Albspirit

Media/News/Publishing

Shpërngulja e shqiptarëve të Kosovës në Turqi, sipas dokumenteve të Qeverisë së Tiranës


Udhëheqja politike shtetërore e Tiranës, pas prishjes së marrëdhënieve diplomatike me Jugosllavinë më 1948, krahas çështjeve tjera që merrej me Kosovën, një problem me vete paraqiste me çdo kusht mbrojtja e popullsisë shqiptare të Kosovës nga asimilimi dhe dëbimi me dhunë nga territoret e tyre etnike.Nga burimet dhe dokumentacioni i kohës, vihet re, se me gjithë seriozitetin e ndjeshmёrinё e madhe qё tregohej nё kёtё drejtim, shteti shqiptar, vazhdimisht ndoqi njё politikë konstante nё raport me këtë çështje e cila vinte duke u forcuar paralelisht me konsolidimin e vetë tё këtij shteti.

Qeveria jugosllave siç dihet më 1926 kishte përfunduar një Marrëveshje me Turqinë për riatdhesimin e popullsisë turke nga Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene. Por, në fakt, dispozitat e kësaj Marrëveshje u shfrytëzuan për të dëbuar popullsinë shqiptare nga Kosova për në Turqi, duke e konsideruar atë si turke. Sipas shtypit turk të datës 7 prill 1926, nga Jugosllavia për në Turqi në bazë të kësaj marrëveshje duhet të emigroheshin 300-400 000 vetë. Ndërsa, sipas një llogaritje të bërë nga Legata Shqiptare e Ankarasë, në vitin 1928 në Turqi gjendeshin 27-30 000 familje shqiptare të shpërngulura nga Kosova duke përfshirë edhe ata shqiptarë që kishin emigruar pas vitit 1913.

Më 1938 u siglua një tjetër marrëveshje midis Jugosllavisë dhe Turqisë, në bazë të së cilës parashikohej riatdhesimi i 250 000 vetave të ashtuquajtur turq. Gazeta turke “Vatan” e datës 12 korrik 1938 me rastin e mbylljes së kësaj marrëveshje publikonte një komunikatë zyrtare si dhe një artikull në të cilën thuhej se: “250 000 emigrantë do të arrinin nga Jugosllavia dhe se transporti i tyre do të fillonte pas 6 muajsh”. E njëjta gazetë botonte edhe një deklaratë të delegacionit jugosllav që nënshkroi marrëveshjen, në të cilën gjithashtu përmendej shifra e lartë përmendur si dhe njoftime të tjera mbi përmbajtjen e kësaj marrëveshje.Nga të dhënat që dispononte qeveria shqiptare emigrimet më të shumta të shqiptareve për Turqi bëheshin nga krahinat e Maqedonisë e nga Kosova (rrethi i Prizrenit, Gjilanit, i Prishtinës, Mitrovicës, Pejës), etj.

Shpërngulja e tretë e shqiptarëve nga Jugosllavia për në Turqi, mbështetur në dokumentet diplomatike shqiptare, u bë pas vitit 1948 sidomos duke filluar nga vitet 1951-1952. Shpërngulja njihej si shkombëtarizim i Kosovës dhe krahinave të tjera të banuara prej shqiptarëve, që ishte një nga qëllimet kryesore të politikës jugosllave. Sipas një relacioni të Ministrisë së Punëve të Brendshme (4 janar 1955), titulluar: “Mbi politikën e shkombëtarizimit të Qeverisë jugosllave në minoritetin shqiptar në Jugosllavi”, qeveria jugosllave po ushtronte një politikë shkombëtarizimi përmes shpërnguljes së shqiptarëve nga Kosova e Maqedonia për në Turqi.

Si rezultat i politikës e terrorit gjatë viteve 1953-54, janë larguar për në Turqi nga rrethet: Shkup, Kumanovë, Preshevë, Tetovë, Gostivar, si dhe nga fshatrat e Zhapës së Sipërme e të Koxhaxhikut të Dibrës së Madhe rreth 5 000 veta, kurse nga fshati Elefc i Dibrës i cili përbëhet prej 170 shtëpish, kanë ikur 40 familje e 20 tjera janë përgatitur për të ikur e me mijëra persona kanë ikur nga Manastiri, Prilepi, Resnja etj. Arsyet e largimit ishin: shtypja nacionale, vrasjet ilegale të UDB-së (Unutrašnja državna bezbednost – Sigurimi i Brendshëm Shtetëror), grabitja e tokave, taksat e rënda, papunësia, terrori e propaganda se gjoja myslimanët janë turq dhe si të tillë më mirë të shkojnë në Turqi se atje jetohet më mirë, etj.

Procesi i shkombëtarizimit të Kosovës, kohën e pas Luftës së Dytë Botërore e ndante në periudha, ku secila kishte historikun e vetë dallues.Kështu, periudha pas Luftës së Dytë Botërore dhe deri në vitin 1959, karakterizohej nga kapja e atyre personave që kishin bashkëpunuar me okupatorin, likuidimi fizik i shqiptarëve me maskën e mbledhjes së armëve dhe shpërnguljen e familjeve shqiptare në Turqi. Sipas dokumentacionit në fjalë, dy proceset e fundit të shkombëtarizimit, kishin arritur kulmin në vitet, 1955-1957. Të dy këto procese ishin të kombinuara njëra me tjetrën, pasi në regjistrimet e vitit 1953 u hodh baza për shpërngulje mbasi shumë njerëz u detyruan të regjistroheshin si të kombësisë turke. Në këtë aspekt, dy ishin shkaqet që i detyruan shqiptarët të shpërnguleshin: a) Duke u shpërngulur për në Turqi ata shpëtonin nga torturat; b) Duke qenë me kombësi turke ata konsideroheshin si njerëz më të privilegjuar se shqiptarët.

Shpërnguljet bëheshin me presione të ndryshme direkte dhe indirekte, duke i keqtrajtuar shqiptarët që të detyroheshin të iknin e për këtë qëllim, organet jugosllave përdoren të gjitha mjetet. Paralelelisht, krijuan edhe kushte favorizuese e lehtësuese për kryerjen e formaliteteve të nevojshme për t’u shpërngulur.Kështu shpenzimet ishin shumë të vogla, ato kushtonin vetëm 2 000 dinarë kurse për t’u riatdhesuar në Shqipëri u duheshin 12 000 dinarë. Madje, organet jugosllave krijuan edhe lehtësira materiale duke u vënë mjete transporti në dispozicion me çmime të ulëta, duke i lejuar në doganë të marrin me vete edhe pajisjet shtëpiake që disponojnë etj. Më 1958 një fshehtësi tjetër krijuan ata me taksën për lënien e shtetësisë jugosllave e cila u ul nga 12 000 dinarë që ishte më parë në 2 000 dinarë për person dhe në vitin 1963 kjo taksë u hoq fare.

Duke patur parasysh gjendjen e rëndë ekonomike të shqiptarëve kjo ishte një lehtësi e madhe. Deri në vitin 1958 gazeta “Nova Makedonia”, në Shkup, çdo ditë njoftonte në faqet e saj njoftimet e sekretariatit të Punëve të Bendshme të Maqedonisë mbi kërkesat që ishin bërë nga persona të ndryshëm për t’i liruar nga shtetësia jugosllave me qëllim emigrimi. Sipas një analize të bërë nga legata shqiptare në Beograd, numri mesatar i këtyre kërkesave për çdo muaj arrinte në 900-1 000. Botimi i këtyre njoftimeve u ndërpre në vitin 1958. Në vitin 1952, në Kosovë u njoh zyrtarisht edhe ekzistenca e një minoriteti turk me të gjitha të drejtat politike e kulturale, u hapen 14 shkolla më 1951-1952. Iniciator i këtij plani ka qenë sekretari i Partisë të saj kohe Gjoko Pajkoviç, Dushan Mugosha etj. Gj. Pajkoviç (ish-sekretar i Lidhjes Komuniste Jugosllave për Kosovë, S. S) gjatë një fjalimi të tij, më 20 mars 1950 kishte deklaruar: “Këtu në Kosovë e Metohi ekziston minoriteti turk, njerëzit flasin turqisht nëpër qytete. Ne do t’i lemë njerëzit të vendosin lirisht kombësinë që duan. Kushdo mund ta quaje veten ç’të dojë…”.

Qeveria jugosllave që nga viti 1956/57 ndërpreu emigrimet direkte nga viset shqiptare në Turqi, por krijuan Maqedoninë e sidomos qytetin e Shkupit si qendër transitore, ku pasi kalonin një kohë, regjistroheshin si maqedonas, me kombësi turke e pastaj plotësonin dokumentet e emigrimit për në Turqi. Pas tërmetit të Shkupit (1963), u nxorë një urdhëresë se në qytetin e Shkupit nuk do të lejohet të regjistrohet asnjë i huaj (fjala është për shqiptarët nga Kosova, S. S) duke krijuar opinionin se edhe qendra ndërmjetëse e emigrimeve u prish. Në esencë ishte për efekt propagandistik, pasi nuk u sillnin as një lloj pengese.Shqiptarët pasi shpërnguleshin nga Kosova regjistroheshin si qytetarë të Republikës së Maqedonisë.

Mjaftonte që, me dy dëshmitarë t’ju pranohej ndryshimi i kombësisë nga shqiptarë në turq dhe përgatisin dokumentet për emigrim në Turqi. Sipas një dokumenti, të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, titulluar “Pasqyrë e vitit 1967 e pa botuar e Ministrisë së Punëve të Brendshme turke mbi shpërndarjen e popullsisë shqiptare në Turqi”, te cilin e dispononte qeveria shqiptare, pasqyrohet shpërndarja demografike e popullsisë shqiptare në qytete të ndryshme të Turqisë. Sipas asaj tabele numri i personave që njiheshin si shqiptarë ishte 800 000, që kanë origjinë 1 090 000, numri i përgjithshëm i shqiptarëve 1 890 000, personat që flasin shqip mirë 412 000 dhe pak 373 000.

Sipas një informacioni tjetër, “Mbi emigracionin shqiptar nga Kosova e viset e tjera të banuara nga shqiptarët në Perëndim”, të Ministrisë së Punëve të Brendshme (Drejtorisë së III), së Shtetit shqiptar, datë 18 maj 1981, numri më i madh i të emigruarve shqiptarë ndodhej në Turqi. Shpërndarja e emigracionit në qytetet e ndryshme të Turqisë ka qenë veçanërisht i theksuar e masiv në vitet 1913-1937, 1937-1941 dhe 1949-1970.Në secilën nga këto periudha janë shpërngulur përkatësisht 200 000, 380 000 dhe 283 000 vetë. Ndërsa, shpërndarja e emigracionit shqiptar në vendet e tjera, sipas informacionit të lartpërmendur shqiptar ishte në këtë mënyrë: në RFGJ 70 000 vetë, në Belgjikë 50 000 (nga këta 22 000 janë nga shqiptarët që janë larguar nga Turqia), në SHBA 40 000, në Australi 40 000, në Argjentinë 30 000, në Francë 13 000, në Austri 8 000, në Zvicër 6 000, në Suedi 3 000, në Siri 4 000, në Libi 700 dhe sipas marrëveshjes qe ka arritur Jugosllavia me këtë vend, kjo shifër parashikohet të arrijë në 12 000 vetë.

Qëndrimi i qeverisë shqiptare
Qëndrimi i udhëheqjes politike shtetërore të Tiranës, në lidhje me shpërnguljen e shqiptarëve nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare, ka qenë që ata të mos shpërnguleshin për Turqi, por të qëndronin në vend si popullsi kompakte. Shpërnguljet kishin shkaktuar një indinjatë të thellë tek qeveria shqiptare.Informimet për shpërngulje bën qe qeveria shqiptare të koordinoj veprimtarinë e saj në planin politik e diplomatik. Natyrisht, alarmi nga Tirana preku qeverinë turke në Ankara dhe krijoi shqetësime në qarqet qeveritare jugosllave. Kjo e fundit, vazhdimisht u demaskua për shkombëtarizimin e popullsisë shqiptare, duke i detyruar ata të lënë tokën e tyre e të emigrojnë në Turqi. Për mbrojtjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve në Jugosllavi përveç sektorëve tjerë të shtetit u ngarkuan edhe Legatat Shqiptare, të cilat do ta konkretizonin interesin përmes vizitave, shtypit, kontakteve të drejtpërdrejta, e duke dalë edhe me propozime konkrete për metodat e realizimit të tyre. Një detyrë e rëndësishme ishte frenimi dhe pengimi i emigrimit të shqiptarëve në Turqi, nëpërmjet vendosjes së kontakteve me shqiptarët e shpërngulur nga territoret shqiptare në Jugosllavi. Ky objektiv iu ngarkua në veçanti Legatës Shqiptare në Ankara e Beograd.

Për Tiranën, një burim i rëndësishëm informacioni për shqiptarët në Jugosllavi vazhdonin të ishin burimet informative-diplomatike.Legatat shqiptare dërgonin relacione të posaçme për gjendjen e shqiptarëve të atyre viseve dhe për politikën jugosllave të shpërnguljes së tyre në drejtim të Turqisë, etj. Madje edhe vetë ministri Bato Karafili, kishte bërë një vizitë në Kosovë e Maqedoni me qëllim që të njihej për së afërmi rreth gjendjes së shqiptarëve, se sa prej tyre largoheshin për në Turqi. Pas vizitës së bërë ia dërgoi një relacion Ministrisë së Punëve të Jashtme (Degës së Dytë) në Tiranë, i cili përmbante një sërë të dhënash për çështjen në fjalë.

Shteti shqiptar edhe në mënyrë zyrtare, bëri përpjekje për të penguar shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi.Lidhur me këtë çështje, ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Behar Shtylla, udhëzoi përfaqësuesin e Legatës Shqiptare në Ankara që të bisedojë me autoritetet turke për të parandaluar një fenomen të tillë. Më 1959, sipas udhëzimeve përfaqësuesi diplomatik shqiptar ndërhyri pranë autoriteteve turke për të mos pranuar emigrimin e shqiptarëve në Turqi dhe qeveria turke kishte dhënë sigurinë disa herë se, “duke kuptuar drejt ndjenjat kombëtare, do të merrte masa për të ndaluar emigrimin e duke vazhduar një kontroll të fortë mbi kombësinë e personave emigrantë”. Ndërkohë një vit më vonë (me 1960), në Ministrin e Jashtme u nxor një “Plan masash për propagandë lidhur me Kosovën”.Ndër të tjera aty kërkohej, që të nxiteshin shqiptarët në Turqi për të shkuar të njerëzit e tyre në Jugosllavi, me qëllim që të mos shpërngulen për në Turqi.

Përveç ndërhyrjes pranë autoriteteve turke, edhe vet Legata në Ankara kishte kërkuar nga Ministria e Jashtme, që Shqipëria të angazhohej maksimalisht që t’i kundërvihej propagandës jugosllave në forma të ndryshme në mënyrë që popullata shqiptare të mos dekurajohej nga propaganda jugosllave dhe të bënte përpjekjet e veta që ta ruante qenien e vetë kombëtare. Në veçanti i sugjerohej Tiranës që të pengohej shpërngulja e popullatës shqiptare për në Turqi, e ndër të tjera propozonte: a) Të demaskohen edhe më tej veprimet kriminale të jugosllavëve për nxitjen e emigrimeve; b) Me qenë se Radio Tirana këtu në Turqi dëgjohet shumë mirë, do të ishte mirë të krijohej një emision për shqiptarët në Turqi e Kosovë, ku nëpërmjet programeve të demaskohen veprimet kriminale të jugosllavëve, të vihen më tepër këngë popullore të Kosovës e të Malësisë së Veriut. Ky do të ishte një mjet shumë efektiv për tërheqjen e shqiptarëve, për edukimin dhe ngritjen në një shkallë më të lartë të ndjenjave kombëtare. Si rrjedhim këto veprime do të pengojnë më shumë masat e emigrimit, asimilimit dhe shkombëtarizimit të jugosllavëve ndaj masës shqiptare në Kosovë e në viset shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi.

Legata shqiptare në Ankara, ushqente edhe dyshime të forta për përdorimin e emigracionit politik shqiptar në Evropën Perëndimore dhe shqiptarëve të shpërngulur me dhunë në Turqi kundër saj.Dyshonte se ata mund të shfrytëzoheshin për qëllime agjenturore nga zbulimet e huaja, për të përmbysur regjimin komunist në Shqipëri. Lidhur me këtë problem, më 20 dhjetor 1965, i rekomandonte Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë: a) që të mos lejohej përdorimi masiv i njerëzve të influencuar nga imperialistët dhe qeveritë reaksionare të vendeve fqinje, për t’i përdorur ata kundër RPSH.; b) të punohej në mënyrë të gjithanshme për ruajtjen e emigracionit shqiptar në Turqi nga influencat e armiqve dhe nga asimilimi i tij, duke u përpjekur për ta pasur atë si mbështetje për Republikën Popullore të Shqipërisë.

Për arritjen e këtyre objektivave rekomandohej të merreshin masa të tilla që kishin të bënin me, shtimin e veprimtarisë propagandistike përmes programeve të radios, të punohej kryesish me personat me influencë të veçantë, të përdoreshin dhe përmirësoheshin shërbimet turistike dhe të vizitorëve të ndryshëm në drejtim të Shqipërisë, pjesëmarrjet e Shqipërisë në aktivitetet sportive, folkloristike dhe pjesëmarrja e saj në panairin e Izmirit, për të propaganduar arritjet e Shqipërisë, etj.

Please follow and like us: