Sadik Bejko: Te kalaja e Tiranës me librat e Ismail Kadaresë
Dje, në përvjetorin e 84 të lindjes, në orën 19 te Kalaja e Tiranës është hapur një ekspozitë me librat e shkrimtarit Ismail Kadare. Po dje, në një simpozium të organizuar nga Akademia e Shkencave të RSH është ripropozuar si kandidat për Nobelin në letërsi për vitin 2020.
Për disa nga ne që i kemi blerë në atë kohë kur këto libra janë botuar, që i kemi ende disa kopje të tyre, të dëmtuara nga përdorimi dhe nga vitet;
për ne që i dimë përmendësh disa nga poezitë, po dhe ca nga fragmentet e prozave të tij;
për ne që autori i këtyre librave ka qenë si mësuesi i klasës së parë, “na ka mbajtur dorën”, mund të thuash, na ka mësuar të shkruajmë;
për ne që Ismail Kadareja na ka botuar poezitë e para në vitet ’60 të shekullit që shkoi, kur ishte redaktor në gazetën “Drita”;
për disa nga ne, për mua, kjo ekspozitë ishte shumë emocionuese.
Pothuaj i mbaja mend kopertinat e botimeve të para.
Kam qenë në klasën e tretë të shkollës së mesme kur kam blerë dhe jam fotografuar me librin e sapo botuar, me “Shekulli im”. Për fat të keq e kam humbur atë foto. Ja… e përsërita atë gjest të largët… dola prapë në foto me atë libër. Nostalgji…
Do të doja të takoja këtu shumë nga miqtë e mi shkrimtarë të atyre viteve. Jetojmë në Tiranë.
Kemi ç’të kujtojmë, për rininë tonë, për mjeshtrin tonë të madh Kadare.
Mos u bëni kaq mendje mëdhenj tani në pleqëri, ju shkrimtarët e Tiranës…