Albspirit

Media/News/Publishing

Pse u larguan nga Shqipëria bankat greke?

Pas gati tre dekadash si investitori më i madh në Shqipëri, përgjatë dy viteve të fundit Greqia pati një zmbrapsje të shpejtë në raport me fqinjin e saj verior, me tërheqjen nga sektorët si sistemi bankar e arsimi, telekomunikacioni e shëndetësia. Ndërsa qindra mijëra shqiptarë u shpërngulën në jug gjatë tranzicionit dramatik të vendit në vitet 1990, pas 46 vitesh izolimi stalinist, investitorët grekë zgjodhën një rrugë tjetër. Megjithatë, në vitin 2019 Greqia ra nga froni si burimi më i madh i investimeve të huaja në Shqipëri, duke zbritur në vendin e shtatë pas Bullgarisë, Turqisë, Italisë, Kanadasë, Hollandës dhe, vendit të parë, Zvicrës. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, stoku i investimeve greke u tkurr nga 1.2 miliardë më 2018 në 558 milion euro në tremujorin e tretë të vitit 2019. Zmbrapsja me gjasë ishte rezultat i krizës financiare që e shtyu Greqinë në prag të kolapsit ekonomik gjatë dekadës së kaluar, megjithëse zyrtarët grekë fajësojnë edhe klimën e investimeve në Shqipëri. Sipas të dhënave, Zvicra mban vendin e parë, me 1.47 miliardë euro, sepse gjashtë aksionarët pas projektit të Gazsjellësit Trans Adriatik, shkurt TAP, i cili kalon përmes Shqipërisë, krijuan një kompani të përbashkët me qendër në Zvicër. Hollanda u ngjit në vend të dytë falë një investimi prej 1.19 miliardë eurosh për ngritjen e një hidrocentrali 280 MW në Shqipërinë qendrore, i cili u ndërtua nga një firmë norvegjeze me fonde hollandeze. Pavarësisht shitjes së Banker Petroleum LTD, ndërmarrjes më të madhe të naftës në Shqipëri, tek një korporate kineze në fund të vitit 2016, Kanadaja mbetet ndër investitorët më të mëdhenj me 1.03 miliardë euro.

Bankat, të parat që u larguan

Mbizotërimi i gjatë i Greqisë ka qenë i rrënjosur në sektorin bankar shqiptar, duke kapur majën me 27.7 përqind më 2008, sipas Shoqatës Shqiptare të Bankave. Ornela Liperi, kryeredaktore e medias financiare ‘Monitor’, tha se bankat në pronësi greke ishin konkurruese, agresive dhe të kënaqura të jepnin hua me interesa të përballueshme. Megjithatë, mbizotërimi i Greqisë filloi të dobësohej në vitin 2012, e gjendur në një krizë borxhesh prej tre vitesh, gjë që e detyroi Greqinë të kërkonte ndihma të njëpasnjëshme nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Banka e parë që u largua ishte Emporiki Bank Albania, pjesë e Bankës Emporiki të Greqisë, e cila ia shiti 100 përqind të aksioneve të saj në qershor 2012 bankës France IUB Holding, degë e Credit Agricole. Në vitin 2018, Banka Kombëtare e Greqisë njoftoi shitjen e 100 përqind të aksioneve të saj në filialin Banka NBG Albania tek Banka Amerikane e Investimeve. Më pas, në mars 2019, Tirana Bank, pjesë e Grupit Piraeus të Greqisë, u ble nga një kompani shqiptare në bashkëpunim me një bankë maqedonase. Alpha Bank mbetet e vetmja bankë me kapital grek në Shqipëri. Liperi fajësoi krizën që përfshiu Greqinë për largimin e kapitalit. “Bankat me kapital grek ishin të parat që u goditën,” tha Liperi. “Ato u tërhoqën nga pothuajse çdo vend i rajonit, përfshirë Shqipërinë”. Zef Preçi, drejtor i Qendrës Shqiptare për për Kërkime Ekonomike, tha se një faktor shtesë ishte ambicia e kompanive shqiptare. “Konkurrenca në këtë treg është bërë e vështirë, me kompani shqiptare ambicioze për të marrë në dorë më shumë kapital në sektorin bankar”, tha ai.

Telekomunikacioni, universiti, spitali

Greqia ishte gjithashtu një aktor i rëndësishëm në sektorin e telekomunikacionit, me blerjen e Albanian Mobile Communications, AMC, nga COSMOTE, pjesë e grupit OTE, në vitin 2000. Më 2009, kompania raportoi fitim neto prej rreth 100 milionë eurosh, por investimi u reduktua shpejt më vonë. “Në periudhën 2010–2012, tregu shqiptar i telekomunikacionit filloi të maturohet”, tha Liperi. “Kjo erdhi si rezultat i ndërmarrjeve të reja konkurruese që hynë në treg, por edhe për shkak të zhvillimeve të shpejta teknologjike, si përdorimi masiv i internetit në telefona inteligjentë, që çuan në ulje të telefonatave standarde”. Sipas Liperit, kompania tashmë e riemëruar Telekom Albania humbi rreth 38 milion euro më 2017 dhe 2018. Ajo iu shit kompanisë bullgare Vivacom më 2019. Kapitali grek në sektorët e arsimit dhe shëndetësisë u zvogëlua gjithashtu; në gusht 2018, Universiteti New York në Tiranë, i cili bashkë me institucionet arsimore fillore dhe të mesme ishin në pronësi të një investitori grek, iu shit fondacionit turk, Maarif. I pyetur në lidhje me lëvizjet e fundit, ambasada greke në Tiranë tha se arsyet e secilës shitje ndryshonin nga rasti në rast. Por shkaku kryesor, sipas Sarantis Moschovis, kreut të Çështjeve Ekonomike dhe Tregtare në ambasadë, ishin “dobësitë e qenësishme të mjedisit të biznesit në Shqipëri”. “Ka hapësirë për përmirësime në fusha të tilla si lufta kundër informalitetit dhe korrupsionit, administrata tatimore dhe doganore, si dhe gjyqësori,” tha ai. “Konkurrenca e padrejtë konsiderohet si faktori kryesor që pengon sipërmarrjen”. Aktualisht Banka Botërore e rendit Shqipërinë në vendin e 82-të nga 190 shtete, me një rënie prej 19 vendesh, sa i përket lehtësirave të të bërit biznes.

Mundësi të reja

Rrjedhimisht, kishte ende më shumë se 450 ndërmarrje aktive në pronësi greke ose greko-shqiptare në Shqipëri në fund të vitit 2018, një shifër e tejkaluar vetëm nga ndërmarrjet italiane ose italo-shqiptare. Lidhjet tregtare gjithashtu mbeten të forta. Në nëntor të vitit 2019, Shqipëria eksportoi rreth 205 milion euro mallra, nga të cilat 5.8 përqind u eksportuan drejt Greqisë. Nga ana tjetër, produktet greke përbënin 11.9 përqind të importeve shqiptare me vlerë prej 435 milion eurosh në të njëjtin muaj. Ekspertët thonë se numri i madh i shqiptarëve në Greqi, dhe historia e investimeve Greke në Shqipëri, sugjerojnë se lidhjet ekonomike dhe financiare midis dy vendeve mund të rikthehen. Moschovis theksoi rimëkëmbjen ekonomike të Greqisë, duke inkurajuar investitorët të eksplorojnë sektorë të rinj në Shqipëri. “Sot, shumë ndërmarrje Greke janë të gatshme të investojnë në Shqipëri, në sektorë të ndryshëm si energjia, përpunimi i mbetjeve, turizmi, teknologjia e informacionit-komunikimit”, tha Moschovis. Ai përmendi bujqësinë si një fushë tjetër bashkëpunimi të mundshëm dhe përshëndeti projektin e tubacionit TAP si “mundësia më e mirë” për të promovuar ndërlidhjen në Evropën Juglindore. /Balkan Insight

Please follow and like us: