Albspirit

Media/News/Publishing

Ismet Hajrullahu: Të jetosh si shqiptar e të vdesësh si arab!

Image result for ismet hajrullahu

 

Të jetosh si shqiptar e të vdesësh si arab!

Ky është paradoksi, kjo është fatkeqësia e një pjese të madhe të shqiptarëve që lindën nga prindër shqiptarë, rriten, edukohen e jetojnë shqiptarisht, kurse, kur të vdesin, varrosen arabisht, greqisht, etj!

Duket e pabesueshme, por e vërteta është kjo… Para tri dite vdiq veprimtari dhe veterani i çështjes shqiptare, i burgosuri politik, njeriu dhe shqiptari i mirë, Sabit Rexhepi… Ka më shumë se tridhjetë vite që jam njohur me të. E kanë njohur, kush më shumë e kush më pak, edhe qindra shokë të tjerë.

Nuk besoj që dikush nga këta shokë e bashkëveprimtarë, veç nëse do të gënjej, mund të thotë që shqiptari Sabit Rexhepi do të donte të varrosej arabisht… Pse nuk respektohet nga familja, nga bashkëveprimtarët, nga farefisi e nga kleri identiteti dhe dinjiteti kombëtar e gjuhësor i të vdekurit dhe i të gjallëve që marrin pjesë në varrimin e bashkëkombësit të tyre?! Me ç’të drejtë fyhet e përbuzet deri në këtë shkallë përcaktimi, ndjenja, bindja, veprimtaria dhe angazhimi jetësor i shokëve tanë atdhetarë e luftëtarë të pathyeshëm për gjuhë, flamur, kulturë, liri, dinjitet e identitet shqiptar?!

Respekt për gjuhën, kulturën, traditën e veshjen arabe, gjermane, greke, amerikane, etj., por shqiptari ka gjuhën, kulturën, traditën, veshjen dhe identitetin e tij autokton kombëtar! Të qenit shqiptar ishte dhe është vullnet i Perëndisë-Zotit, siç ishte dhe është vullnet i Tij edhe të qenit arab, gjerman, etj..

Prandaj, të mohosh gjuhën shqipe në lutje, në jetë e në vdekje ke mohuar vullnetin e Zotit. Nuk ka mëkat më të madh, edhe në kuptimin fetar, se sa shqiptari ose shqiptarët ta varrosin shqiptarin në gjuhë të huaj, të luten e të predikojnë në gjuhë të huaj… Kthjelluni vëllezër shqiptarë e mos mëkatoni duke dalur kundër vullnetit dhe dëshirës së Krijuesit! Kleri shqiptar për asnjë çmim nuk duhet ta mohojë dhe përbuzë gjuhën e Zotit, gjuhën shqipe!

Një pjesë e klerit shqiptar është rekrutuar, siç është rekrutuar edhe një pjesë e politikanëve dhe e inteligjencies dhe po bëjnë punën e qoftëlargut, duke i vënë kazmën gjuhës dhe identitetit kombëtar! Këta mëkatarë e mercenarë, që vishen me petkun e fetarit, të politikanit, “atdhetarit”, intelektualit…, nuk duhet të gëzojnë respektin e popullit shqiptar. Këta duhet të tregohen me gisht dhe të përbuzen nga shqiptarët. Ata që mohojnë dhe nuk nderojnë me përulje gjuhën e ëmbël shqipe duhet të shihen e tregohen me përbuzje nga të rinj e të vjetër…

Bashkësitë fetare shqiptare duhet urgjentisht të ulen në një Kuvend të Madh dhe të pajtohen që gjuhë e xhamisë dhe e kishës, gjuhë e lutjes dhe e predikimit e gjuhë e Zotit për besimtarët shqiptarë të jetë VETËM gjuha shqipe!

 

GJUHA NË RREZIK, KOMBI THËRRET!

Image result for kadare per gjuhen shqipe

Please follow and like us: