Albspirit

Media/News/Publishing

Nadia Sokolaj: I Love Tropoja!

Ndjehem në minoritet paksa pasi nuk pashë femra tropojane që ta kenë komentuar thënien e pavend të Ermal Mamaqit në emisionin e një televizioni, para gazetares Sonila Meço. Unë personalisht nuk jam ndjerë mirë dhe jo vetëm për ‘gojëdhënën’ që kishte dëgjuar në një nga ato ‘zgëqet’ siç i quan ai, nga njerëz që pinë raki dhe hanë qofte, me kanatieren gjithë zhul dhe krahun e mbajnë të përthyer dhe të futur tek pjesa e pantallonave. Duhet të kesh guxim të nxjerrësh fjalë të tilla nga goja, në fakt tani që po e mendoj, duhet të jetë ose guxim ose budallallëk, po më shumë kjo e dyta. Unë gjatë udhëtimit tim dy ditor për punë në Tiranë, shkova dhe e pashë filmin duke u nisur se gjithsesi një film komedi ka të qeshura, qoftë edhe thumbuese dhe deri këtu s’ka asgjë të keqe veçse për çudi filmi nuk promovon aspak vlera për Tropojën dhe tropojanët, por i paraqet si njerëz të vrazhdë, të pakulturë, injorantë, të pagdhendur që nuk e dinë ç’është jeta, s’dinë të dashurojnë dhe mbi të gjitha pjesa e kryeministrit që veçse me Tropojën s’ka lidhje fare. Megjithatë duhet ta dini se Ermal Mamaqi është në një periudhë eksperimentimi, pasi nga skeçe humoristike në portokalli, tek kënga, pastaj tek drejtues emision në televizion e në fund si aktor e producent filmash. Pse jo?! Ndonjë ditë do ta shohim edhe si playboy? Do fitonte goxha para, se krejt çfarë i intereson është paraja. Unë mendoj se është tendencioze thënia e tij dhe gjithashtu e rrugës do të ishte të kërkonte falje publike, përndryshe për disa ditë xhirimi në Tropojë nuk mendoj se i ka njohur Tropojën dhe tropojanët, mikpritjen e tyre, bujarinë, trimërinë, burrërinë dhe nderin e tyre! Unë si vajzë tropojane, e lindur dhe e rritur në Tropojë, pavarësisht se jetoj jashtë, e dënoj ashpër dhe nuk lejoj që të abuzohet me ‘gojëdhëna’ kafenesh të kujdo qoftë, ose ndofta ishte ideja e kryeministrit meqënëse edhe “gjallë a vdekje” ia kishte sugjeruar ai. Tropojan lind, nuk bëhesh!

Please follow and like us: