Albspirit

Media/News/Publishing

Frank SHKRELI: 37- vjetori i fjalimit mbi perandorinë e së keqes dhe fuqia e së vërtetës

Image result for frank shkreli

Frank Shkreli

Ishte 8 Marsi i vitit 1983 dhe Presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara Ronald Regan ishte ftuar të mbante një fjalim para Shoqatës Kombëtare Protestante në qytetin Orlando të shtetit të Floridas. Ishte kulmi i ‘Luftës së Ftohtë’ dhe çdo fjalim dhe prononcim në lidhje me marrëdhëniet me bllokun komunist, sidomos nga udhëheqës të lartë amerikanë, matej e peshohej me kujdes, që të mos shkaktonte keqkuptime ose acarime të mëtejshme në marrëdhëniet, madje, edhe ashtu të acaruara, midis Perëndimit e Lindjes. Ashtu ishte politika e detantës, një politikë kjo e filluar nga Presidenti Nikson dhe Henri Kisinger për uljen e tensioneve midis Uashingtonit dhe Moskës. Ishte kjo një politikë e ndjekur nga presidentët Nikson, Ford dhe Karter.

Por Presidenti Regan, me të ardhur në Shtëpinë e Bardhë në vitin 1981, por dhe më përpara gjatë fushatës për president, e kishte bërë të qartë se, ai nuk ishte mbështetës i kësaj politike sepse konsideronte se kjo politikë e kishte vënë Amerikën në një pozitë inferioriteti. Ishte caktuar që fjalimi kryesisht të theksonte çështje të brendshme, por Presidenti Regan i shtoi fjalimit të parapërgatitur disa paragrafë që kishin të bënin me komunizmin, që sipas tij ishte, ‘vatra e së keqes në botë’ dhe si i tillë ai fjalim që konsiderohet edhe si një ndër fjalimet më me rëndësi të tre dekadave të kaluara, u pagëzua si, ‘Fjalimi mbi Perandorinë e së Keqes’ e që i referohej perandorisë komuniste sovjetike.

Paragrafët mbi komunizmin, e kthyen fjalimin e Presidentit Regan në një frymëzim për disidentët anë e mbanë Europës -Lindore dhe ish-Bashkimit Sovjetik, në të njëjtën kohë tmerroi opozitën dhe median këtu në Amerikë dhe në Europën Perëndimore dhe tronditi për së tepërmi Kremlinin. Komunistët e cilësuan fjalimin e zotit Reagan si një përpjekje për të minuar  socializmin. Për këtë ata kishin të drejtë, sepse ky ishte ekzaktësisht qëllimi i tij, minimi i komunizmit ateist dhe t’i jepte fund luftës së ftohët, në mënyrë paqësore. Pasi foli për çështjet dhe politikat e brendshme, nga fundi i fjalimit ai u përqendrua, siç duket i shtyrë nga motive shpirtërore e morale, edhe mbi ato që  ai i cilësoi si mëkatet dhe të këqijat e kësaj bote, duke iu drejtuar edhe bashkëkombasve të vet duke thënë se edhe, “Kombi ynë ka një trashëgimi veprash të këqija me të cilat duhet të përballohemi. Krenaria e këtij vendi është aftësia e tij për t’u përballur me të këqijat morale të historisë sonë. Siç ishin përpjekjet dhe lufta e gjata e qytetarëve të minoriteteve për të gëzuar të drejta të barabarta, që dikur ishin burim i mos-unitetit  dhe të luftës civile, tani këto janë  shkak krenarie për të gjithë amerikanët. Kurrë më nuk guxon të përsëritet kjo histori. Në Amerikë nuk ka vend për racizëm, anti-semitizëm dhe për asnjë formë tjetër urrejtjeje etnike ose raciale”, -tha ish-Presidenti Regan, 37 vjet më parë.

Pasi theksoi se, as historia e Amerikës nuk ishte pa të meta morale dhe padrejtësi, sidomos ndaj grupeve të ndryshme etnike, ish-presidenti Regan iu kthye subjektit mbi komunizmin sovjetik, për të cilin as që nuk ishte në plan të fliste gjatë atij takimi, por që më në fund iu shtuan paragrafët në minutën e fundit – një fjalim ky që gjithnjë konsiderohet si njëri prej fjalimeve më të rëndësishëm të tre dekadave të kaluara. Presidenti Regan filloi duke thënë se “gjatë konferencës së parë me shtypin si president, unë vura në dukje se udhëheqësit sovjetikë, si marksistë-leninistë të mirë që e konsiderojnë veten, ata kanë deklaruar publikisht se e vetmja moralshmëri që ata njohin është ajo që çon përpara kauzën e tyre, e që është revolucioni botëror. Mendoj se, duhet të nënvizoj se unë vetëm citoj Leninin, frymëzuesin dhe drejtuesin ideologjik të tyre, i cili ka thënë se komunistët hedhin poshtë të gjithë moralshmërinë që rrjedhë nga idetë mbinatyrore… Moralshmëria, sipas tyre, i nënshtrohet krejtësisht interesave të luftës së klasave. “Çdo gjë, sipas komunistëve, -tha Presidenti Regan – “është e moralshme dhe si e tillë e justifikueshme, për të zhdukur të gjithë të kaluarën, duke shfrytëzuar rendin shoqëror me qëllim për të bashkuar proletariatin botëror”.

Presidenti Regan tha në fjalimin e tij në mars të vitit 1983, se udhëheqësit komunistë, “duhet ta kuptojnë se ne nuk do të komprometojmë kurrë parimet dhe standardet tona.  “Ne”,- shtoi ai – “nuk do të heqim kurrë dorë nga liria dhe as nga besimi në Perëndinë dhe nuk do pushojmë kurrë së kërkuari një paqe të vërtetë”, për të gjithë. Zoti Regan tha se, ndërsa komunistët, “predikojnë epërsinë e shtetit dhe deklarojnë kontrollin e plotë mbi individin dhe ndërkohë që ata parashikojnë edhe dominimin komunist mbi të gjithë popujt në këtë planet”, të mos harrojmë, shtoi ish-presidenti amerikan, se komunistët janë vatra e së keqes në botën moderne”. Në vazhdim, zoti Regan u bëri thirrje të pranishmëve, por edhe botës më gjerë, “që të mos injorojnë faktet e historisë dhe as impulset agresive të Perandorisë së të Keqes”, duke iu referuar ish-Bashkimit Sovjetik.

Presidenti Regan e përfundoi fjalimin e tij historik, duke thënë se, ndërsa besonte se fuqia ushtarake amerikane është e rëndësishme, ai tha se, gjithmonë kishte besuar se, lufta ideologjike që po zhvillohej në atë kohë në botë, nuk do të zgjidhej me bomba as me raketa, as me ushtri dhe as me forcë ushtarake, duke thënë se, “kriza me të cilën përballemi sot-në thelb- është një krizë shpirtërore dhe një sprovë e vullnetit shpirtëror dhe besimit”. Duke theksuar qëndrimin e tij se Amerika do të  mund të përballonte sfidat që kishte përpara, ish-Presidenti Regan, shprehu gjithashtu, besimin e tij se, “komunizmi ishte një kapitull i trishtueshëm në historinë e njerëzimit, faqet e fundit e të cilit po shkruhen tani”, -tha ai. Zoti Regan përfundoi fjalimin e tij historik duke thënë se: “Unë e besoj se burimi i fuqisë tonë në përpjekjet tona për sigurimin e lirisë njerëzore, nuk është e një natyre materiale, por e një tërësie shpirtërore… dhe pasi kjo fuqi nuk njeh kufizime, ajo patjetër tmerron dhe më në fund do të triumfojë mbi ata që përpiqen të skllavërojnë bashkëkombësit e vet”.

Regan ka thënë më vonë se, e mbajti atë fjalim për të venë në dukje të vërtetën e pamohueshme se komunistët kudo jo vetëm se kishin shkelur të drejtat dhe liritë bazë të njeriut, por njëkohësisht, për të qëndruar në fuqi kundër vullnetit të popullit, komunistët kanë vrarë me miliona nga kundërshtarët e tyre anë e mbanë botës komuniste.

Tani, rëndësia e këtij fjalimi nuk ishte se Presidenti Regan dinte diçka që presidentët e mëparshëm amerikanë ose udhëheqës të tjerë demokratikë të perëndimit, nuk dinin mbi të vërtetën e ideologjisë komuniste dhe mbi efektet shtypëse të saj ndaj individit dhe shoqërisë, kundër qytetërimit dhe kulturave kombëtare. Por rëndësia e këtij fjalimi është në faktin se, Presidenti Regan ishte i pari president që u shpreh në këtë mënyrë dhe bëri thirrje haptazi për një fushatë për demokraci. Ishte ky një fjalim guximtar që duhej të mbahej dhe një e vërtetë që duhej të thuhej publikisht nga një udhëheqës me bindje morale siç ishte Ronald Regan. Më në fund, “kombet e robëruara” nga komunizmi, në Presidentin Reagan, ato zbuluan zërin e atyre që nuk lejoheshin të dëgjoheshin matanë “perdes së hekurt”.

Fjalimi në Orlando të shtetit Florida, 37 vjet më parë, ishte ndër shenjat e para se, Shtetet e Bashkuara, më në fund, kishin një udhëheqës, i cili si asnjë president tjetër më parë  do të kishte kurajën morale dhe guximin ta quante ish-Bashkimin Sovjetik me emrin që meritonte, ‘Perandoria e së keqes’. Fuqia e fjalës së vërtetë, e prononcuar nga Presidenti Ronald Regan 37 vjet më parë, shkatërroi një perandori, i dha fund Luftës së Ftohët në mënyrë paqësore dhe si rrjedhim, përgjithmonë ndryshoi botën, ndërkohë që, qindra miliona njerëz që dikur jetonin nën tiraninë e Perandorisë së të Keqes, tani jetojnë në liri.

Please follow and like us: