Cikël poetik nga Avdush Canaj
Ia falëm gabimin
Hutinin s’e dua,
kënga e tij s’më pëlqen.
Fustanin ia vodhi hënushës,
më të bukurës vashë,
kur lahej në liqen.
Ju them drejt,
e pashë krejt,
krejt e pashë!
E luta si suta,
pa rrudha në ballë
me dre:
Ktheja fustanin-bukuranin,
ti hajn nuk je.
Ai iku, u fsheh në përrallë.
Pas pak u pa
me fustan në dorë
e pakëz gazmor
nën një kapelë qershie.
-Desha të bëj pak shaka,
sime motër a i ka hije?
A e pat përnjëmend
s’e di. Qeshi hi-hi-hi!
Një yll shtoi shkëlqimin.
Bashkë me hënën
hutinit që u nis buzë drinit
ia falëm gabimin.
Zogj kurbeti
S’i harrojmë fjalët e gjyshit
për gjakun tonë kur fliste.
Flamurin e kemi me vete,
edhe plisin me bardhësinë e Lubotenit.
Jemi zogj kurbeti, motër,
me Atdheun në zemër.
Kur malli ulet në qepallë
shqip ia krisim këngës.
Porta e vargjeve
Vargje si karamelet
si çokollatat me lajthi
edhe si syri i luleve vargje
edhe si qepallat e mollëve.
I gjeni tek im gjysh
saherë të hapni
portën e vargjeve.
E ka gjetur çelësin
e melodisë magjike.
S’është ëndërr e parë
S’është ëndërr e parë,
as e dytë,
Çamërisë ia putha sytë,
ia kreha flokët si motrushës.
U çmalla
duke ia shëruar dhimbjet.
Në Toplicë
pita ujë t’bilurit
te pusi i gurit.
Një fletë arre
për gjyshin këputa
e një tuf borzilok vere.
Oxhakët krejt
ende qëndronin drejt!
Në qerpikë qiparisash
zogjtë s`e kishin harruar këngën.
Një hingëllimë kali
dëgjova te Molla
dhe zërin e luleve:
Malli s’na lë të çelim!
Te ky gurdheu,
ishte Skënderbeu.
Deri këtu është Atdheu.
Pulëbardhat
Pulëbardhat me këngë
nga gjumi e zgjojnë detin.
Ne mbjellim buzëqeshje
ta gëzojmë planetin.
Qiellit pa re të Dardanisë
Fluturojnë shqiponjat,
fluturojnë,
qiellit pa re të Dardanisë.
Sa u ka hije krahëve
flamuri i arbrit!
Hije sa u ka!
Ndalu shqiponja ime,
merrmë atje lart
të shoh magjinë e Atdheut
si ti!
Qiellit jehon një këngë lirie
e vjen e rritet,
e vjen e rritet,
nga Kosharja e lavdisë.
Ison mbajnë malet epike
me fyjet e krojeve.
Varret hapin dritaret,
të rënët duan të shohin
madhështinë e kësaj dite.