Albspirit

Media/News/Publishing

Bardhyl Berberi: Mister Singell

Image result for bardhyl berberi

Bardhyl Berberi

 

Tashmë populli ka krijuar një ide fikse se pjesa dërrmuese e atyre që merren me politikë janë njerëz të paaftë që kanë hyrë në politikë vetëm për përfitime. Bindje kjo që ka ndikuar të rrisë apatinë politike – ‘mungesën e vullnetit të njeriut për të marr pjesë në proceset politike’. Mungesa e qytetarit dhe intelektualëve të mirëfilltë që janë kapacitete në fushën e tyre e vërteton argumentin se skena politike të mbushet me njerëz të inkriminuar, matrapazë, trafikantë, vrasës dhe me një ushtri të paaftësh.

Kështu duke e bërë politikën një sferë të inkriminuarish të zhytur në afera e kanë zhveshur politikën nga morali. Secili kërkon privilegjet personale dhe politika bie viktimë e padrejtësisë. Urtësia, guximi, bujaria, fisnikëria dhe kapaciteti intelektual i çdo politikani duhet të jenë tiparet e një politikani në kuptimin e plotë të fjalës.

Ne shumë pak mendojmë në cilësinë personale të atyre që duhet të na udhëheqin. Ne, zakonisht mendojmë dhe flasim për institucionet, por shumë pak për atë, se kush duhet t’u prijë institucioneve, a janë ata që janë në krye të ministrive apo institucioneve të tjera të shtetit të aftë për të drejtuar!

Niveli ynë i kulturës politike është kyç për të na ndihmuar në përzgjedhjen e politikanëve – ‘drejtuesit e institucioneve, ata që do të duhet të qeverisin’. Si asociacion për të ilustruar idetë e mësipërme desha të sjell një shembull konkret…Shikoni parlamentin, i mbushur me mediokër një takëm prej tyre nuk kanë as shkollën e mesme por atë të rezerva të punës dy vjeçare… Dhe pas 20 vjet nuk i kanë mbaruar apo pambaruar shkollën e mesme janë ‘kompletuar’ me diploma, grada e tituj shkencorë.

Para disa kohësh pata rastin me disa kolegë të mi të ndjek në Zagreb një monodramë, e cila kishte një javë që shfaqej sallën e madhe të teatrit shtetëror plot e përplot. Monodrama titullohej “Mister Singëll” me dy fjalë përmbajtja e saj:

Një njeri shumë i pasur që kishte gjithçka dhe plotësonte çdo dëshirë, megjithatë ishte i palumtur. Shfaqja fillon me një meso burrë i cili ishte duke lexuar gazetat i zhytur në një kolltuk në sallonin e shtëpisë  lexon lajme jo të mira për vendin e tij në fusha të ngryshme të jetës.

Pse? Ai shikonte një ministër të financave që kishte mbaruar shkollën me atë dhe që kishte qenë studenti më i dobët i fakultetit ekonomik, por ky tani drejtonte financat e vendit, po kështu në krye të shëndetësisë ishte vënë ministër një veteriner në atë të arsimit një ministër që kishte mbaruar fakultetin part-time dhe kështu me radhë gjithsecili që kishte marrë karrigen e madhe të ministrit apo të institucioneve qendrore ishte ‘fori xhoko’, jashtë çdo logjike normale…

Kjo gjë e torturonte këtë njeriun më të pasur. Kjo anomali atij i vjedh gjumin kur sheh shumë kapacitete profesorë dhe doktorë me tituj që bëjnë punë të thjeshta, madje një pjesë e madhe prej tyre janë edhe papunë ose bëjnë punë të rëndomta. Dhe në mes të këtyre dilemave dhe vuajtjeve shpirtërore në monologun e tij, aktorit kryesor i errësohet skena dhe bie në një ëndërr. Dhe i jepet atij mundësia që të kryejë emërimet. Dhe në krye të gjitha ministrive zgjedh njerëzit më të aftë të atyre fushave që mbulojnë: profesorë, doktorë me tituj dhe këta marrin drejtorë të aftë dhe vendi fillon të eci në mënyrë të shkëlqyer në çdo post, pasi janë vënë më të aftët.. Madje këta ministrat e aftë zgjedhin drejtorë dhe shefa nga më të zotët…

Filloi një ndryshim i madh, nisi të ketë arritje në çdo fushë të jetës, një progres si me shkop magjik. Por skena fillon gradualisht të ndriçohet dhe shkon e shoqja dhe e zgjon nga gjumi dhe nga ajo ëndërr e bukur. Spektatori vë re që ai është duke fjetur në një kolltuk dhe e gjitha kjo ka qenë një ëndërr…

Përmbajtja e kësaj monodrama kroate është shumë aktuale edhe tek ne. Sa ministra apo drejtues institucionesh qendrorë kanë qenë të paaftë për të drejtuar në këto 30 vjet që na kanë cuar në humnerë? Përfliten për korrupsion dhe lloj-lloj dallaveresh dhe aferash që qëndrojnë në ato poste vetëm se kanë një teser partie apo besnikëri ndaj njëshit! Do të bëjmë reformë në drejtësi, por duhen shkulur përveç të inkriminuarve edhe gjyqtarët dhe prokurorët e Plepave të Durrësit, që jo vetëm kanë zënë vend si gjyqtarë dhe prokurorë, por na kanë arritur si metastaza kanceroze…

Ka ardhur koha që të përdoret një sitë e imët për të ndarë një herë e përgjithmonë banditin e veshur me petkun e politikanit, duke zgjedhur njerëzit me virtytet e personaliteteve, të cilët nuk tundohen dhe ta shesin shpirtin para asnjë lloj tenderi korruptiv, sepse kjo është kyç në përzgjedhjen e përfaqësuesve tanë. Kjo nënkupton se ne duhet të jemi më aktiv në politikë, se ajo nuk ka të bëjë me kënaqësinë personale të disa matrapazëve, por ka të bëjë me të mirën e përgjithshme – me interesin shoqëror.

Duhet pasur një gjë parasysh, fatin e përfaqësuesve tanë e kemi ne. Atë që po kërkojne  për listat e hapura është një moment kyç për t’u prerë rrugën banditëve dhe mediokërve me diploma e tituj falco të hyjnë në parlament. Ne vendosim se kush do të na përfaqësojë; ata që bartin guximin dhe sinqeritetin me vete, kur marrin mandatin apo ata që shpërdorojnë pushtetin.

Një gjë është e pakontestueshme, të zgjedhurit janë pasqyra e shoqërisë sonë. Ata që do të hynë në parlament duhet t’i njohi populli që paguan taksat për ta dhe kandidatët duhet të dalin pikërisht aty në bazë ajo  ju njeh dhëmbë e dhëmballë. Nëse do të na vijnë deputetë  që nuk kanë lidhje fare me qytetin dhe do të vijnë me listën e kryetarit të partive do të hyjnë përsëri trafikantë, vrasës, drogaxhinj… Do të shohim video pafund nga këta njerëz me vese…

 

 

 

 

 

 

Please follow and like us: