Albspirit

Media/News/Publishing

Nebil Çika dhe revista e tij ‘Minerva’

Image may contain: 1 person, suit

Rreth 75 vjet më parë u vra në Tiranë një prej figurave më të shquara intelektuale e atdhetare, themelues i gazetarisë moderne shqiptare, njëherazi edhe themelues i “Minerva” Nebil Çika (i vjetri). Ai si shumë intelektuale te tjerë u mor nga shtëpia nga një skuadër partizanesh dhe u pushkatua pa gjyq ne bodrumet e “Hotel Biristol” në Tiranë.
Por kush ishte themeluesi i “Minerva”?
Nebil Çika (i Vjetri) lindi në Borsh të Sarandës në vitin 1893 në një familje të njohur e me tradita patriotike e kulturore. Studimet e mesme i kreu në liceun francez të Korfuzit, kurse ato të larta në universitetin amerikan të Stambollit “Robert College”. Që student punoi si gazetar në gazetat më të njohur të kohës në Stamboll ku spikati me shkrimet dhe sidomos stilin e tij te veçantë. Krijoi kontakte me personalitete e grupime shume te kulturuar e me influencë . Ishte anëtar i rretheve kulturore me përparimtare të kohës dhe një aktivist i njohur i çështjes kombëtare. Kthehet në atdhe në vitin 1912 ku fillon të aktivizohet në shtypin e kohës ku shpejt u bë një nga emrat më të spikatur. Arrestohet ne vitin 1913 nga forcat pushtuese greke në Sarandë dhe kryen 6 muaj burg në Janinë për shkak te kundërshtimit te aneksimit nga Greqia të krahinave shqiptare të Epirit dhe ndikimit tek komisioni ndërkombëtar i kufijve me te cilët si intelektual komunikonte e vlerësohej. Pas burgut u kthye serish ne Stamboll ku përfundoi studimet. Më pas shkon në Selanik ku punoi në një gazetë franceze të qytetit nën sundimin francez ku do të pushohet nga puna për shkak të aktivitetit nacionalist shqiptarë.
Vendoset në Tiranë menjëherë pas caktimit të saj si kryeqytet në vitin 1920 dhe anktivizohet tërësisht në gazetari. Mund të konsiderohet si një nga themeluesit e gazetarisë profesioniste e moderne shqiptare, ndërkohë qe themeloi dhe drejtoi një nga mediat nga me të spikatura të kohës. Revista “Minerva” e themeluar dhe drejtuar prej tij në vitin 1931 ishte media më elitare e kohës dhe i pari botim periodik shqiptar me ngjyra. Drejtoi me kompetencë gazetën e njohur “Arbënia” dhe disa media të tjera duke u rreshtuar kështu edhe vetë në elitën kulturore e politike të kohës. Ishte autor i disa teksteve shkollore dhe studimeve të shumta mbi kulturën dhe arsimin shqiptar. Si nacionalist me kulturë perëndimore dha kontribut të shquar në zhvillimet politike e demokratike të vendit.
Ishte korrespodenti i ‘New York Times’ dhe ‘Reuters’ nga Tirana, detyrë qe e ushtroi deri në fund të jetës së tij. Bashke me Branko Merxhanin, Ismet Toton, Vangjel Koçën etj janë themelues të “Neoshqipatrizmës”, një lëvizje që synonte lartësimin kulturor, politik e shpirtëror të kombit shqiptar. Është autor i shumë artikujve, studimeve, kritikave letrare, analizave politike e ekonomike etj, me vlerë te jashtëzakonshme që i qëndrojnë ende kohës e ribotohen shpesh herë nga media aktuale. Në 1943 boton ne Tiranë librin “Njëmendësia Shqiptare” studim i shkëlqyer psikologjik e filozofik të vlerësuar shumë nga koha. Si nacionalist dhe demokrat ishte natyrshëm një kundërshtar i komunizmit gjë që i kushtoi edhe jetën ne kulmin e aktivitetit të tij. Pushkatohet pa gjyq pasi rrëmbehet në shtëpinë e vet në Tiranë nga grupe terroriste komuniste në 16 nëntor 1944 ne bodrumin e Hotel “Bristol” .
Eshtrat e tij ende nuk janë gjetur me gjithë përpjekjet e vazhdueshme të familjareve të tij. Për 50 vite diktaturë emri i tij u fshi nga historia, ndërkohë që libri i tij “Njëmendësia Shqiptare” ishte në krye te listës së librave të ndaluara nga censura komuniste.
Figura e tij filloi të rehabilitohet pas rënies së diktaturës komuniste e po zë gradualisht vendin e merituar. Është dekoruar nga Presidentët e Republikës Berisha e Topi me medaljet “Martir i Demokracisë ” dhe “Nderi i Kombit”.
Nebil Çika mbetet një nga figurat e shquara të mendimit shqiptar te pas pavarësisë. Gazetar, intelektual e filozof i njohur la gjurme te thella jo vetëm ne gazetari por edhe ne mendimin qytetar e kombëtar të atyre viteve. Revista “Minerva” ishte pa dyshim ‘kryevepra’ e tij, një pararojë e mendimit dhe stilit, por edhe një tribunë e mendimit dhe jetës moderne të Shqipërisë ne atë periudhë. Edhe sot fryma, niveli i lart intelektual e profesional i atyre që shkruan në të duket një mrekulli. Atje shkruan pena të arta si Branko Merxhani, Vangjel Koca, Mehdi Frshëri, Ismet Toto, Etehm Haxhiademi, Mati Logoreci, Aleksander Xhuvani, Ali Asllani, Ikbal Cika, Nazima Ypi, Lazgush Poradeci, Migjeni, Ernest Koliqi, Veli Stafa, Vedat Kokona, Eqrem Çabej, Ilo Qafzezi, Tajar Zavalan, Petro Marko, Shefqet Musarai etj. Atje u promovuan artistë të mëdhenj si Odhise Paskali, Tefta Tashko, Lola Gjoka, etj.
Nebil Çika ka shume artikuj, ese e studime me rëndësi te veçante kombëtare e shoqërore. Ai eshte një nga themeluesit e mendimit shqiptar, apo “neoshqiptarizëmës”, dhe vepra e tij madhore ngelet ajo qe shkroi e botoi ne vitin 1943 pak para se të vritej, “Njëmendësia Shqiptare” një libër i mendimit shqiptar. Me një filozofi te jashtëzakonshme ai ka sjelle realitetin shqiptar te atyre viteve dhe ka parashikuar të ardhmen dhe veçanërisht rreziqet qe po vinin. Ai këmbëngul se vetëm bashkimi kombëtar, Shqipëria etnike, është e vetmja rrugë mbijetese e prosperiteti e kombit tone dhe e argumenton atë me një studim te hollësishëm ne te gjitha fushat gjeopolitike , ekonomike, ushtarake, kulturore etj. Besohet se pikërisht ky libër ishte ai që i “hëngri kokën” pasi emisarët serbe pranë komunisteve e evidentuan si një rrezik nacionalist dhe e përfshinë ne listën e atyre intelektualëve nacionaliste qe u pushkatuan pa gjyq sapo forcat komuniste hynë ne tirane ne nëntor te vitit 1944.
Sikur e parashikoi vdekjen e vete e te krejt elitës si dhe demin qe do ti behej vendit nga kjo masakër e komunistëve do te shkruante ne vitin 1943: “ Po të qe se Franca humbiste papritmas pesëdhjetë dijetarët e parë te sajë , pesëdhjetë artistët e parë të sajë, pesëdhjete industrialistët e parë të sajë, pesëdhjetë lëvruesit e parë të tokës se sajë, do behej një trup pa shpirt, do i pritej koka. Po që për kundra të humbiste gjithë personelin zyrtar të sajë, nga kjo gjë gjë nuk do te dilte për vendin veç një dem i vogël”. (Njëmendësia shqiptare, 1943, f .11.)
Këto fjalë të shkruar vetëm një vit para vdekjes ishin si një profeci për veten dhe gjithë elitën kombëtare dhe dëmin e madh që ju bë Shqipërisë nga shfarosja e sajë. Nebili thotë se Franca, qendra intelektuale e botes ne atë kohe, do ngelej pa koke po ti vrisnin elitën po Shqipërisë me më pak se një milionë banorë me më shumë se 50 % të pashkolluar çfarë pësoi! Vetëm për 13 ditë nga 16 deri ne 29 nëntor 1944 vetëm në Tiranë u vranë 36 nga më te spikaturit te elitës kombëtare e ne janar 1945 numri i kaloi në 105 persona. Kjo masakër vazhdoi me pas për te mbërritur ne rreth 5 mije të vrarë, më shume se 5 % e popullsisë, shumica e tyre pjese e elitës kombëtare. Nebili është pa dyshim një nga me të parët, nga më të mirët e atyre që humbën jetën ne atë nëntor të përgjakur të vitit 1944 nga terrori sllavo-komunist në Tiranë dhe gjithë Shqipërinë.

Please follow and like us: