Albspirit

Media/News/Publishing

Blogerja Gentiana Gjomema: Ju tregoj sekretet e gëzimit tim…

 Image may contain: one or more people and people sitting
Genta- fashion blogger, rrëfen dritëhijet në jetën e saj dhe ndikimin që pati pasioni i saj mbi modën për të kapercyer një gjendje depresive që i zgjati për një kohë të gjatë.
Toronto- Kanada
Me Gentën jemi njohur në rrjetin social i cili ka refren përcjelljen e një imazhi perfekt të bukurisë e të modës, në instagram. Në fakt po të lundrosh aty, ngjarjet lidhur me të përditshmen e vërtetë largohen çdo postim e më shumë. Sigurisht që teknologjia ka thjeshtuar shumë komanda të jetës, në të njëjtën kohë ka komplikuar edhe marrëdhënien me realitetin.
E ftuar në Albanian Montreal Press, Genta ka një mezipritje të na rrëfejë anët e jetës së saj, të cilat ajo mundohet t’i percjelli me ngjyrat dhe kombinimet që ajo bën në blogun e vet, por dhe me mesazhet që ajo percjellë janë po aty. Ajo këmbëngul se bukuria dhe detajet janë të lidhura ngushtë me modën dhe i kanë sjellë asaj ndryshime të mëdha në botën shpirtërore.
Genta është me origjinë nga Vlora, prej 13 vitesh ajo është vendosur në Kanada me një ecejake jo fort të lehtë në gjithë rrugëtimin e emigrimit të saj.
Pasioni i saj lidhur me veshjet dhe rrobat, ka fillesë që në moshën 10 vjeçare, atëherë kur Shqipëria e asaj periudhe nuk mund t’i ofronte më shumë se sa dyqanet e basmave. Sipas saj, në fillim u duk si një lojë fëmijësh por ky pasion do ta përndiqte gjatë në jetën e Gentës. Në kujtimet e saj të adoleshencës janë fashion-shows që ajo organizonte me vajzat e lagjes në dhomën e saj. Siç rrëfen Genta inspirimi i atëhershëm ishte nga programi i saj i preferuar italian, ‘Non e la Rai’ me Ambra Angiolini. Dhe aty, tek ajo dhomë e vogël, filluan pasarelat e modës të shoqëruara me fotografi duke imituar modele të ndryshme. Arsyet familjare, pasi mbaron gjimnazin, në moshën 19 vjeç Genta emigron në shtetin grek për të kaluar një periudhë të konsiderueshme të jetës së saj.
Me mjaft sakrifica dhe me një realitet diskriminues që ajo ndjente si shqiptare, Gentës iu desh që ta mësonte gjuhën greke për një periudhë të shkurtër prej 6 muajsh. Shpëtim i saj ishte ditari, i cili niste me dëshirën për rrobat dhe më pas me bilancin ditor.
Përveç gjithë kujtimeve me shije jo të mirë, Greqia e njohu me dashurinë e jetës si dhe do të bëhej nënë e një vajze për herë të parë.
Image may contain: 1 person
Genta na trego pak më shumë për fillimet e tua në Kanada?
Kanadaja do të ishte një rifillim i mbarë për jetën time prej momentit kur aplikimi rezultoi i sukseshëm. Kur erdha në Toronto ndjeva ndryshime të mëdha menjëherë në mënyrën sesi njerëzit visheshin apo prezantoheshin. Në të njëjtën kohë, kjo më dha edhe një ndjesi çlirimi që edhe përditshmëria ime do t’i përngjante realitetit të ri. Toronto ishte një ëndërr e madhe ndaj edhe përshtatja me jetesën e re u bë me kënaqësinë më të madhe. Ndryshe nga ç’kish ndodhur në Greqi, më në fund isha më e lirë për të treguar origjinën time dhe gjithçka që më pyesnin për Shqipërinë. Eksplorimi i qytetit, njohja me gjuhën, prekja nga afër e jetës kanadeze ishte një kuriozitet që shtohej çdo ditë per mua.
Kujtoj që filloi të më pëlqente të vishesha lirshëm, pa taka (në Greqi s’kisha dalë një ditë pa taka) pa shumë make up dhe më një fëmijë 1 vjeçe e gjysmë më pëlqeu shumë ky ndryshim i papritur për mua. Në janar 2008 (pas një viti në Kanada) dhe ndërkohë shtatezanë duke pritur ardhjen e djalit tim, përfundova studimet në kolegj për Office Administraion – Legal me High Honours. Një muaj para provimeve përfundimtare, në 27 Nentor 2008, erdhi në jete djali im. Aty filluan te papriturat e jetës sime. Pas një neglizhence të pashpjegueshme nga stafi mjekësor që ndoqi lindjen e tim biri, pësoj një djegie të shkallës së trete në pjesën e pasme të këmbës. U ankova shumë herë se diçka me digjte por as infermierja, as doktori nuk më kontrolluan. Më pas nuk ndjeva gjë pasi epidurali filloi efektin e tij dhe rashë në gjumë për tre orë. Kur u zgjova ishte një tmerr i vërtet me mjeke që iknin e vinin. Unë vetëm mbaj mend që më thanë se kisha pësuar një djegie të shkallës së tretë i cili më kish prekur nervin e se ekzistonte mundësia qe nuk do te ecja më. Pak më bëri përshtypje ky lajm, pasi që dhimbjet e lindjes ishin aq të mëdhaja sa fokusimi im ishte të sillja djalin tim në jetë.
Ishte e nesërmja pas lindjes, kur pashë plagën për herë të pare dhe humba ndjenjat nga shoku. Pasi dola nga spitali më duhej të jepja provimet përfundimtare. Nuk e di se ku e gjeta fuqinë fizike dhe psikologjike të shkoja në kolegj, patjetër e shoqëruar nga bashkëshorti, dhe të jepja provimet me një plagë të hapur dhe me dhimbje të tmerrshme. Por me këmbungeljen dhe forcën e karakterit arrita t’i merrja provimet dhe të diplomohesha.
Djegia ishte ndër eksperiencat më të vështira pasi me mori plot 4 muaj dhimbjeje dhe shpresë se plaga do të mbyllej në mënyre natyrale. Më në fund, u detyrova të pranoja të bëja transplant lëkure që të mbyllej sa me shpejt. Ndenja shtruar tre javë në spital pa lëvizur me një makineri që shtynte lëkurën e re mbi plagën dhe me një ankth të tmerrshëm nëse do të kishim sukses apo jo. Dhe pas tre javesh ankthi, sacrifice, me një foshnjë që e sillte motra tre herë në ditë t’i jepja gji, suksesi erdhi dhe plaga u mbyll. S’diskutohet që më la një shenjë, por pak përshtypje më bënte shenja pas atij sikleti që kalova. Më kujtohet që vishja vetëm tuta XXL se kisha gjithmonë makinerinë te montuar pas këmbe. S’kam për të harruar momentin kur më hoqën makinerinë dhe më në fund mund të ecja normal dhe te vishja çfarë të doja.
Aty rinisi dëshira për modën, veshjen dhe rrobat. Jeans dhe një t-shirt ishin preferenca ime, nuk doja të dëgjoja më për tutat.
Image may contain: 1 person, smiling, closeup
Cila është marrëdhënia jote me familjen tënde, prindërit motrën, vëllain?
Kam një raport mjaft unik me mamin, një admirim, një dashuri e madhe për figurën e saj, e shoh si heroinë per menyren sesi ajo i ka perballuar sfidat e jetes. Megjithatë, në ditët e mia të vështira në Kanada, ajo ka qenë gjithmonë aty për mua sadoqe nga larg pasi ishte ne pritje te nje operacioni dhe nuk mund te udhetonte. Nuk e di sesi mund t’ia shpreh falenderimet e mia dhe vlerësimin që kam për të, pervec dashurise sublime. Gjithashtu një admirim për babin tim pasi më ka rritur me një liri dhe në kohët më të vështira të viteve 95. Marrëdhënia me vëllezerit e mi ka qenë gjithmonë e mirë, dhe në momentet më të veshtira, më kanë mbështetur dhe udhëzuar.
Për motrën time e cila jeton në Kanada që prej 2011, do duhet një artikull tjetër të them se çfarë ndiej, se sa e vlerësoj, sesa me fat jam që e kam, sesa afër më ka qendruar. Ka qenë psikologia ime për gjithë periudhën e vështirë, sesa herë më ka ngritur lart kur kam qenë përtokë. Jam shumë krenare për ç’do gjë që ka arritur në jetën e saj dhe ç’do sakrificë që ka bërë për të gjithë familjen tone. Eshtë një engjëll i vërtetë.
Image may contain: 1 person, smiling
Na trego pak me shumë se si lindi gjendja jote depresive?
Përveç faktit që pësova djegien, pas operacionit i dhashë shtyrje vetes e të harroja gjithçka dhe të përqendrohesha në jetën e përditshme, rritjen e fëmiive, përkushtimit ndaj bashkëshortit tim të mrekullueshëm, dhe patjeter karrierës sime. Çdo gjë po shkonte mirë, fillova nje pune full- time ne nje kolegj prestigjioz. Gjithsesi, qellimin e kisha te vazhdoja studimet per Law Clerk dhe me një eksperiencë pune 2 vjeçare në një Law Office, e ma pas te vazhdoja Universitetin per te permbushur nje nga enderrat e mia te tjera- drejtësinë, e më qartë te behesha avokate.
Bashkëshorti me punë ne ate kohe shkonte shume mire. Punonte si shef guzhine dhe nga ana finaciare ishim shumë mirë. Keshtu, me fund pas kaq vitesh në Greqi ndihesha vetvetja, sikur isha lindur për këtë vend.
Në shkurt të 2010 në një moment kur po bëheshim gati të blenim shtëpinë tonë të parë, shkoj tek mjeku im familjar për disa simptoma ftohme qe kisha. Mjeku për çudi më jep një diagnozë komplet te gabuar per zemren, gje e cila qe me trembi aq shume saqe e perjetova shume keq. Për tre ditë të tëra dridhesha derisa sa shkova tek kardiologu që të qartësohesha.
Kur kardiologu më pa, më tha që ajo që ai doktor bëri ishte qesharake pasi simptomat qe kisha s’kishin të bënin fare me zemren. Më vizitoi dhe çdo gjë doli mirë. Por kisha tre netë pa gjumë tamam nga shqetësimi dhe mos konfortimi i një makinerie që mjeku familjar më kishte vënë në gji. Rrjedhimisht, të nesërmen në punë nuk ndihesha mirë. S’po kuptoja çfarë kisha derisa më filluan atake ankthi që nuk i kisha provuar as imagjinuar kurrë në jetën time. U tmerrova, pija ujë të ftohtë, rashë në shesh, s’merrja dot frymë. Marr taksi e shkoj në shtëpi. Im shoq u shqetësua kur më pa në atë gjendje. Vecse, të nesërmen me ndodhi e njejta gjë. Marr lajmin e mirë që ëndrra e jetës ime që mami im të fitonte jetën ishte realizuar. Operacioni i kishte dalë me sukses. Ironia e fatit ishte që une kisha kaq shumë atake ankthi, saqë nuk e përjetova dot gëzimin që mezi e prisja. Më ofruan ilaçe kundër ankthit, por nuk pranova t’i merrja (e quaj një gabim të madh tani kur shikoj mprapa). Pas tre javësh pagjumësie të plotë, dhe duke provuar çdo medikament bimor, marrje frymë thellë, vrap etj që nuk më ndihmuan dot, pranoj të filloj një doze të vogël ilaçesh kundër atakeve të ankthit.
Më në fund qetësohem dhe arrij të fle 8 orë gjumë. Por trupi ishte lodhur dhe fillova të bija dalëngadalë. Me kapi një mall për familjen që s’e kisha përjetuar më parë, nuk më bënin përshtypje as çelja e luleve ne prill, as natyra, e mbaj mend se nuk përqendrohesha dot. E kuptova që diçka nuk shkonte mirë dhe fillova terapi me psikologe. U mundova shumë të përfitoja sa mundesha për dy muaj rreshtazi, por mungesa e përqendrimit të plotë dhe mosfokusimi më bënë që më në fund të pranoj e t’i drejtohem një psikiatri.
Nuk mund të përshkruaj se çfarë ndjesie tmerri ishte kur u diagnostikova me depresion klinik i shoqëruar me ankth. Unë? Genta? Unë qe kisha kaq ëndrra, pasione, ambicie, si ka mundësi të me ndodhte mua kjo gjë. Me psikiatrin, një doktor i pazevendesueshem, përveç dozave të ilaçeve, flisnim për ç’do gjë. Aty kuptova se duhet të pranosh gjendjen, të bashkëjetosh me të (një fjalë goje) dhe të vlerësosh veten tënde qoftë dhe për një sukses më të vogël drejt ngjitjes së malit nga e para. Nuk do doja të zgjatem më shumë pasi ka qenë periudha më e errët e jetës sime dhe nuk zgjati as një, as dy, e as tre vjet. Megjithatë me këmbënguljen time, forcën, dashurinë për fëmijët e mi, me mbështetjen e plotë të familjes sime, bashkëshortit dhe shoqërisë sime arrita të dalë nga errësira.
 Megjithatë më duhej akoma një hap i vogël që të gjeja vetveten plotësisht dhe sekreti ishte të ndiqja një pasion që kisha e kisha patur per hobi.
Image may contain: 1 person, smiling, standing and indoor
Si nisi pasioni për hapjen e blogut?
Moda, fashion dhe rrobat në përgjithësi, sic e thashë më sipër, kanë qenë hobet e mia. Në momentin që po mudohesha të gjeja një hobi për të ngritur Gentën lart e më lart, ishte vëllai im i vogël (një person me intelekt dhe inuitë të jashtëzakonshme) që më sugjeroi të ndiqja këto pasione si mënyrë për tëfokusuar energjine time mbi gjera pozitive. Në kontakt me një fashion blogger shqiptare në Vancouver (të cilën e falenderoj nga zemra), mora disa instruktime fillestare. Prej pothuaj një viti, gjërat çuditërisht ecën mbarë në faqen time dhe ajo u kthye shumë shpejt në një fashion-business.
Pjesa dominuese e ndjekësve te mi janë nga Europa dhe pothuaj me ta jam në komunikim te përditshëm. Ne komunikojmë çdo ditë në faqen time në instagram @Genta.g.style. Më japin shumë kënaqësi. Duke qenë se po ndjek një kurs për Social Media Marketing kam nder mend një projekt për zgjerimin e blogut, por pa nxitim dhe në një moment kur të ndihem më e sigurtë në veten time.
Për stilin tim do thoja që është klasik më tepër i influencuar nga stili franzez. Filozofia ime është cilësia mbi sasinë në garderoben time. Eshtë më mirë të kesh dhjetë gjëra të mira cilësore, timeless të cilat i rezistojnë trendeve të modës dhe të bësh kombinime të ndryshme me to. Padyshim që moda ndryshon cdo vit, vijnë trende të reja, por klasikja ngelet klasike. Patjetër që mundohem të ndjek trendet e reja të modës por jo në atë pikë sa të bëhem viktimë e cdo trendi që del neper revista dhe fashion shows. Marka ime e preferuar është Chanel, jo ne sensin që rrobat e mia janë Chanel:-), por është marka që ka ruajtuar identitetin e saj për kaq vite. Gabrielle Chanel është idhulli im jo vetëm në veshjet e saj por dhe si ikonë influencuese me personalitetin e saj.
Çfarë mesazhi ke në përgjithësi për çfarë ke kaluar?
Kam një mesazh për ata që më njohin ose jo : ka dritë në fund të tunelit, dhe asnjëherë nuk duhet të dorëzohesh, janë disa mendime ndonjëherë edhe të pabesueshme, por mendja duhet të ushqehet me dashuri, pozitivitet, këmbëngulje, dhe nje force të madhe. Unë kam një moto time nga filmi “Gone with the Wind” të cilën ia përsërisja vetes çdo ditë në mendjen time por dhe në ditarin tim: “After all, tomorrow is another day” pas të gjithave, e nesërmja është një ditë tjetër, një ditë e re, një shpresë e re.
Cila është ëndrra jote më e madhe në këto momente?
Endrra ime më e madhe është që të kem shëndet une, familja ime dhe të gjithë të dashurit e mi se kur nuk e kemi atë, s’kemi asgjë. Sigurisht më kaq ulje dhe ngritje që kam patur, ka shume gjëra të papërfunduara. Megjithate e kam një ëndërr që nuk dikutohet që është e lidhur me pasionin tim më të madh, me modën. Siç e përmenda më lart orientimi i stilit tim është afër modës pariziane. Një udhëtim në Paris dhe të ndjek nga afër “Paris Fashion Week” ka qenë dhe nglelet nje nga ëndrrat e mia. Nuk e di nëse do ta realizoj ndonjeherë pasi dhe kushtet finaciare luajnë rolin e tyre, por unë do te vazhdoj të ëndërroj. Nuk më besohet që aty ku m’u prenë ëndërrat të gjitha, tani kam perseri ëndrra. Jam shumë krenare për forcën dhe këmbënguljen time dhe falenderoj nga zemra të gjithë njerëzit që më kanë qendruar afër gjatë asaj periudhës se jetës sime, qofte edhe ata të panjohurit qe më kane pare duke qarë ne rruge dhe më kanë shtrënguar dorën e me kane dhënë kurajo. Falenderoj dhe juve pamasë për këtë mundësi që më dhatë qe të ndaj jo vetëm historine time por dhe pasionin tim.
Bisedoi: Blerina Ruka ALBANIAN MONTREAL PRESS
Please follow and like us: