Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: E papritura!

No photo description available.

Gruaja ime fytyrë dashur- sy prej qumështi, sy prej loti-
që për martesë vjershat t’i solla dhurata,
s’ prisja mbi vargjet e mia
të binte rrufeja, të binte sopata,

Nuk e prisja që tej fytyrës së përlotur si faqja e një pellgu,
të shihja tek ti nusja e njomë
pemën e fortë ngritur mbi dridhjet e një shelgu.

Loti nga harku i syve të bukur m’i fortë se shigjeta
m’u ngul i ngrohtë në ngurtësinë e trishtimit-
degëz e prerë, zhveshur nga rrufeja
m’u bëre fyell i durimit.

Nuk prisja që pas vajzërisë sate pa halle,
vajzërisë si tokë e njomur me lule,
befas në tërmet të shihja një figurë të lashtë statuje.

Gruaja ime sy prej loti, sy prej qumështi.

No photo description available.

Please follow and like us: