Juri Kim: Shqipëria duhet të çrrënjosë korrupsionin
Ambasadorja amerikane Yuri Kim gjatë një pritjeje me politikanët në vend, por jo vetëm, ka theksuar edhe një herë tre prioritet e saj.
Shqipëria një aleate edhe më e aftë e NATO-s, një bastion më i fortë sigurie; mbështetje për zhvillimin demokratik të Shqipërisë dhe mundësi më të mirë biznesi për kompanitë amerikane dhe ato shqiptare. Ishin këto tre prioritet që theksoi diplomatja amerikane.
“Ajo që na bashkon të gjithëve në këtë sallë është vendosmëria jonë e përbashkët që Shqipëria mund dhe duhet të çrrënjosë korrupsionin dhe të vendosë sundimin e ligjit në Shqipëri. Në këtë sallë gjenden një gamë e ndritshme personash të shquar. Por pavarësisht nëse je politikan, diplomat, imam, murgeshë, gazetar, ushtar, nënë a bijë, jemi të gjithë partnerë në një përpjekje të përbashkët për ta çuar Shqipërinë përpara. Të gjithë kemi një rol për të mundësuar sigurinë, begatinë dhe integrimin evropian të Shqipërisë”, theksoi diplomatja.
Një mesazh kishte dhe për politikanët: Iu bëj thirrje drejtuesve shqiptarë – pavarësisht nëse jeni në shumicë apo opozitë, në parlament apo jo – që të demonstroni udhëheqësi të vërtetë duke marrë vendimet e vështira për ta çuar vendin përpara në rrugën e tij evropiane. Kjo do të kërkojë kompromis, por një sakrificë e përkohshme e krenarisë personale patjetër që ia vlen në emër të së ardhmes së vendit.