Profesor, Ymer Çiraku, është e rëndësishme të dimë se sa dhe si studiohet shkrimtari ynë i përbotshëm Ismail Kadare në sistemin tonë universitar në degen Gjuhë – Letërsi.
Ismail Kadare është një shkrimtar i përmasave të jashtëzakonshme për letërsinë shqipe dhe pa diskutim, kjo është dhe arsyeja që ai zë një vend të rëndësishëm në programet e universitetit, ashtu sikundër edhe në arsimin parauniversitar. Studiohet proza e tij, poezia, si dhe kontributi i madh në fushën e eseistikës. Duhet theksuar, ashtu siç edhe është cilësuar nga kritika botërore, se me veprën e tij, ai është tashmë një krijues mjaft i rafinuar, një “magjistar i fjalës shqipe” dhe këtu përmblidhet një vlerësim i lartë dhe plotësisht i merituar për artin e tij. Vepra e I.K. është një opus i fuqishëm letrar, apo që mund ta cilësojmë si një kalendar artistik të historisë së popullit shqiptar. Veçse duhet pohua se ky shkrimtar i ka tejkaluar limitet e letërsisë shqipe, në kuptimin se ajo tanimë ka një njohje dhe vlerësim të lartë tek lexuesi i shumë gjuhëve të botës, ku ajo është përkthyer dhe botuar e ribotuar – në më shumë se 45 prej tyre. Me veprën e tij I. Kadare e emancipoi ndjeshëm letërsinë shqipe, e nxorri atë nga periferia dhe i dha një përmasë moderniteti bashkëkohor, përkrah letërsive të mëdha botërore. Dhe si letërsi e madhe, ajo e kreu denjesisht këtë mision. Emancipoi letërsinë shqipe para së gjithash me sintetizmin brilant, me vizionet filozofike, historike, morale dhe etnopsikologjike, që ato tekste përcjellin për tek lexuesi. Vepra e Kadaresë prezantohet dukshëm si një krijimtari artistike sui generis, do të thosha para së gjithash antitradicionale, duke i tejkaluar arritjet e mbërritura dhe duke çelur shtigje të reja estetike dhe stilistike. Ajo ka prezantuar në mënyrë konstante një sfidë të dukshme kundër filozofisë së izolatrisë, e cila ka funksionuar para viteve ’90 në sistemin monist totalitar. Pra, ajo krijimtari nuk i përfilli dhe i kapërxeu dukuritë letrare regresive të kohës, pasi kishte përqafuar parimet më të avancuara dhe i transmetoi ato më së miri.
A janë të mjaftueshme programet dhe informacionet që marrin studentët mbi këtë vepër madhore?
Në universitet, në raport me krijimtarinë e Kadaresë, nga studentët në të gjitha nivelet, në atë bachelor, në master, apo të doktoraturës, studentët marrin një informacion të gjerë e sistematik. Do të shtoja se prej tyre ka gjithashtu një interes të madh rreth temave studimore që ata priren të marrin mbi veprën e këtij autori, që mbetet ndër më të lexuarit e më të vlerësuarit prej tyre. Madje, janë kryer edhe disa teza doktorale të niveleve mjaft të arrira, ndonjëra prej të cilave edhe është botuar. Kujtoj këtu pedagogen e departamentit tonë Vjola Isufaj, me nje studim të rëndësishëm doktoral mbi veprën e Kadaresë, duke e vështruar atë krijimtari në raportin letërsi – mit, në rrafsh nacional e përtej nacional.
Përveç programeve, a ka aktivitete te tjera shkencore apo studimore mbi veprën e shkrimtarit Ismail Kadare.
Janë organizuar edhe konferenca shkencore të posaçme mbi veprën e Kadaresë, qoftë nga fakulteti ynë, por edhe në bashkëpunim me institucione të tjera shkencore, si psh. me Universitetine Prishtinës. Në to të gjykoja se janë bërë sinteza të rëndësishme studimore, të cilat janë botuar më pas në libra, që pasurojnë bibliotekën e studimeve tona letrare. Në Universitetin tonë kemi pasur rastin të organizojmë edhe takime me vet shkrimtarin Ismail Kadare, takime këto që kanë qënë shumë të mirëpritura nga studentët dhe nga gjithë stafi i fakultetit.
Ju keni ndonjë mbresë personale nga takimet me z. Kadare?
Unë nuk mund të harroj kohën kur isha student. Në këtë departament Kadareja ka dhënë një cikël ligjëratash mbi letërsinë moderne botërore. Sigurisht, që brenda kornizave të kohës, por ai do të dinte të përcillte tek ne një informacion shumë interesant, shumë mbresëlënës, që na grishte neve që më pas të insistonim të gjenim ndonjë mundësi për të marrë sado pak informacion apo për të lexuar vepra si psh. ato të Kafkës, Kamysë, Sartrit…. Në këtë funksion, ligjëratat e tij ishin shumë interesante. Edhe sot, kur komunikoj me miqtë e mi që kemi qenë bashkë studentë, i kujtojmë me vlerësim ato ligjerata të shkrimtarit tonë, në ato vite të ndalesave të shumta.
Ç’mendim keni për Çmimin Nobel?
A do ta marrë Kadare çmimin Nobel? Kjo është pyetja dhe meraku i lexuesit shqiptar e pse jo edhe i atij më gjerë. Në një farë kuptimi ai e ka marrë, pasi e meriton. Them në një farë mënyre e ka marrë, pasi ai është nominuar disa herë dhe ka mbërritur madje në rrethin më të ngushtë të shkrimtarëve të nominuar si kandidatë. Por fundja një çmim është dhe sigurisht që ka edhe shkrimtarë të tjerë, që e meritojnë atë. Ku mes tyre është edhe shkrimtari ynë i shquar.
Edhe nga fakulteti ynë ka pasur nisma, ku disa kolegë i janë drejtuar atij Komisioni të nderuar të Nobelit, për ta informuar atë për vlerësimin e lartë që kjo vepër ka në botën shqiptare. Por le të presim, vitet janë përpara, Kadareja është ende një krijues mjaft vital. Të shpresojmë dhe të besojmë se ai do ta marrë këtë çmim, sepse e meriton.
Intervistoi Nadire Buzo. Marrë nga Libri “ Epoka Kadare”.
Kush është Prof. Dr.Ymer Çiraku?
Pedagog në UT, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë UT, dega Gjuhë- Letërsi (1976) Nga 1991 e në vazhdim pedagog në Departamentin e Letërsisë dhe në vitet 1995-2008 shef i këtij Departamenti. Në vitet 2008-2016 zv.dekan i Fakultetit, anëtar i Senatit të Universitetit të Tiranës, anëtar i redaksisë së revistës “Studime Albanologjike” (që nga themelimi). Ka qënë gjithashtu Kryetar i Komisionit të Letërsisë në Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës. Veprimtaria shkencore: Monografi dhe botime universitare e përmbledhje studimesh letrare: –Struktura e një krijimtarie letrare (monografi) -Letërsia shqiptare. Autorë dhe vepra (bashkëautor). –Hyrje në metodikën e punës shkencore, (bashkëautor) –Në zbërthim të kodeve letrare (studime e artikuj. –Gjurmime në letërsinë shqiptare(studime), Bota poetike e Martin Camajt, Kritika letrare në revistën Shêjzat (bashkëautor). Po kështu është bashkëautor tekstesh të shkollave të mesme si: –Letërsia shqiptare bashkëkohore (bashkëautor), -Letërsia shqiptare e gjysmës së parë të shekullit XX (bashkëautor) –Letërsia shqiptare (I). Për shumë vite ka qënë anëtar i Këshillit drejtues dhe Sekretar Shkencor e Bashkëdrejtor i Seminarit Ndërkombëtar të Prishtinës për Gjuhën dhe Letërsinë Shqiptare, anëtar i bordit për Antologjinë e poezisë shqiptare që u përgatit në kuadrin e Antologjisë së poezisë ballkanike (Athinë), Drejtues i konferencës shkencore “Fenomeni i Avanguardes ne Letërsinë Shqiptare”, etj.