Albspirit

Media/News/Publishing

Fondacioni Kulturor “Harpa” shpall fituesit e vitit 2019

Image may contain: Majlinda Nana, child

Ka përfunduar edicioni i shtatë i çmimeve kombëtare “Harpa”, i cili si cdo vit tjetër ka mbledhur figura e personalitete të njohura në një mbrëmje gala. Kjo ngjarje e rëndësishme kulturore, e mbështetur nga Bashkia Fier, është kthyer tanimë në një traditë dhe ka sjellë në vëmendjen e publikut emra, institucione e personazhe me kontribute të vyera në disa fusha të artit, kulturës e letërsisë.
Aktivitetin e çeli drejtuesja e Fondacionit “Harpa”, Majlinda Rama, e cila theksoi se çmimet “Harpa” edhe këtë vit, shkojnë për emra dhe institucione që i kanë shërbyer të mirës së përgjithshme, që kanë ndihmuar në rritjen e cilësisë dhe përsosjes së artit dhe kulturës si dhe në zhvillimin dhe ngritjen imazhit kombëtar në botë.
Këtë vit, fokus ishte tërmeti i 26 nëntorit, ndërsa u dha një cmim për qytetarët, për humanzimin e lartë të treguar në mbështetje të të prekurve. Nënkryetarja e Bashkisë Enkelejda Peshkëpia, u shpreh se ka qenë emocionuese kur kësaj kauze iu bashkuan edhe fëmijët fierakë.
Ndërkohë, prefekti i qarkut Fier, Baki Bala u shpreh se kjo natë është në nderin e qytetit të Fierit, pasi brenda një salle të vogël gjendet e gjithë Shqipëria bashkë. Sipas Balës, merita i shkon Fondacionit “Harpa” që ka mundur ta mbajë e ta përsosë këtë aktivitet nga viti në vit.
Kryetarja e Këshillit të Qarkut, Evisa Sema, ka thënë se Fondacioni “Harpa” është vlerë e shtuar që ka ditur t’i japë një fytyrë serioze këtij çmimi, duke e bërë atë një ndër më autoritarët në rang kombëtar dhe jo vetëm.
Ndërkohë, “Çmimin e Madh Harpa” e mori aktori dhe regjisori i njohur, Mevlan Shanaj me motivacion “Personalitet i shquar i kinemasë, me kontribut në kulturën kombëtare shqiptare. Aktor i veçantë dhe regjisor i suksesshëm i filmit artistik dhe atij dokumentar”.

Në këtë mbrëmje u dhanë këto çmime:
1. Çmim Special për Qytetarët Fierakë, me motivacion:”Për të gjithë qytetarët fierakë, që me solidaritet dhe ndjenjë të lartë humanizmi, kontribuuan shpirtërisht, moralisht dhe materialisht për të dëmtuarit e tërmetit të 26 nëntorit, duke përçuar mesazhin universal të dashurisë njerëzore”.
2. Çmim “Aktori i vitit” për Koço Qëndron, me motivacion “Për dinamizmin, emocionet, interpretimin e jashtëzakonshëm dhe plot energji në rolin e Harpagonit, të komedisë ‘Kopraci”.
3. Çmim “Regjisori i vitit” për Dhimitër Orgockën, me motivacion “Aktor dhe regjisor me përvojë të gjatë krijuese. Risolli në skenë, plot finesë dhe emocion artistik, komedinë ‘Kopraci’ të Molierit”.

U dhanë disa çmime karriere:
1. Aktorit të madh Timo Flloko, me motivacion: “Personalitet i shquar. Emër i madh i plejadës së artit shqiptar dhe mjeshtër i aktrimit. Artist i dashur për publikun”.
2. Shkrimtarit dhe studiuesit të njohur, Sadik Bejko, me motivacion:”Shkrimtar dhe studiues i apasionuar, i cili, me punën e palodhur dhe plot përkushtim, ka krijuar kolanën e tij të veçantë në korpusin e letrave shqip, gjatë disa dekadave të procesit krijues”.
3. Këngëtarit të njohur, Bashkim Alibali, me motivacion: “Një nga ikonat e këngës shqiptare. Ndër zërat unikalë të një brezi ‘të artë’, që rrallë i vijnë muzikës sonë. Këngëtar që do të ketë adhuruesit e tij në çdo kohë”.
4. Studiuesen Klara Kodra, me motivacion: “Për kontributin e dhënë në fushën e studimeve dhe të kritikës letrare, studiuese me individualitet të spikatur, që ka ditur të ndërtojë kode unike ligjërimi”.
5. Poetin Petrit Ruka, me motivacion: “Për nivel të lartë artistik dhe estetik në vëllimin ‘Shami të zeza qiellore’. Krijues i një vargu të veçantë dhe mbresëlënës”.
6. Çmimin “Editori i vitit” e mori Mark Simoni, me motivacion: “Për kontribut të veçantë në letërsi, si autor dhe botues. Për mbështetjen ndaj krijuesve të rinj si dhe botimin e letërsisë bashkëkohore shqiptare.
U dhanë dy çmime në gazetari, ku u shpallën gazetarët më të mirë, Kristaq Thano, me motivacion: “Për kontributin e dhënë në fushën e gazetarisë. Për korrektesën dhe përcjelljen në kohë reale të aktualitetit” dhe Besnik Sulejmani, me motivacion: “Për punën e palodhur dhe këmbëngulëse në pasqyrimin e realitetit, si dhe për urën e komunikimit që ka krijuar me publikun përmes emisioneve të tij”.
U dha një Çmim Special për mjekun e njohur, Kilo Stoja, me motivacion: “Mjek me karrierë të gjatë. Një kontribut të veçantë ka dhënë përmes librit ‘Sëmundjet profesionale te naftëtarët’, si një vlerë e shtuar humane”.

Në kategorinë “Çmimi i Publikut”, u dhanë tre të tilla:
1. Irena Pricit, me motivacion: “Promovuese dhe kontribuese në fuqizimin e jetës letrare. Karakterizohet nga pasioni, puna e palodhur dhe dashuria për librin”.
2. Odise Plakut, me motivacion: “Krijues në disa zhanre të letërsisë, ku spikat në fushën e dramaturgjisë dhe letërsisë për fëmijë”.
3. Eliverta Kaninës me motivacion: “Për aktivitet të larmishëm në jetën artistike”.
Po ashtu në nderim të personaliteteve që nuk jetojnë më, u dhanë In Memoriam, për shkrimtarin Maku Pone, me motivacion: ”Për kontribut të veçantë në letrat shqip. Ka lënë pas një trashëgimi të konsiderueshme në letërsinë për fëmijë, dramaturgji, poezi, prozë dhe publicistikë”.
4. Për studiuesin Arben Xoxa, me motivacion: “Një prej personaliteteve të spikatura të mendimit kritik. I përkushtuar në studimin dhe botimin e veprave mbi historinë dhe çështjen shqiptare”.
5. Për aktorin e humorit, Muhamet Lika, me motivacion: “Një nga ikonat e estradës dhe humorit shqiptar. Me plastikë të veçantë dhe interpretim virtuoz, ai ka gdhendur një mori personazhesh, që mbeten ende të gjalla për publikun”.
6. Për këngëtarin Jani Tase, me motivacion: “Për kontributin shumëvjeçar në ruajtjen e vlerave të këngës qytetare fierake”.
Mbrëmja u shoqërua nga surpriza të shumta dhe pati karakter festiv.

Ky është i shtati vit vit që nga “Harpa” jepen çmime, duke u vlerësuar një sërë emrash dhe personalitete që kanë dhënë kontribute të rëndësishme në fushat e tyre.

Image may contain: 2 people, indoor

Image may contain: 2 people, people smiling, people standing and indoor

Please follow and like us: