Ministria e Arsimit mbyll shkollën e financuar nga Irani në Tiranë
Ministria e Arsimit ka mbyllur shkollën “Saadi” që ushtronte aktivitet prej disa vitesh në Tiranë.
Siç mëson abcnews.al, vendimi është marrë ditët e fundit dhe mban firmën e ministres së Arsimit, Besa Shahini.
Ministria nuk jep detaje mbi arsyet që kanë çuar në këtë vendim të beftë, por duket se gjithçka ka ardhur pas shpalljes “non grata” të dy diplomatëve iranianë në Tiranë pak ditë më parë.
Diplomatët janë Mohammad Ali Arz Peimanemati dhe Seyed Ahmad Hosseini Alast.
Njëri prej tyre ishte drejtues i fondacionit “Saadi Shirazi” që financon pikërisht shkollën në fjalë.
Në vendimin për mbylljen e shkollës, ministria i kërkon asaj që t’u kthejë nxënësve pagesat e kryera deri më tani, të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për t’u registruar në shkolla të tjera dhe të dorëzojë regjistrat.
Gjithashtu urdhërohet edhe ngritja e një komisioni prej tre vetash që do të ndjekin procedurat e mbylljes së shkollës./Abcnews.al