Nexhat Halimi: Ndërmjet dy stacionesh
Nexhat Halimi
Ndërmjet dy stacionesh I
Tufë-tufë shpërthen flakë e vjetër e etjes,
vjen ik, afërsi e largësisë e ngel veç lot,
lart hark, poshtë hark ujë e gjak pikon vetes,
dita e daljes rrjedh nga robëria, im zot.
Trupi i hijes e mbulon parvazin me vetmi,
gjeli i dylltë parakalon ëndrrës së vjetër,
prania e së dielës përkthehet në gjuhë tjetër,
e njeriu me zgjedhë përhitet ende në hi.
Nis udhëtimin në vete e kurrë nuk shihet,
është vetëm iluzion i fluturimit në mua,
oh ti, shfaqesh me shtambë për ujë në krua!
Shelgu somnambul afrohet, uji ngrihet
në moçalishte e rikapin thëllëzën me dorë,
ka vdekur apo nuk ka vdekur zoti fedorë.
Ndërmjet dy stacionesh II
Vapë, dritarja e hapur me pamje në lumë,
unë e jounë e herë unë me unë nën ombrellë,
shkelim prej fillimit të njëjtin ujë të thellë,
në këmishë pëlhure e prej abaje në kostum.
Njëmend kaq të vetëm jetojmë e ikim fedorë,
e bregu na pret në majë me gur të vjetër aty,
pimë ujë te kroi e vetes ia bëjmë me dorë,
suta nga e kërcen ylberin e flutura bëhet hi.
Vigma e fajkoit s’ndalet mbi malet me borë,
dega e varur mbi varr vetmi gjethon për ty,
e ti rrugës vjen tre mijë vjet me të njëjtën orë.
Unë radhis zemrën me zog demin e tërbuar,
natyrisht dhe etjen e hirit e kujtimin e zgjuar,
e në Dumnicë fëmijët luajnë me yje përsëri.
Ndërmjet dy stacionesh III
Fluturimi apo iluzioni i fluturimit në shuplakë,
ndërsa shkon e vjen pjesë e jetës në hi me etjen,
ti në kryqëzim udhësh asnjëherë s’e gjen veten,
e në kodër nën drurin e vjetër shpërthen flakë.
E paramendon tryezën nën degë të gjatë mbi hi,
dy qiri bri verës gjak harxhohen e ndrisin vetmie,
ti ulur në lindje, unë ulur në perëndim, vetëm hije,
e libri i hapur flet për ty e mua e një dashuri.
Kryqëzuar thatë shpirtit thellë të çares së zotit,
e çakorri shikon hutueshëm mbetur nën shpatë,
e më ikin dy vija, dy vragë, dy rrjedha të lotit.
Bëj llapë veç pak para vdekjes për jaki të mujit,
për pjesët e këputura të trungut mbetur në natë,
e gjithësia rrjedh kaq me hov të ashpër ujit.
Ndërmjet dy stacionesh IV
Lulja qan bri qiririt të ndezur në tryezë të vjetër
e largësisë vjen e pik mes zemrës vigma e fajkoit,
vetëtima e shpatës bie ëndrrës e pik gjak thoit,
unë e çel librin biografik e fshihem hijes tjetër.
Demi i tërbuar byrytet te rrënjë e kaltër në erë,
ujë pi i përgjakur e zemra me zog i ik në gjithësi,
unë me hijen shëtis fushës me lule narcisë aty,
flutura e artë bredh beharit të mollës nën ylber.
Vetëm ti ndihesh kaq pa udhë e kaq larg fedorë,
kot pse unë ngjtem në kodër e ta bëj me dorë,
e shikoj orën e xhepit asgjë nuk ka lëvizur në kohë.
E kaq vjet kanë ikur dhe prapë e njëjtë çdo gjë,
as ka ndërruar zemra as ka ndërruar asnjë trohë
dashuria për ty dhe për Dumnicën kot asgjë.
Ndërmjet dy stacionesh V
Ja kërcimi i drenushës nën dritën e trëndafilit,
njeriu me zgjedhë nga kthehet prapë në Dumnicë,
cica e majtë pandërprerë i kullon gjak në Toplicë,
e varret e rrafshuara vetmisë në gjeth të tërfilit.
Malet rreth nën borë e fushat të tëra nën ngricë,
peizazhet me pamje akulli prekin varre të reja,
ti ec e mendon a më e vjetër është pula apo veja,
e shpërthen lufta e papërfunduar në Galicë.
Ma jep dorën Fehmi, pik gjak i Xhevës për liri,
tashmë më shfaqet amshimi i përhershëm për ty,
a vuan nënë e dashur pse nuk vuan më.
E më ndjek ndër mall rrjedhës së Fasharit çdo gjë,
e më zgjon hëna për frëngji gurit të Rugovës,
e vij grykës së kobures për zjarr të Isë Kosovës.