Raportuesi për Shqipërinë në PE: Antishpifja rrezikon çeljen e negociatave
Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, David Lega, ka deklaruar se nëse projektligjet e medias miratohen në seancën plenare në formën e tyre aktuale, kjo do të rrezikojë shanset e Shqipërisë për çeljen e negociatave për anëtarësim.
“Grupi i Partive Popullore Europiane në Parlamentin Evropian beson fuqimisht në hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE me Shqipërinë. Sidoqoftë, Shqipëria duhet ti përmbahet kritereve të Kopenhagenit, që janë standardi bazë dhe minimumi për një vend kandidat. Nëse administrata Rama miraton legjislacionin e medias në séance plenare në formën e saj aktuale, ajo do të rrezikojë seriozisht shanset për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Ata duhet të jenë në përputhje me rekomandimet e dhëna nga Komisioni Evropian dhe Këshilli i Europës”, shkruan Lega në Twitter.
Kujtojmë se e ashtuquajtura paketa ‘antishpifje’ u kthye nga Presidenti, Ilir Meta për rishqyrtim pasi u miratua në Kuvend. Megjithatë dekreti i presidentit u rrëzua në komisionet parlamentare dhe tashmë pritet të votohet për rrëzimin e tij në Kuvend çka do të thotë se ndryshimet në ligjin e medias do të hyjnë menjëherë në fuqi.