Ilir Çumani: Drama kolektive e kombit tonë në tri dekadat e tranzicionit
… Nuk e di përse, por shpesh herë gjatë jetës sime kam ëndërruar, medituar dhe dëshiruar për njerëzit e zakonshëm të vendit tim, për të gjithë shqiptarët e bashkëkombasit e mi, pa përjashtim, të kamur dhe të skamur, të mundur e të pamundur, të shkolluar apo të pashkolluar, pa ndasi klasore, shtresash shoqërore, sociale e kulturore, feje, race apo bindjesh, që të gjithë së bashku të kishin një të ardhme dhe një jetë më të mirë, duke jetuar në harmoni të plotë në një Shqipëri të zhvilluar e të prosperuar, me gjithçka të mirë e të bukur që i ka falë natyra vendit tonë.
Sigurisht, kam besuar dhe ende vazhdoj të besoj se asgjë nuk është e pamundur, dhe asgjë nuk mund të mbaj peng pafundësisht dhe në mënyrë të pashpresë ëndrën e përbashkët në suaza utopike aspiratën e përbashkët për një jetë më të mirë e më të begatë nëse do të vijë një ditë që të qeverisemi nga politikanë të përgjegjshëm, të ndershëm e të përkushtuar, me synimin e vetëm: mirëqënien e begatimin e popullit…
Kam besuar dhe besoj se e gjitha kjo është një çështje kohe, pasi shqiptarët në të gjitha periudhat e historisë për ekzistencë dhe mbijetesë kanë ditur t’ia dalin e të ndërtojnë jetën e tyre edhe këtu në tokën ku kanë lerë bashkë me të parët e tyre, ashtu siç dhe e meritojnë…
Me këto imazhe e përfytyroj jetën e zakonshme dhe të nesërmen e çdo shqiptari, por pa këtë klasë politike të padhembshur, të korruptuar, grabitqare, e paaftë për të qeverisur, shkaktare kryesore e dramës kolektive të kombit tonë në këto tri dekadat e tranzicionit të dhimbshëm e të vështirë që ka përjetuar padrejtësisht shoqëria jonë.
Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët!
26 janar 2020.