Ymer Çiraku: Libri me poezi të zgjedhura i poetit Musa Vyshka
Ymer Çiraku
Kohëve të fundit, poeti i njohur Musa Vyshka, doli përpara lexuesit me botimin e tij më të ri, përmbledhjen poetike të titulluar: “Poezi të zgjedhura”. Në këtë libër, janë përfshirë një varg krijimesh poetike, të cilat, kanë nisur të botohen në libra e gazeta të ndryshme letrare, qysh nga fillimi i viteve ’60 – e duke vazhduar më tej, deri te ato të botuara viteve më të fundit.
Duhet kujtuar se krahas një vargu vëllimesh me poezi si: “Ne, njëzetvjeçarët”, “Do të vdes i dashuruar”, “Vijmë dhe shkojmë”, “Mos e kthe kokën pas”, “Pse rënkon kumuria ime” e ndonjë tjetër, M. Vyshka është njëkohësisht autor edhe i disa përmbledhjeve të tjera me tregime, si dhe i mjaft librave për fëmijë me poezi, tregime dhe përralla.
Profili artistik i këtij autori, para së gjithash në poezi, mbetet i spikatur dhe me shenja origjinaliteti. Qysh me krijimet e tij të para, ai u dallua për ndjeshmëri të hollë e pothuaj delikate, ndaj dukurive të jetës. Nuk ishte një poet, që do të dëshmonte në vargjet e tij prirje të dukshme për nga temat dhe konfliktet e forta sociale dhe historike të jetës. Në vargjet dhe ritmet e kësaj poezie, më së shumti, gjejmë oazin e vendlindjes së përmallshme me gugatjen e kumurive, me trokitjen e erërave që për një çast rrëzëllitës i kujtojnë heroit lirik ardhjen e të dashurës… Gjejmë po ashtu, etjen e rinisë nëpër udhëkryqe të kohës, qiellin e marsit që spërkatet me ngjyrat e ylberta të pranverës, njerëzit e dashur të larguar nga jeta… Te kjo poezi akuareli, ndihen mjaft motive të spërkatura me impresione personale, aq sa mjaft cikle të poezive, të ngjajnë si shfletim albumesh të jetës së heroit rrëfyes lirik, ku vrehen të derdhura në to: ujëvara kujtimesh të largëta të fëmijërisë, mbresa takimesh të bukura, apo edhe pendesash – prej keqkuptimeve, apo mos mundjen dot për t`iu përgjigjur ndjenjave trallisëse të dashurisë. Ndihen në këto krijime: biri, ati, vëllai e shoku, si raporti njerëzor i gjithësisë.
Kjo poezi e vëllimshme e autorit, e shkruar dhe e botuar pa ndërprerje përgjatë më shumë se pesë dekada vitesh, vjen tashmë e përmbledhur me krijime të përzgjedhura, brenda një libri më vete. Do të mendonim se libra të tillë, vërtet përmbajnë brenda tyre krijime të njohura edhe më parë nga lexuesi, porse ato, kanë ndërkaq edhe statusin e një vepre të re. Kjo ndodh pasi këtu, me vullnetin autorial, janë vendosur të përfshihen krijime të selektuara/përzgjedhura dhe të vendosura në vendin e tyre përkatës, brenda një strukture të veçantë, të paramenduar prej krijuesit. Për pasojë, magjia e njohur që mbart sëbrendshmi arti poetik, bën që këto krijime, të fitojnë pse jo, një kumbim dhe një ridimensionim të ri emocional dhe estetik. E kjo, ndodh pikërisht edhe prej vendosjes që ka marrë secila prej atyre krijimeve, në përmbledhjen e re poetike.
Poezia e këtij autori, është kryesisht e prirjes së përsiatjes dhe jo aq e detajeve dhe impresioneve e situatave fabulistike. Kuptohet, se secili prej këtyre modeleve, ka ndjekësit dhe po ashtu, ka padyshim vlerat e veta kur arrihet të realizohen. Por poeti M. Vyshka, nuk shfaqet që të rendë aq nëpër përshkrime subjektore ngjarjesh e situatash, prej të cilave, të burojnë pastaj vetiu, mesazhet dhe nëntekstet poetike. Pra, duket se ai nuk preferon që ta transmetojë poetikisht vet ngjarjen, por të evidentojë para së gjithash përsiatjet pafund rreth asaj ngjerjeje, apo situate poetike, që çlirojnë për pasojë – edhe një spektër të pasur emocional.
Vargmalet kokëthyer u krrusën përmbi fusha
E qajnë tok mes erës.
Mijëra përralla dridhen e vdesin në gëmusha
Me valën e skëterrësë
Ninulla të përgjakura mbi djepin e zhuritur
Pa tinguj e pa jetë…
(“Elegjia e zhgënjimit”)
Në kaleindoskpin e poetit, hyjnë me bollëk ngjyrat e larmishme të jetës, duke transmetuar te lexuesi relievin dhe kontrastin e botës. Në këtë funksion, është vargu i gjatë i poezive, të cilat, përcaktohen në mënyrë variuese si: himn, si ode e çuditshme, si ironi, klithmë, elegji e zhgënjimit, enigmë, credo (poetike), baladë e turpit, shtrigania vdekje, dasëm qiellore… Autori përcjell në vargjet e tij një gjendje të përndezur poetike, si në lirikat e dashurisë, ashtu edhe në krijimet me motive sociale. Brenda sfondit të përhershëm lirik, nuk mungojnë ironia dhe sarkazma, atëhere kur e keqja dhe vandalja kërkon të shtrijë pushtetin e vet të pangijshëm. Madje, duke e parë paradoksalisht të përpiqet, që ajo të veshë edhe mantelin e së vyrtytshmes. Të endura brenda atmosferës përplot ndjesi lirike, këto dukuri të përkundërta e kontrastuese, përftojnë një raport edhe më neveritës e përjashtues të tyre nga bota e vlerave. Konkretisht, te poezia “Kumuri dhe korba”, kur në një selvi me kumuri – ngrenë foletë e tyre edhe korbat e zinj, ndihet përjetimi i ankthit të prishjes së ekuilibrave të jetës. Dhe poeti apelon:
…Do doja që të vdisja atë ditë,
Kur korbat të bënin nëna kumuritë.
Ndonëse të shpërndara përgjatë librit, mund të thuhet se përbëjnë një cikël më vete poezitë kushtuar disa prej poetëve e shkrimtarëve të njohur të letërsisë shqipe: Fan Nolit, Kristoforidhit, Lasgush Poradecit, Migjenit, padër Anton Harapit, Petro Markos, Viktor Qurkut, Genc Lekës etj. Në to, ndihet venerimi i thellë për njerëzit e paharruar të vëllazërisë së poetëve, të cilët, u shuan nëpër kohë e rrethana të ndryshme, por që mbeti përherë e gjallë vepra e tyre. Ajo vepër, nuk përcillet thjesht e vetëm si kujtesë, por para së gjithash, vlerësohet për rolin dhe peshën e saj të madhe, si fortesë e letërsisë dhe e gjuhës shqipe.
Vdekja e Lasgushit, përjetohet si një vajtim i tërësishëm/kozmik edhe i vet natyrës:
Liqeri i mbytur në lotë
Rënkonte me dhimbjen në gji,
Poeti i lodhur në shqotë
Kërkonte mes shqotës qetësi…
Kurse shkrimtarin e befasive, në jetën dhe në letërsinë e tij, Petro Markon, e mitizon të tretur si bard në shkumën e bardhë të valëve të detit, duke i apeluar poetikisht: Mos u fshih pas maleve, (pra pas maleve/lartësive të veprave e të jetës së tij) – thuaju që je ti!
Këtë libër me poezi të përzgjedhura, e shoqëron në fund edhe një shkrim i Dritëro Agolli. Ai e çmon dhe e përcakton krijimtarinë e M. Vyshkës, si një poezi meditative, ku ndihen bukur vibracionet e shpirtit dhe dilemat e njeriut në jetë, ku ndeshen të kundërtat dhe shpesh shpallen pikëpyetje, jo vetëm për të sotmen, por edhe për të nesërmen.
Libri ka të vendosur në faqen e pasme një fragment poezie, ku derdhet si në fije ari, një përdëllimë dashurie e pashuar, që endet nëpër eterin e kohëve pa cak:
Ti fundi je i pritjes që s’ka fund,
Je prehja e shqetësimit që s’qetohet
Sapo të shoh mërzia krahët shkund
Trishtimi i trishtuar larg largohet.
Aq shumë të dashkam sa as vetë s’e di.
O dashuri! O dritë e kësaj bote!
Sa herë dal në pasqyrë, për çudi,
Veten kërkoj, më del fytyra jote!
Këto vargje, mund të cilësohen edhe si kredo e poetit për dashurinë me kahje universale, pra, në të gjitha pamjet/shfaqjet e saj – në jetën njerëzore. Një dashuri e thellë dhe pa kushte kjo, e cila, ka aftësinë që të sjellë dritën dhe paqen e bekuar dhe përtëritëse mes njerëzve.