Pranvera Vatoci: Poshtërsisht dhunë mediatike ndaj femrës!
Pranvera Vatoci
Replikë me paçavureshkruesit që sulmojnë me të pavërteta gjyqtaren Natasha Mulaj, kryetare e KPA
Të gjithë formalisht thërrasin në këtë vend kundër dhunës të çdo lloji ndaj grave, por maskulizmi mesjetar po bën kërdinë. E alerti nuk qëndron vetëm tek veprime rurale me burim mediokritetin e gjendjen social-kulturore, por dhe tek media.
Jam ndjerë e trishtuar këto ditë jo vetëm si vajzë e pjestare e administratës gjyqësore, por mbi gjithçka si njeri që njeh njeriun i cili për interesa të çmendura meskine përflitet e anatemohet në media pa të drejtë dhe kundër çdo realiteti.
Është fjala për gjyqtaren Natasha Mulaj. Pa pikë cipe humane ose siç themi në anët tona pa “ujë në sy” gazetarucë-tregtarucë i turren një personaliteti të gjyqsorit shqiptar pa asnjë të vërtetë brenda duke e keqmediatizuar.
Pa asnjë tentativë të vërtetojnë atë që shkruajnë e lidhin ruajtjen nga organet ligjzbatuese të kryegjygjtares Natasha Mulaj me një vrasje në Tropojë e cila as teorikisht nuk ka asnjë bazë. Mjafton të kishin kërkuar info te Garda e Republikës dhe do ishin njohur me VKM-në për mbrojtjen e Kryetares së KPA, mbrojtje e cila është sistematike dhe nuk e lidh asgjë, as me vrasje e as me banda. Ajo që më trishton më shumë se gjithçka nuk është ky banalitet mediatik shpifarak, por fakti që kur guxojnë të intrigojnë “vanitete” për një personalitet të tillë të drejtësisë vajhalli çfarë mund të ndodhë për zonja të thjeshta të këtij vendi. Unë vërtet e çmoj lirinë e fjalës, por kur shoh të tilla dhunime mediatike me firma pseudogazetarësh, çdo ligj kundër shpifjes më duket i butë. Edhe një herë jo vetëm e trishtuar deri në limitet e durimit human, por dhe e çuditur, ndërsa kam nderin ta njoh në punë e jetë znj. Natasha Mulaj një gjë më erdhi në mendje: Medet për një vend ku guxohet e sulmohen dhe ëngjëjt!