Simone de Beauvoir: Një dashuri transatlantike
Hotel Nacional de Cuba Havana
28 Tetor 1960
Përbindëshi i dashur i zemrës sime, Nelsoni im,
Nga çasti që u mundova të të arrija në Belem, kanë ndodhur shumë gjëra. (Ia dola?). Shkuam me avion në Manaus, në lumin e Amazonës. Qytet i çuditshëm. Pasi u pasurua mrekullisht për dy a tre vjet, kur banorët rrisnin pemë kauçuku që i shisnin në mbarë botën, ndërtuan një nga teatrot më të shtrenjtë dhe shumë shtëpi të pazakonta, por të shëmtuara; më pas, krejt papritur anglezët vodhën farat e pemës së kauçukut dhe filluan ta prodhonin në Indi: Brenda gjashtë muajsh, Manausi u shkatërrua përgjithmonë; shtëpitë u rrënuan dhe tani qyteti ka mbetur i shkretë, pa banorë, me pyje ekuadoriale përreth tij, ku nuk mund të vendosësh këmbën, ndërsa në anën tjetër ujë pafund. Bën një dreq zagushie e lagësht. Amazona! Krahasuar me Amazonën, Misisipi është curril i vogël uji. Papritur ndjeva ethe; nuk dua të sëmurem në Manaus, prandaj në 4 të mëngjesit morëm menjëherë avionin për në Recife ku mbërritëm brenda 15 orësh. Kur zbritëm nga avioni, isha si e vdekur. Recife ishte një tjetër lloj ferri – jo aq i nxehtë, me puhi të lehtë. Por ethet mu shtuan; mu desh të takoja doktorin. Ai tha “ethe tifoide”, që sigurisht e kishte gabim, sepse e mora veten shumë shpejt. Megjithatë, më dërgoi te një spital ku më dhanë shumë antibiotikë që m’i larguan ethet, por u rraskapita. Në spital ndenja një javë. Kisha një dhomë timen, por prap ishte ferr, si gjithmonë: zhurmë! E pamundur të flija, thuajse asgjë për të ngrënë dhe ishte shumë mërzitshëm. Sartri u tërbua. Në Recife shkuam edhe sepse që aty duhet të fluturojmë për Paris, edhe sepse aty jetonte flokëkuqja për të cilën Sartri kishte filluar të kujdesej aq shumë. Ndërsa unë rrija shtrirë, ai vërdallosej me flokëkuqen gjithë ditën. Askush nuk e përfytyron dot si është një qytet në veri të Brazilit, çfarë është Recife! Vajzat janë të virgjëra, përndryshe nuk martohen dot. Me një burrë mund të dalin vetëm nëse kanë synm martesën, përndryshe janë të humbura. Vajzës i pëlqente Sartri shumë, ka dëshirë, personalitet dhe e takonte shpesh: por u idhnua, sepse e qortonte familja, miqtë dhe i gjithë qyteti. Meqë besonte në zot dhe kur kuptoi se Sartri nuk do të kishte qenë kundër të flinte me të, mendoi ai ishte Djalli vetë. U grindën. Sartri kaloi mos më keq në këtë qytet të mërzitshëm, armiqësor me mua në spital dhe flokëkuqen gjysmë të trëmbur; e teproi pak me pijen dhe për të fjetur, natën gëlltiti doza të mëdha gardenali. Si përfundim, kur ai u ngrit në mëngjes nuk qendronte dot më këmbë; përplasej pas murit dhe i merreshin këmbët. Kur vinte në spital dukej si i dehur, gjë që më acaronte, por nuk bëja dot gjë. Kur e mora veten, kaluam një natë të çmendur. Kur mori vesh se të nesërmen largoheshim, vajza piu shumë, theu gotat në dorë, gjaku i vërshoi si rrëké dhe tha që do të vriste veten, sepse Sartrin e dashuronte dhe e urrente njëherësh. Pasi i dhamë doza të forta gardenali, fjeta me të duke e mbajtur nga duart, që mos hidhej nga dritarja. Duhet të them se është vajzë e bukur dhe tërheqëse, do të vijë në Paris dhe Sartri thotë që mbase mund të martohet me atë! Po algjerianen, si do ta bëjë? Fundja, kjo i takon së ardhmes. Le të flasim për të tashmen. Pra, unë u sëmura, ai u çmend, nga Parisi morëm shumë telefonata e telegrame, ku na thoshin të mos ktheheshim para se të mernim një letër të gjatë nga miqtë tanë – ishte çështje jete a vdekje. Turbull e dinim që në Paris, gjërat për ne po shkonin keq, prandaj pritëm të na dërgonin letër nëpërmjet dikujt nga Nju Jorku, por ajo nuk erdhi kurrë. Mbetëm në Recife. Pata ndjesinë se nga ai qytet djallëzor nuk do të mund të arratisesha kurrë. Më në fund letra mbëriti; thoshte gjëra që mbase i ke lexuar nëpër gazeta: Sartri dërgoi një letër provokuese dhe të guximshme për gjyqin “Jeanson” , me të cilën i nxiste të rinjtë mos të pranonin të dërgoheshin në Algjeri. Për këtë arsye, qeveria kërkon ta fusë Sartrin në burg, kurse fashistët francezë kërkojë ta vrisnin vërtet, prandaj duhet të fshihet. Miqtë na thanë mos të ktheheshim me avion: policët dhe fashistët e armatosur të OAS do të na prisnin në aeroport; ne do të ndalojmë në Spanjë, miqtë tanë do na shoqërojnë drejt Parisit pa zhurmë. U vendos. Por më përpara, na rrëmbyen kubanezët… në Brazil është shumë e vështirë të lidhesh me telefon apo telegram dhe konsulli kubanez erdhi me avion nga Rio për në Recife (2000 km), që të na lutej të shkonim në Havanë: pranuam! U desh të shkonim drejt jugut, në Rio, me qëllim që të merrnim avionin për në veri, në Belem, Karakas dhe Havanë! Çfarë udhëtimi! Në Karakas kërkonin të na ndalonin. Ndenjëm një javë në apo atë hotel ku ishim në mars, por Kuba nuk ishte më njësoj; i trembeshin një agresioni amerikan në të ardhmen, të gjithë në ankth, gati për luftë, por të hidhëruar, gjë që e kuptoj. Ishte javë e ngarkuar. Sot do të largohemi, por unë duhet të rri, sepse duhet të vizitojmë impiant të madh, të hamë drekë me punëtorët, të takojmë Fidelin dhe më pas të nisemi. Do të fluturojmë për Barcelonë, ku do të na marrë Bosti me shokë. Herës tjetër do të të shkruaj nga Parisi dhe shpresoj që atje të gjej shumë letra Nelsoniane. Më shkruaj, përbindëshi i zemrës sime! Druaj se rruga Schoelcher do të jetë shumë më e vetmuar pa ty. Të puth gjatë dhe fort, ashtu siç kam aq shumë dëshirë. Simona jote./shtepia e librit/