Albspirit

Media/News/Publishing

Mehdi Gurra: Çamëria, plaga e pashëruar në një enciklopedi për të

Çamëria, plaga e pashëruar në një enciklopedi për të

 

 

Rëndësia kritike e ekzistencës së Perandorisë Osmane për mbarëvajtjen e shqiptarëve në territorin e tyre u bë shumë e dukshme kur ajo nisi shpërbërjen. Të shtrirë dhe banues në një hapësirë të gjerë, në pozita shpesh sunduese, si drejtues të lartë në hierarkinë perandorake, shqiptarët nisën zmbrapsjen dhe tkurrjen kur si pjesë e perandorisë filluan të provonin efektet e dobësimit të saj.

Ca prej tyre patën fat tek mbetën brenda kufijve të një Shqipërie të shpallur të pavarur pak vite më herët se Perandoria Osmane të pushonte së ekzistuari. Një numër i konsiderueshëm iu bashkangjitën shteteve fqinje ballkanike si rrjedhojë e vendimeve arbitrare të fuqive të kohës atëherë kur shteti qindravjeçar otoman ishte në grahmat e fundit.

Ata iu nënshtruan kalvarit të mundimeve, vuajtën persekutimin, spastrimin etnik, u detyruan të marrin rrugët, të lënë tokën, shtëpitë, pasurinë, për të vetmin fakt, se ishin shqiptarë, se shumë ishin muslimanë. Prej akteve gjenocidale e pësuan më së tepërmi çamët, posaçërisht të besimit islam, në gjysmën e parë të shekullit të shkuar; një popullsi e përzënë me dhunë prej vatrës së vet. Imponimi nga grekët i harresës, pafuqia e klasës politike shqiptare për ta vënë në rend të ditës si çështje, i kanë dhënë sukses taktikës së vjetër greke të mohimit absolut të problemit të Çamërisë.

Kush e ka qeverisur Shqipërinë deri më tani o nuk ka ditur si t’i qaset çështjes çame, o nuk ka dashur qët’i  krijojëvetes telashe me fqinjin jugor, gjithmonë dhëmbëkërcitës dhe kur veç është belbëzuar në lidhje me Çamërinë. Çështja as nuk është ngritur kurrë siç duhet, jo më të pritet një zgjidhje e saj. Ajo mbetet vija e thyerjes e dy shteteve, asnjëherë në një dashuri të sinqertë me njëri-tjetrin.

Pasardhësve të çamëve të shpërngulur me forcë nuk u lejohet ta vizitojnë vendin e tyre,t’i vizitojnë shtëpitë e të parëve ende në këmbë a gërmadhë, apo ta rigëzojnë pronën e marrë me forcë. Të mbeturit në Çamëri, më së shumti të besimit ortodoks, i janë nënshtruar rregullisht helenizimit. Shteti grek ka një ndjeshmëri dhe vigjilencë të skajshme kur vjen puna te çamët, duke mos i lënë shteg asnjë optimizmi sado të vogël se çështja e tyre do të marrë zgjidhje. I njëjti shtet nuk di të sillet në mënyrë aq proporcionale sa ka të bëjë me minoritetin grek që jeton në Shqipëri, për të cilin kërkon të drejta vend e pavend.

*

Çamëriapërbënte skajin më jugor të trungut shqiptar përpara vitit 1913. Shtrirë në lindje të Jonit, me Konispolin si cak në veri të saj dhe Prevezën në jug, Çamëria do t’i lihej Greqisë atë vit prej Konferencës së Ambasadorëve. Prej asaj kohe do të përjetonte valët e spastrimeve etnike, të kulmuara në fundin e Luftës së Dytë Botërore, në vitet 1944-1945.

Greqia zgjodhi rrugën e trembjes dhe të largimit të popullsisë çame, për të krijuar një realitet të ri demografik. Historiani Beqir Meta, i cili i ka studiuar marrëdhëniet shqiptaro-greke dhe çështjen çame, duke shkruar për to, i rrëfente seksionit në shqip të agjencisë së lajmeve Anadolu Agencynjë vit më parë se masakra e 72 krerëve të Çamërisë në vitin 1913 ishte eliminimi i parë i kësaj periudhe. Një valë e madhe spastrimi do të kryhej pas Konferencës së Lozanës të dhjetë viteve më vonë, ndjekur nga ajo në fund të Luftës së Dytë Botërore.

Spastrimi i fundit etnik ishte më tragjiku. Detyrimi me dhunë për t’u shpërngulur, shoqëruar me masakra, nisi më 27 qershor të vitit 1944 dhe përfundoi në mars të vitit pasardhës. Të gjithë çamët muslimanë u detyruan të lënë shtëpitë e tyre dhe të vijnë në Shqipëri si refugjatë. Mijëra u vranë në këtë fushatë spastrimi, mijëra të tjerë vdiqën. Sipas prof. dr. Beqir Metës, u spastrua etnikisht një popullsi prej 35.000 banorësh, pra, të gjithë shqiptarët muslimanë të Çamërisë, që erdhën në Shqipëri si refugjatë në kushte jashtëzakonisht të vështira.

Vendin bosh të lënë prej çamëve muslimanë e zunë grekët e sjellë aty prej qeverisë së tyre, toponimet u ndërruan, u greqizuan, u sekuestruan prona, shtëpi. Çamët ishin viktima të spastrimit etnik; ky spastrim ishte bërë mbi ta në mënyrë përzgjedhëse, seleksionuar në bazë të besimit fetar. Muslimanët e pësuan!

E megjithatë, sot e gjithë kohës, kush e ka qeverisur Greqinë e ka mohuar që të ketë një çështje çame. Pavarësisht përpjekjeve sporadike, autoritetet shqiptare nuk kanë patur asnjëherë guximin për ta shtruar seriozisht atë në tryezën e bisedimeve dypalëshe.

*

Përpara se të flasim për enciklopedinë e botuar mbi Çamërinë, duhet thënë dhe diçka më tepër për këtë krahinë shqiptarësh në pjesën më jugore të banuar prej tyre. Fjalori Enciklopedik Shqiptar thotë se Çamëria shtrihet përgjatë bregdetit të Jonit, nga lumi i Pavllës (ose i Shalësit) në veri deri në gjirin e Prevezës në jug, në gjatësi rreth 107-108 kilometra, ndërsa në lindje shkon deri te malet e Kurillës dhe te shkalla e Parathimisë, me një sipërfaqe prej rreth 3900 km², ku mbizotërojnë kodra e male me lartësi jo më tepër se 1000 metra. Filati, Gumenica, Lurai Margëllëçi, Arta, Parathimia, Parga dhe Preveza njihen si qendrat kryesore të Çamërisë. Konferenca e Amabasadorëve e Londrës e vitit 1913 la brenda kufijve të shtetit shqiptar vetëm fshatrat Dishat, Janjar, Konispol, Markat, Ninat, Shalës dhe Vërvë me popullsi muslimane, dhe Çiflik, Mursi e Xarrë me popullsi ortodokse.

Çam e Çamëri kanë lidhje me emrin antik të lumit Thyamis, që kalonte nëpër territorin e Tesprotisë, banuar prej fisit ilir të Tesprotëve. Çamëria ishte pjesë e sanxhakut të Delvinës dhe Janinës gjatë periudhës osmane. Popullsia në atë kohë sillej sipas botimit  të përmendur më lart nga 95 në 110 mijë banorë. Andartët grekë iu sulën Çamërisë më 1854 dhe 1878, pritur me armë nga popullsia vendase. Atë që nuk e bënë ata e realizoi sa hap e mbyll sytë Konferenca e Ambasadorëve e 1913-s. Pas Luftës së parë Botërore, qeveritë greke dëbuan për në Anadoll mijëra çamë muslimanë. Dëbimet greke do të vijonin dhe në fundin e Luftës së Dytë Botërore.

Çamëria në veprën e Ibrahim Daut Bejdeshatit (Hoxhës)

Dëshmive të fatit tragjik të Çamërisë dhe të çamëve si një popullsi e persekutuar, e padëshiruar dhe e dëbuar prej trojeve të veta, u është shtuar pak kohë më parë një vepër enciklopedike, e botuar nga Fondacioni ALSAR.

Botimi vjen si një shprehje e politikës së dyerve të hapura të Fondacionit ALSAR për ato vepra dhe ata autorë që trajtojnë tema të çështjes kombëtare. Përkujdesi i fondacionit për t’i botuar të tillë vepraështë i vazhdueshëm, si konkretizim i vizionit të tij atdhetar.

Ibrahim Daut Bejdeshati (Hoxha), si bir i Çamërisë, bir i një dere të njohur çame, i ka kushtuar vite të tëra të jetës së vet mbledhjes së materialeve historike për tokën që e lindi, përpilimit të një teksti të bollshëm, të finalizuar me botimin e veprës “Shtegtim nëpër Shqipërinë e Jugut: Çamëria”.

Në krye të 923 faqeve të enciklopedisë ndeshen tre citate prej nga duket se e ka marrë frymëzimin autori për ta kthyer në fjalë të shkruara mundin e tij shumëvjeçar: “Një komb që nuk njeh të kaluarën e vet, ja është fëmijë, ja i pamend. Një komb që e përbuz atë, është i humbur!”, “Një komb që nuk din të kaluarën e vet, është i vetëdënuar të vuajë mjerimet e së kaluarës së tij!”, “Për faje të botës, shqiptarët ngrenë këmbët, i bien kokës!”

Vëllimshkruesi, siç e quan veten autori, përdorues i një shqipejetë pasur, e shpjegon me katër rreshta në hyrje se ç’është kjo vepër enciklopedike, ku na thotë se ajo bën fjalë për ilirët jugorë skajorë, të quajtur shqiptarë prej mbi 300 vjet, për vendet e tyre stërgjyshore, për mëmëdhetarinë dhe vendmbrojtësinë e tyre shembullore, për cilësitë e dalluara luftarake dhe për ndodhi të shënuara në jetën në trevat e tyre.

Emra, vende, ngjarje, karakteristika, shkolla, objekte kulti, organizata, shoqata, harta dhe fotografi, këmbyer faqe pas faqeje, na bëjnë të njohur një Çamëri tepër të pasur në histori, tepër të begatë, po ashtu, në fund, tepër të pafat për banorët që i mbanin gjallë emrin.

Zëri i kushtuar Çamërisë në vepër merr më shumë faqe se çdo zë tjetër. Prej aty vlen të japim këtu paragrafin e parë, më të rëndësishmin për të kuptuar dramën e atyre njerëzve: “Çamëria është pjesa më jugore e trungut tokësor shqiptar. Më 10-13 mars 1913, pas 6 muajsh mbrojtjeje vetëmohuese (18. X. 1912 – 7. 3. 1913), përfundoi në thonjtë e njësive ushtarake mësyese greke. Vitin e pushtimit (1913), Çamëria e tërë banohej nga rreth 120.000 banorë, shumica dërrmuese shqiptarë. Përfaqësuesit e shteteve të mëdha evropiane asokohe – si edhe tjetër herë – i vunë sëpatën; nëpërmjet Konferencës së mallkuar të Ambasadorëve, më se 5/6 e saj së toku me vendësit e vet i vunë nën zgjedhën më të rëndë dhe më të urryer, nën atë të pushtetarëve kryqtarë athino-fanaritë. Këta shkelën haptazi pa kurrfarëndrojtjeje çdo të drejtë njerëzore e kombëtare si dhe çdo kusht e marrëveshje ndërkombëtare. Gjatë 42 vjetëve sundimi përpinë tërë ata çamër, që e njihnin veten shqiptarë, përpiqeshin të mbeteshin të tillë, që bënin çmon të shpëtonin veten, mallin dhe vendin e vet nga ajo robëri aq e zezë.”

Emërtimet, vendndodhja, përkatësia, caqet, lashtësia, ndarjet administrative shtetërore, lartësitë, qafat, gravat, sheshtinat, burimet, kronjet, përrenjtë, lumenjtë, liqenet, detet, cepat anëdetarë, gjiret, portet, ujdhezat, klima, bimësia, bota shtazore, ekonomia, blegtoria, bujqësia, zejet, tregtia dhe tregjet, rrjeti rrugor, çamërit në rrjedhën e ngjarjeve historike, veshjet, bindjet fetare, cilësitë dhe veçoritë morale, etj., janë nënzëra që e bëjnë të plotë përshkrimin e Çamërisë.

Në enciklopedi gjejmë të dhënë jetën fetare të çamëve, numrin e xhamive në qytetet kryesore, emrat e tyre, të atyre që i ndërtuan, të medreseve, si atë, për shembull, të Konispolit, një zë apo nënzë u kushtohet arvanitëve, flitet për hebrenjtë në Çamëri e Janinë, tregohet për udhëtimin e Evilja Çelebiut nëpër Çamëri e Mollosi, merret në analizë femra çame dhe pozita e saj sipas moshës dhe gjendjes civile, kritikohen vepra të mëhershme për Çamërinë, si “Historia e Çamërisë” e Kristo Frashërit.

Në lidhje me periudhën osmane, autori thotë: “Sapo Çamëria u vu në përbërjen e sulltanatit osman, ashtu sikur edhe Janina e krahinat e tjera mbarëshqiptare, për të parën herë në udhëtimin e tyre historik e parahistorik u përmblodhën në një njësi të vetme me emrin ‘Arnavutlluk’.”

Për të njëjtën periudhë, të nxirë si mos më keq prej lloj-lloj historianësh të prekur nga viruse ideologjizmash gjithfarësh, ai shprehet në faqen 838 se, “burimet e mirëfillta historike na bëjnë të ditur se gjatë gati të 500 vjetëve të sundimit osman – që në të vërtetë, siç dëshmohet pa kurrfarë mëdyshjeje, ishte sundim i përbashkët turko-arbëror – arbërit dhe pasuesit e tyre, shqiptarët, qëndruan vendoshmërisht me vetëdije brenda sulltanatit osman; këtë domosdoshmëri jetike qeveritë fuqiplote evropiane – dashamirëse të grabitqarëve fqinj – me veprime të paudhta gjatë mëse 100 vjetëve ia dolën ta asgjësonin. Është krejtësisht e ditur se arbërit me turqit u vëllazëruan e – siç do të shihet – dhe gati u bënë një me ta. Kjo pashmangshmëri kryekëput e domosdoshme ndodhi ngaqë – siç e thashë dhe gjetkë – ishin plotësisht të vetëdijshëm se arbërit dhe turqit përballë kishin të njëjtit armiq.”

Në faqen 850 gjenden të renditura gjashtë të mira të përmbledhjes së arbërve brenda sulltanatit osman, pak pasi janë cituar fjalët e kryetarit të tanishëm të Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, gjatë vizitës në Shqipëri, “Për ne turqit, Shqipëria është atdhe i dytë.” Përcaktim më i përpiktë as që mund të bëhet, nënvizon autori i veprës enciklopedike mbi Çamërinë.

Si pakkush në Shqipëri, autori mban qëndrim të ashpërndaj përpjekjes së dështuar për grusht shteti në Turqi të organizuar në mesin e korrikut të vitit 2016 nga organizata kriminale FETO dhe shërbyesit e saj në ushtrinë turke. Në faqen 834 të enciklopedisë do të gjeni reagimin e një miku të vërtetë të Turqisë, cilësimet e së cilit për autorët e asaj ngjarjeje tragjike janë mjaft të qëlluara.

*

Ibrahim Daut Bejdeshati (Hoxha) është i biri i Daut Hoxhës, vrasja e të cilit u përdor për të nisur luftën italo-greke të vitit 1940. Edhe pse vështirësitë dhe telashet nuk iu ndanë tërë jetës, Ibrahim Daut Bejdeshati (Hoxha) nuk reshti së kërkuari dhe së shkruari për Çamërinë. As mosha e thyer nuk ia ndali vrullin. Dhjetëra libra janë nxjerrë prej duarve të tij si autor dhe bashkautor, përpos qindra kumtesave dhe shkrimeve të mbajtura e të botuara ndër vite. Në duhet përmendur një veçori në këtë vepër të botuar së fundi, “Shtegtim nëpër Shqipërinë e Jugut: Çamëria”,  ajo është gjuha shpatë e tij, e ashpër dhe e prerë për atë që ai mendon se e meriton. Ky çam i kulluar kështu flet!

Please follow and like us: