Sadik Bejko: Shënime mbi poezinë e Basri Çapriqit
1.
Vdekja e autorit bën atë që të hiqen mendime përfundimtare për një vepër që tashmë quhet e kryer. Kështu po ndodh dhe me Basri Çapriqin. Vepra e tij po rilexohet. Edhe më tej ajo duhet mbledhur, botuar dhe studjuar si vepër e përfunduar.
Me kohë është vënë re se Basri Çapriqi krijoi dhe botoi në vazhdën e mjedisit poetik të poetëve të Kosovës. Një poezi në ujërat e hermetizmit, të shenjave që më shumë fshehin sesa thonë, një poezi që ndien muret, terrin, asgjësimin, tëhuajëzimin dhe merr guximin të marrë frymë, të ikë nga terri, “ta lërë dritaren hapur”.
Bashkohem me atë që Çapriqi erdhi me prurjet e veta në poezi. Thuhet se ironia ishte cilësia më e rëndësishme e kësaj poezie, thuhet se ajo ishte poezi e mjediseve urbane, përkundër asaj që poezia shqipe përgjithësisht ka sjellë mjedise rurale. Thuhet se ajo u largohej temave të patetikës, të miteve nacionale që e kanë dominuar poezinë tonë.
Për mendimin tim, poezia e Basri Çapriqit, pa i mohuar me një të rënë të lapsit, pa i pohuar kallëp ato që janë thënë mbi të, ka qenë një poezi në kapërcyell. Ajo ka shënuar disa nga realizimet e saj më të mira në tematikën urbane, por ka lëvruar me shumë sukses dhe motivet e detit, të ullirit, të ujit, tema që janë më afër përjetësisë, më afër motive të përjetshme, sesa trajtimeve të tyre si motive të urbanizmit apo të rurales.
Poezi e anktheve dhe terreve në një anë, por motivet e kthjellësisë me dritë e paqe, me det e me pulëbardha në anën tjetër, kontrastonin, thyenin e njëherësh dhe e pasuronin verbin tërësor të poezisë. Vërejmë këtu se nuk ka rëndësi sasia numerike e poezive, por ajo e arritjeve, e cilësisë. Cilësia e shkrimit shpesh anon nga motivet detare të kësaj poezie.
Janë vënë në shenjë poezitë e tij të ironizimit me lirinë, me luftërat çlirimtare, me Atdheun e me të tjera tema tabu, që në një interval kohor mund të kenë tingëlluar si blasfemi ndaj miteve të shënjtëruara nga poezia jonë e traditës dhe nga ajo që ende shkruhet. Pa dashur të themi se këto theksime ironike, në mos qofshin pozime – dhe në fakt nuk janë të tilla – në thelb e më drejtë mund të jenë protesta e një të lënduarit, e një të zhgënjyeri. Dihet, që protesta qoftë ajo dhe si blasfemi, e bën edhe më të rëndësishme atë që blasfemon. Blasfemia e vë në qëndër, e sheh nga këndvështrime të panjohura më parë atë që poezia e mëparshme e ka glorifikuar.
Marrëdhënia e autorit me tema të tilla prapë mbetet, por e shfytyruar si në lidhjet fatale e të pashkëputura, si në rastet e dashuri-urrejtjes.
Poezitë për Ali Podrimjen, për Lasgushin, për poetë të tjerë, për Shasin, për Tivarin e çojnë poetin Basri Çapriqi në tragat e atij kapërcyelli që ai u mat ta kalojë përtej e prapë mbeti midis. Mitet ende mbeten pjesë e poezisë së tij.
Edhe blasfemitë poetike të Çapriqit aty i ke, janë dhe mbeten guximi, risia dhe merita e tij e patjetërsuar.
Në veçanti shquhet poezia e gjendjeve të ankthshme, e haluçiacinantes. Në këto poezi grotesku të çon nga thyerja e tragjikes, nga absurdi, nga rënia në pa rrugëdalje. Organizimi gjuhësor në këto poezi është derdhur në një ligjërim të thukët si endja e dendur, si thurja e rëndë e qilimit në vekun tradicional.
Këtu do të veçoja si mjet shprehës përsëritjen, por edhe mjegullimin e kuptimit nëpërmjet thyerjes së rendit sintaksor të frazës, mungesës së pikësimit, përmbysjes e rimarrjes së një togfjalëshi a të një njësie frazeologjike. Përsëritja meriton një vështrim të veçantë për funksionet, për pasurinë, dendurinë e gjerësinë e përdorimeve nga poeti.
Poezia në mënyrën si e shkroi Basri Çapriqi e pasuroi, e bëri më të zhdërvjelltë, më shprehëse gjuhën, ligjërimin poetik.
Me poezitë me temë ujin, detin, kalimeret, Bunën, ullirin poeti u ka bërë nder, u ka bërë vend imazheve mesdhetare nga vendlindja. Me kohë, mundet këto cikle të detit mund të zgjeroheshin e të kishim një topik të ri në hartën e poezisë shqiptare, topik si liqeni i Lasgushit, si Zvërneci i Fatos Arapit. Ndryshe nga Lasgushi e Arapi poezia me motivet e ujit e Çapriqit i kreh, i filtron, i avullon detajet konkrete të mjedisit për të fluturuar në metafizikën e së shëndritshmes, të së pambërritshmes, të së mistershmes.
Një dimension tjetër jo shumë i rrahur, apo i panjohur më parë në poezi, vjen me poezitë mbi sendet, si jastëku, kuzhina, teli i rrobave, dera etj. Kjo prirje e minimalizmit, prirje nga poetizimi i së rëndomtës, i jopoetikes, prirja nga poezia e pastër, poezia lojë e formës, lojë e fjalës, merak ky i poezisë moderne që nga Rembo e tëhu, ka sjellë një poezi të përkryer si “Jastëku”, një poezi e përfaqësuar në disa antologji.
Këto janë disa nga arritjet më të spikatura të tij. Studimi i veprës së Basri Çapriqit sapo ka filluar. Më sipër parashtrova leximin tim, ndalesën shkurt te dimensionet më kryesore të kësaj poezie: motivet e detit, motivet e ankthit, të ironisë dhe të minimalizmit.
2.
Ora e fatit Basri Çapriqin e ndali kur ai ishte një burrë plot energji, një krijues në kulmin e forcave të tij.
Vepra, që ishte ende në duart e tij, për t’u ndërtuar, për t’u përkryer, tashmë quhet e përfunduar.
Si poet me fat ai u pranua herët në sofrën e në vatrën e më të mirëve të mjediseve të veta. Poezia e tij u përfshi në antologji, u përkthye në disa gjuhë. Ajo u përfaqësua dhe në mediumet poetike të PEN Internacional.
Vendlindja atë e ka dashur, e ka kujtuar dhe nderuar në Kalimerat poetike, në konferencat shkencore në kalanë e Ulqinit.
Më tej po vazhdohet me promovimin, me studimin e veprës së tij poetike, me evidentimin e personalitetit kulturor të poetit, të pedagogut, të veprimtarit e studiuesit Basri Çapriqi.
Deri këtu gjithëçka shkon mirë. Dhe….
…. dhe është e lehtë ta shkruash e ta botosh poezinë kur ende je gjallë, por sa vështirë që ajo të mbetet mbas teje, kur ti të kesh ikur nga kjo botë.
Këtë e them se para se të bëja këto shënime, lexova edhe një herë nga e para Basri Çapriqin, rilexova dhe poetë të tjerë pranë Basri Çapriqit, poetë që sot nuk janë më. Vdekja na bën të gjithëve të brishtë. Tash jemi gjallë, mbase dhe të pushtetshëm, po çfarë mbetet nga vepra jonë kur shkojmë në atë që mund ta quajmë asgjë?
Pyetjes se çfarë mbetet nga një poezi kur ajo shkëputet nga mjedisi i vet, kur ajo ndahet nga autori i vet për t’u shkrirë në rrjedhat e krejt letërsisë shqipe, mund t’i dilet përballë me një përgjigje.
Është një pyetje që lidhet me vlerat e poezisë, të letërsisë në tërësi.
Sipas mendimit të shumë shkrimtarëve dhe estetëve në botë, letërsia i jep publikut atë gjë që ai nuk e merr nga teologjia, nga filozofia, nga shkencat. Thelbi i qenies sonë, dhimbja, kompleksiteti i gjendjeve tona – po sipas këtyre estetëve – vijnë në letërsi përmes grimcave “të përshtypjeve të vërteta”. Pra, vlera e letërsisë qëndroka te sjellja e këtyre përshtypjeve të vërteta. Këto ide të Marsel Prustit, të Harold Bloom-it, të Saul Beloë-t mbi vlerën e letërsisë, dua t’i vë në dukje edhe në këtë rast, teksa lexoj poezinë e Basri Çapriqit e të poetëve si ai… poezinë e poetëve në tërësi. Dhuntia kryesore e tyre si autorë gjendet te aftësia në transmetimit artistik, në poezi a në prozë, të përshtypjeve thelbësore mbi njeriun, mbi mjedisin a mbi shoqërinë.
Përshtypjet e vërteta e të thjeshta ose grimca të tilla të sajuara në atë cilësi sa të merren si të vërteta, qenkan lënda me të cilat ndërtohet ngrehina e tregimeve, e novelave, e romaneve dhe e përmblejeve në poezi. Kështu imitohet jeta, apo njëmendësia e sajuar jetësore na vjen më e vërtetë se ajo që realisht quhet jetë dhe poezia e proza artistike gjithmonë mbeten një kërkim në përjetësi. Një kërkim nga çdo njeri që vë përpara një letër me synim shkrimin e bukur, me synim sajimin e shëmbëlltyrave të arrira të artit.
Përvoja e prurjeve të përshtypjeve të thjeshta e të vërteta nga mjediset jetësore e ka ngjyruar, e ka pasuruar e thelluar poezinë shqipe që nga fillimet. Përvoja e pështypjeve të thjeshta e të vërteta arbëreshe e shquan si të pashoqe poemën ‘Këngët e Milosaos’ të De Radës. Edhe më tej. Dihet ç’dhurata të çmuara i kanë ardhur poezisë shqipe me përshtypjet e vërteta e të thjeshta nga realiteti i nënës dhe i të dy bijave te poema “Andrra e jetës” e Ndre Mjedës. Me përshtypjet e vërteta e të thjeshta vjen si erë e re dhe e freskët në letërsinë shqipe poezia dhe proza e Migjenit.
Vijmë te një poet i modernitetit: Martin Camaj. Me një tërësi grimcash të vërteta a me një tërësi përshtypjesh të sajuara njëmendësisht e thjeshtë sa ngjajnë si të vërteta, ai ndërtoi në mërgim mungesën e Dukagjinit, mungesën e vendlindjes. Asgjë nuk ngjan aq ngjethëse, aq mprehtësisht e vërtet sa mbresat që sjell kjo poezi e Martin Camajt.
Nuk po e zgjat. Me një lëndë të tillë si ajo e përshtypjeve të thjeshta e të vërteta poezia, proza mund të na çojnë te e përjetshmja.
Literatura kryesore:
1. Basri Çapriqi, Burimi nën gjuhë, botoi Toena, Tiranë 2005, zgjodhi dhe parathënia nga Ali Podrimja
2. Basri Çapriqi, Përkryerja e shiut, botoi Art Club Ulqin, 2013, parathënie Ag Apolloni
3. Bashkim Kuçuku, Antologjia e poezisë shqipe bashkëkohore, botoi Onufri, Tiranë 2008, (fq. 110-121)
4. Harold Bloom, Si dhe përse të lexojmë, botoi Dudaj, Tiranë, 2008
5. Saul Below, Çfarë kuptimi ka letërsia? Fjalimi me rastin e pranimit të çmimit Nobel, 1976, sipas përkthimit shqip nga Shtepia e Librit sh.p.k.
Kumtesë në Konferencën Shkencore, Basri Çapriqi, Poeti i detit, Ulqin, 17-18 janar 2020.