Ilir SEFAJ: “Dritë mbi plagë”, një libër që e mposht harresën!
Ilir SEFAJ
Botimi i librit me poezi “Dritë mbi plagë”, libër ky që lidhet me tematikën e gjenocidit që pushteti serb historikisht ka kryer mbi popullin shqiptar të Kosovës, e në veçanti në përmbyllje të decenies së fundit të shekullit që e lamë pas, është një ogur i mirë se pjesa më vitale e kombit, e që natyrisht janë intelektualët, nuk lejojnë që pluhuri i harresës t’i mbulojë krimet që shteti i Serbisë i kreu mbi popullin tonë.
Ky formulim më erdhi në mendje posa në duar më ra libri me poezi “Dritë mbi plagë” që këto ditë e nxori nga shtypi Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, me seli në Gjenevë të Zvicrës.
Ky projekt (e quaj projekt, ngase çdo cilësim tjetër më duket i padrejtë) është ideuar e realizuar nga Lulëzim Etemaj, ish- i burgosur politik, poet e publicist, si dhe Isuf Sherifi, po ashtu ish- i burgosur polititik, poet e publicist i mirënjohur.
Brenda kopertinave të librit “Dritë mbi plagë”, në 147 faqet e tij, lexuesi do të gjejë poezitë më të mira të shkruara ndonjëherë që për tematikë kanë tmerret që shkakton lufta, vargje këto që njëmend hedhin dritë mbi plagët tona të përjetshme e që janë vrasjet, dëbimet, dhunimet në shkallë gjenocidi që armiku shekullor kreu mbi shqiptarët e Kosovës.
Janë 51 emra të njohur të vargut shqip që kanë zënë vendin meritor në këtë libër poezish, ndërkaq renditja e poezive në libër është mbështetur në praktikën bashkëkohore, pra sipas rendit alfabetik A-Zh, duke filluar nga mbiemrat dhe jo nga emrat e autorëve.
‘Kur gjëmojnë topat, heshtin muzat’ thotë një proverb i njohur latin, mirëpo faktikisht muza e krijuesve tanë nuk heshti asnjëherë. Kjo muzë nuk lejoi që sfilitja jonë e shkaktuar nga një armik barbarë të mos pasqyrohet artistikisht në krijimet e poetëve tanë.
Përderisa politikanë “të moderuar” serbë, edhe tash pas dy dekadash, mohojnë krimin gjenocidar të kryer në Reçak, lexuesi i supozuar, në këtë libër me poezi do ta marrë përgjigjen nga poeti Agim Vinca: Atë që pamë në cikmën e janarit/ Do t’ia rrëfejmë natës së varrit.
Janë pra këtu, në këtë përmbledhje, vargjet e poezisë ‘Monolog i të rënëve në Reçak’ të Agim Vincës, që pasqyrojnë gjëmën e të rënëve në njërën nga masakrat më barbare që është vulosur në historikun e shekullit që lamë pas dhe jo vetëm:
Më fort se plumbi, thika e krimi/ Na rëndon fyerja e poshtërimi! /Pasi na korrët si deshët vetë /Përse na endni poshtë e përpjetë.
Që në krye të herës thamë se intelektualët, në rastin konkret poetët e mirëfilltë nuk mund të rrinë duarkryq karshi furtunave me të cilat përballet kombi, andaj me vargjet e tyre kontribut të jashtëzakonshëm kanë dhënë edhe shumë krijues të tjerë të përfshirë në këtë libër, i pari i natyrës së tillë në Kosovë.
Ky libër poetik, i cili bën fjalë për situatat dramatike që ka përjetuar njeriu ynë gjatë luftës së fundit në Kosovë, i dedikohet më së shumti gjeneratave të reja që për fatin e mirë të tyre nuk e kanë përjetuar direkt tmerrin e luftës me përmasa gjenocidale që ka ushtruar shteti serb mbi vendin tonë. Pra, këto gjenerata do ta takojnë të kaluarën e prindërve të tyre në shumë poezi që janë pjesë e këtij libri.
Në këtë përqasje, edhe pse citova vetëm disa nga vargjet mbresëlënëse të poetit Agim Vinca, dihet mirëfilli se krijues si: Xhevahir Spahiu, Ali Podrimja, Sali Bashota e shumë të tjerë, veçse ia kanë shtuar vlerat kësaj sprove për antologji.
Sigurisht se, intencë e hartuesve të këtij libri me poezi, Lulëzim Etemajt dhe Isuf Sherifit, botuesit si dhe redaksisë, ka qenë që nëpërmjet vargjeve të spikatura të disa prej poetëve tanë më të mirë, të krijojnë një antologji të poezisë shqipe që për tematikë ka vuajtjet e njeriut tonë si pasojë e represionit të vazhdueshëm që u aplikua sistematikisht në Kosovë, veçanërisht në vitet e fundit të shekullit XX, dhe produkti i kësaj ndërmarrjeje pa mëdyshje se është një arritje e madhe në këtë drejtim.
Sidoqoftë, sikundër shprehet edhe vetë Etemaj në parathënien e këtij botimi, jashtë kopertinave të këtij libri mbase kanë mbetur edhe shumë poezi të tjera, vlera e të cilave nuk është se kontestohet apo në rastin më të keq edhe të përjashtohet, megjithatë, s’do mend se në këtë sprovë antologjike, kriteri i cilësisë, tematika, vlerat letrare që përfaqësojnë poezitë e përfshira në të, determinojnë edhe metodën e përzgjedhjes.
Së këndejmi, mendoj se libri “Dritë mbi plagë” edhe pse brenda tij ka; vuajtje dhembje, varre, uri, dënesje, lot e gjak, është dhurata më e mirë me të cilën lexuesi ynë do ta fillojë këtë decenie të re, e cila pa mëdyshje se do të jetë më premtuese se ato që kaluan, e për të cilat lutemi që të mos kthehen kurrë më!