Shqipëria analizohet brenda rajonit të Europës Lindore dhe Azisë qendrore. Sipas raportit rajoni si i tërë ka indeks mesatar 35, me Gjeorgjinë në krye (55) dhe Turkmenistanin e fundit (19).
Vendet e Europës Perëndimore dhe Bashkimit Europian kishin një vlerësim mesatar 66 për vitin 2019, ku në krye të listës është Danimarka (87) dhe në fund Bullgaria (43). Danimarka është gjithashtu në vendin e parë në botë sëbashku me Zelandën e Re ndërsa në vend të fundit të rang global është Somalia (9).